Deklaratë për mbrojtjen dhe rrumbullakimin e bazave të shtetësisë së Republikës së Kosovës

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është duke i ndjekur me brengosje ngjarjet e fundit në Republikën e Kosovës dhe, duke e konsideruar të papranueshme tendencën e vazhdueshme të shtetit të Serbisë për devijimin e zgjidhjeve të ofruara në Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës, përfshirë përmes veprimeve të fundit në procesin e bisedimeve; dhe duke i ndjerë trysnitë e vazhdueshme të BE-së ndaj Kosovës për të kufizuar elementet e shtetësisë që kanë dalë nga vullneti i përfaqësuesve të popullit të Kosovës, paraqet këtë deklaratë:

1. ASHAK-u konsideron se shteti sovran dhe i pavarur i Kosovës është krijuar mbi bazën e të drejtës legjitime që buron nga vullneti i popullit të saj për vetëvendosje;

2. ASHAK-u kërkon që të mos dëmtohen bazat e shtetësisë dhe të pavarësisë së Kosovës që kanë dalë nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës, nga një proces i kompromisit ndërkombëtar;

3. ASHAK-u gjykon tendencën e Serbisë për të shkelur parimet që janë vendosur në themel të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

4. ASHAK-u kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës ta mbrojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj;

5. ASHAK-u tërheq vërejtjen për qëndrimet e njëanshme të Bashkësisë Ndërkombëtare gjatë bisedimeve me Serbinë karshi Kosovës;

6. ASHAK-u kërkon prej bashkësisë ndërkombëtare që të heqë dorë nga presionet e vazhdueshme ndaj Kosovës për bërjen e kompromiseve të reja, përfshirë këtu edhe çështjen e përdorimit të simboleve shtetërore, elemente këto që mund të dëmtojnë bazën e shtetit të Kosovës;

7. ASHAK-u rikujton se bazat e shtetit të Kosovës janë krijuar në bashkërenditje me të, andaj çdo tendencë për t’i dëmtuar ato do ta bënte përgjegjëse edhe Bashkësinë Ndërkombëtare;

8. ASHAK-u kërkon prej BE-së dhe Misionit të saj për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës të ndërmarrë veprime konkrete dhe efikase për zbatimin dhe sundimin e ligjit në veriun e Kosovës;

9. ASHAK-u kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të mos përdorë standarde të dyfishta ndaj palëve në bisedime;

10. ASHAK-u shpreh indinjatë për standardet e një pjese të Bashkësisë ndërkombëtare që në emër të të drejtave legjitime të popullatës serbe, të garantuara plotësisht me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të legjitimojë dhe legalizojë ndërhyrjet e pashembullta për raportet ndërkombëtare të shtetit të Serbisë në shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës;

11. ASHAK-u e konsideron të padrejtë, joparimor dhe të papranueshëm qëndrimin neutral karshi statusit të Republikës së Kosovës të BE-së në procesin e dialogut të monitoruar nga BE-ja, 23 prej anëtarëve të së cilës bashkë me 80 shtete të botës tashmë e kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës;

12. ASHAK-u u bën thirrje serbëve të Kosovës ta respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës të integrohen dhe të bëhen pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, si rruga e vetme e qëndrueshme për realizimin e të drejtave të tyre;

13. ASHAK-u kërkon nga institucionet shtetërore të Republikës së Serbisë dhe të bashkësisë ndërkombëtare që të respektojnë të drejtat të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të vendosin reciprocitetin si kusht për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore;

14. ASHAK-u kërkon nga BE-ja të angazhohet vazhdimisht për perspektiven evropiane për Kosovën dhe t’ia hapë derën integrimit të plotë të Kosovës dhe popullit të saj;

15. ASHAK-u konsideron se ruajtja dhe mbrojtja e parimeve të shtetit dhe të pavarësisë së Kosovës siguron stabilitet dhe paqe në Ballkan, ndërsa tërheq vërejtjen se lëndimi i mëtejmë i elementëve të shtetësisë dhe të pavarësisë së Kosovës do të krijonte një precedent të rrezikshëm me mundësi reale për destabilitet rajonal;

16. ASHAK-u angazhohet me të gjitha potencialet e veta drejt konsolidimit të plotë të shtetit të Kosovës dhe integrimit euroatlantik;

17. ASHAK-u kërkon prej institucioneve shtetërore dhe subjekteve politike që të arrijnë unitet politik për mbrojtjen e Kushtetutës dhe të interesave shtetërore të Republikës së Kosovës.

 

Kryesia e ASHAK-ut

Prishtinë, 06.09.2013
Akademik Hivzi Islami, Kryetar