Ceremonia e ndarjes së “Çmimit stimulues nga lëmi i shkencave të natyrës”

Më 28 qershor 2024 në lokalet e ASHAK-ut u mbajt ceremonia për ndarjen e “Çmimit stimulues nga lëmi i shkencave të natyrës”. Në të morën pjesë kryetari dhe nënkryetarja e ASHAK-ut, anëtarë të ASHAK-ut, përfaqësuesi Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, laureatët e çmimit si dhe të ftuar të tjerë.

Ceremoninë e udhëhoqi sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës, prof. Fetah Podvorica, anëtar korrespondent i cili njëherit ishte edhe kryesues i Këshillit për përzgjedhjen e kandidatëve për Çmimin stimulues në kuadër të Seksionit të Shkencave të Natyrës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në fillim të ceremonisë një fjalë përshëndetëse e mbajti kryetari i ASHAK-ut, akademik Mehmet Kraja.  Ai në mes tjerash potencoi faktin se me ndarjen e këtij çmimi, ASHAK-u e tregon përkushtimin që të vlerësoj të arriturat e shkencëtarëve të rinjë duke  e bërë promovimin e arritjeve të tyre shkencore. Me këtë hap ASHAK-u po e përmbush një obligim të ALLEA-s, Aleancës të gjitha Akademive të Shkencave të Europës, që të përkujdeset për shkencëtarët e rinjë dhe perspektivën e tyre. Në këtë kuadër, u nxor nga harresa “Çmimi stimulues për shkencëtarët e rinj” i themeluar shumë vite më parë, në mbështetje të një donacioni anonim, me një shpresë deri-diku të justifikuar, se donacione të këtilla ose të ngjashme do të kemi edhe në të ardhmen dhe se ky çmim të bëhet i përvitshëm dhe tradicional. Ai mendon se Akademia duhet të themelojë edhe çmime dhe mirënjohje të tjera dhe të braktisë një herë e mirë vanitetet dhe shpirtngushtësinë provinciale dhe të sillet si lider institucional, ashtu siç e ka edhe përkufizimin ligjor dhe reputacionin publik.

Më pastaj, anëtari korrespondent Fetah Podvorica tregoi për procedurën që e ka ndjekur Këshilli për përzgjedhjen e kandidatëve për Çmimin stimulues nga lëmi i shkencave të natyrës i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Këshilli i ka shqyrtuar me kujdes 26 aplikacionet e kandidatëve  të paraqitur në lëmin e shkencave të natyrës, inxhinierisë dhe teknologjisë, mjekësisë dhe shëndetit, si dhe bujqësisë. Duke u bazuar në qëllimin e konkursit i cili synonte stimulimin e punës kërkimore-shkencore të të rinjve  deri në moshën 36 vjeç, që kanë të arritura të larta gjatë karrierës së tyre së deritanishme, dhe në planin strategjik të ASHAK-ut, në pikën 2, që e thekson nevojën e kujdesit për krijimin dhe avancimin e kuadrove shkencore të brezit të ri, gjegjësisht pikën 2.6 që e thekson faktin se ASHAK-u angazhohet që krijuesit e rinj të shpërblehen për arritjet e larta shkencore dhe artistike në Kosovë, Këshilli ishte përcaktuar për kriteret si në vazhdim: a) Çmimi stimulues t’i ndahet kuadrit shkencor që punon në institucionet e Kosovës dhe b) Njëri çmim t’i ndahet një shkenctareje të re dhe tjetri një shkencëtari të ri. Këshilli, njëzëri, kishte ardhur në përfundim se:

  1. Prof. asoc. Armond Daci, (I lindur më 18 nëntor 1988)
  2. Prof. ass. Bukurije Hoxha, (e lindur më 28 qershor 1996)

ishin dy kandidatët e propozuar për marrjen e Çmimit stimulues në kuadër të Seksionit të Shkencave të Natyrës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe këtë propozim e kishte miratuar Kryesia e ASHAK-ut.

Më tutje në ceremoni foli anëtar korrespondent i ASHAK-ut Arsim Morina, njëherit anëtar i Këshillit për përzgjedhjen e kandidatëve për Çmimin stimulues. Ai paraqiti disa të dhëna për zhvillimin e karrierës së tij akademike si dhe të arriturat e prof. asoc. Armond Dacit, nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës. Prof. Asoc. Armond Daci i ka 31 publikime të botuara në platformat kryesore të revistave shkencore, 8 prej tyre si autor i parë dhe tri punime si autor korrespondent. Punimet e botuara si autor i parë i ka të botuara në revistat që gjenden të ranguara në çerekun e parë, Q1 dhe në atë të dytë, Q2. Në platformën Scopus, aktualisht, i ka 364 citime dhe e ka indeksin Hirsch 11. Është kordinator prej UP-së i projektit “Increasing research capacities in Kosovo – Nanoparticles in the Environment and Medical Research – NanoKos” të financuar prej Unionit Europian.

Ndërsa anëtare korrespondente e ASHAK-ut, Myzafere Limani, anëtare e Këshillit për përzgjedhjen e kandidatëve për Çmimin stimulues. Ajo së pari theksoi se prof.. ass. Bukurije Hoxha ka patur të arritura shkencore në një disciplinë shkencore mjaft të veçantë në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës. Pastaj ajo paraqiti disa të dhëna nga të arriturat e saj. Ajo  i ka 13 punime publikime të botuara në platformat kryesore të revistave, 6 prej tyre si autore e parë dhe tri punime si autore korrespondente. Në platformën Scopus, aktualisht, i ka 35 citime dhe e ka indeksin Hirsch 4.

Pas ndarjes së Çmimit stimulues nga ana e kryetarit të ASHAK-ut, akademik Kraja, për të dy fituesit e tij, këta mbajtën nga një fjalë të shkurtër falënderimi.

Prof. asoc. Armond Daci në mes tjerash theksoi se e vlerëson shumë këtë çmim të ndarë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili do t’a motivojë që të punoj edhe më shumë në ardhmen.  “Sot është një ditë e veçantë se puna në festë e në veçanti gjatë këtij rrugëtimi akademik dhe udhe shtegtimit tim, nëpër shumë vende për shumë vite padyshim që është një sakrificë. Kemi bërë shumë bashkëpunime dhe shumë grupe shkencore, por ajo që më bënë të ndihem mirë sot këtu është sepse ndihem i vlerësuar nga vendi im ”, tha ai.

Prof. ass. Bukurije Hoxha theksoi se ndjehet shumë e respektuar për këtë çmim të ndarë nga ASHAK-u, të cilin e falënderoi për vlerësimin e bërë për të arriturat e saj. Ajo tha poashtu se ky çmim do të shërbejë për të dhe për kolegët e saj si një motiv për rritje të punës shkencore, për avancimin e saj në një fushë të rëndësishme siç është energjia e ripërtërishme e cila lidhet aktualisht me ndryshimet klimatike për të cilat jemi dëshmitarë me gjendjen aktuale.

Ceremonia përfundoi me dy pika muzikore që i ekzekutuan pianistet Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli-Dehiri.