Në ditën e dytë të vizitës në Tiranë, delegacioni i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i përbërë nga kryetarja e ASHAK-ut akademike Justina Shiroka-Pula, sekretari shkencor akademik Bardh Rugova, sekretari i Seksionit të Shkencave Shoqërore akademik Frashër Demaj, të shoqëruar nga kryetari i ASHSH akademik Skënder Gjinushi, zëvendëskryetari akademik Vasil Tole, dhe kryetari i Komisionit të Shkencave të Ekonomisë dhe Juridike akademik Anastas Angjeli, u priten nga Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj.
Kreu i Shtetit i përgëzoi kryetarët e akademive për bashkëpunimin e deritanishëm në projekte që nxisin promovimin e elementëve identitarë kombëtarë dhe në adresimin e problemeve bashkëkohore shoqërore.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti i Republikës shprehu përgëzime për projektin më të madh të dy akademive dhe instituteve albanologjike: Enciklopedinë e shqiptarëve.
Kreu i Shtetit vlerësoi se akademikët kanë rol thelbësor në ruajtjen, promovimin e identitetit kombëtar dhe atij gjuhësor shqiptar.
Presidenti Begaj çmoi temat e konferencave të fundme të përbashkëta të organizuara nga dy akademitë, veçanërisht ato të demografisë, si tema me rëndësi për sigurinë kombëtare.
Presidenti i Republikës garantoi akademikët se do të kenë gjithmonë mbështetjen e tij si Kryetar Shteti dhe të institucioneve shqiptare për çdo projekt që synon promovimin e historisë sonë kombëtare përmes fakteve dhe të vërtetave shkencore.


