Deklaratë e ASHAK përkitazi me ngjarjet e fundit në UP

Udhëheqja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Universitetin e Prishtinës dhe rreth tij. Tensionimet e fundit kanë marrë përmasa shqetësuese.

E tërë kjo situatë tendosjeje në UP ndërlidhet me praktikat e gjata të ndërhyrjeve të ndryshme, të drejtpërdrejta a të tërthorta, nga jashtë në punën e këtij institucioni të pavarur. Pasojat e një gjendjeje të atillë, bashkë me ritmet e paharmonizuara të zhvillimeve e sollën UP-në në një gjendje të vështirë, me rreziqe për proceset e ligjshmërisë në funksionimin e tij.

Zgjedhja e Rektorit të ri – profesor dr. Ramadan Zejnullahut dhe veprimet e tij në drejtim të respektimit të ligjshmërisë dhe të stabilizimit të gjendjes të përcjellë me çrregullime për vite të tëra janë një shpresë për zhvillime të reja në drejtim pozitiv në këtë institucion të rëndësishëm arsimor-shkencor të Kosovës dhe të rajonit. Duke e njohur dhe punën e tij të mëhershme si profesor i UP-së, si shkencëtar dhe si Dekan shumë i suksesshëm i Fakultetit të Shkencave, duke i vlerësuar nismat që ka ndërmarrë dhe maturinë e vendosmërinë që e karakterizojnë punën e tij, shprehim publikisht mbështetjen për angazhimet  e tilla brenda UP-së dhe kërkojmë nga institucionet që të gjejnë rrugë për zhbllokimin e nismave të tij gjithsesi pozitive.

Jemi të ndjeshëm dhe për kërkesat dhe nevojat e shtresave të ndryshme të popullsisë, sidomos të pasardhësve të pjesëmarrësve të UÇK-së në luftën e viteve 1998-99, por besojmë se shoqëria dhe institucionet munden dhe duhet të gjejnë rrugë për mbështetjen e tyre duke krijuar rrethana për  respektimin e ligjshmërisë dhe të pavarësisë institucionale të Universitetit të Prishtinës, ashtu si të të gjitha institucioneve të tilla në vend. Ligjshmëria dhe puna e përgjegjshme institucionale në UP janë thelbësore dhe vetëm respektimi i plotë i tyre mund të krijojë rrethana edhe për mbrojtjen e interesave të shtresave të ndryshme dhe të tërë Kosovës.

Në historinë e këtij vendi UP ka luajtur rol shumë të rëndësishëm. Prekja e themeleve të tij, që është të qenit institucion i pavarur i arsimit dhe shkencës, vatër e dijes dhe e emancipimit të përgjithshëm të Kosovës dhe të rajonit, mund të lërë pasoja që nuk merren me mend në zhvillimet e mëtejme. Prandaj bëjmë apel tek institucionet e shtetit që të ndërmarrin çdo gjë për të krijuar rrethana sa më të përshtatshme infrasturkturore, po edhe në fushën e burimeve njerëzore e profesionale-shkencore, në mënyrë që UP-ja të jetë në gjendje t’i zgjidhë vetë dhe në mënyrë të pavarur kërkesat e rritura gjithë duke e ngritur cilësinë. Ndërhyrjet nga jashtë, tensionimet si këto të fundit dhe kërcënimet ndaj Rektorit që po bën përpjekje serioze për stabilizimin e gjendjes vetëm sa e thellojnë krizën në këtë institucion vital edhe për funksionimet e tjera në vend. Kërkojmë nga të gjithë të jemi të matur dhe të përgjegjshëm  në vlerësime, ndërhyrje e nxitje dhe të shquajmë atë që është thelbësore për interesat e UP-së dhe të vendit.

Kryetari i ASHAK-ut,
Akademik Hivzi ISLAMI

Deklarata