VARVARICA Kukaj, Suzana / XHEVDET XHAFA: (monografi)
Redaktor Luan Mulliqi, Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, SA, 2021, 254 f., me il., 26x31 cm. (Botime të veçanta CCVII / Seksioni i Arteve. Libri 27)
Tit. në faqen paral.: Xhevdet Xhafa (monograph). Shënime për autorin: f. 225
KDU 75.071
929Xhafa, Xh.
ISBN 978-9951-26-044-2
COBISS.KS-ID 386434311

…Një prej artistëve më të shquar, arti i të cilit i përket tërësisht modernizmit në Kosovë, është Xhevdet Xhafa. Në kulturën moderne figurative, Xhevdet Xhafa i përket gjysmës së dytë të shekullit XX. Në memorien tonë të historisë së artit shqiptar do të qëndrojnë ballas dhe guximshëm pikturat e Xhevdet Xhafës. Mbi to zbulon dhe ndjen pjesë materialesh dhe veshjesh me natyra të ndryshme, që u ricikluan dhe u zgjodhën për historinë e tyre. Në dukje, ato janë të vendosura pa ndonjë “rregull” dhe të mbuluara me ngjyra me vetëdashje të përzgjedhura. Pikturat e Xhevdet Xhafës mbajnë një ngarkesë emocionale të fuqishme, për t’u shfaqur si një lloj i veçantë i ekspresionizmit abstrakt për një temë të ashpër sociale mbi kombin, gjë që nuk ishte dukur më parë në territorin artistik të Kosovës, në atë të Jugosllavisë së shekullit XX, por edhe më gjerë në sistemin ballkanik. Në shtresat dhe nënshtresat e pikturave të artistit, figura njerëzore si “imazh” gjendet askund dhe gjithkund si gërhamë e nëndheshme, e zhurmshme dhe drithëruese. Ajo nuk shpërfillet prej tij, sepse figura njerëzore është në deje të çdo vepre të Xhevdet Xhafës. Ai e konceptoi si aluzive dhe i dha formën e elementeve të materialit të shumëllojshëm të etnosit unik, që u jep në çdo çast shkas thirrjeve tronditëse sentimentale të frymës vështruese të publikut.
Më duhet të rishkruaj me ngul atë që kam shprehur në vitin 2015, se Xhevdet Xhafa, në vitet e krijimtarisë së tij më të frytshme e të spikatur nga kritika e huaj e viteve 70 – 80 të shekullit XX, ishte ikonathyesi shqiptar në mjediset e artit figurativ të krijuar në Jugosllavinë e atyre kohërave. Kjo krijimtari e tillë e bëri atë të jetë edhe sot e kësaj dite një personalitet i veçantë, unik dhe i pavarur i kulturës figurative. Ai është pozicionuar si një artist plot dinjitet dhe konsekuent. Ai vuajti për të qenë një artist i dijshëm dhe i njohur i pikturës. Punoi për të qenë cilësor dhe rezultativ. Ai ruajti një mendje të shëndoshë dhe e ktheu vështrimin nga lëvizjet artistike të shekullit XX, duke u bërë një nga përkrahësit e parë. Xhevdet Xhafa krijoi art në atmosferën e mixmedia-s, të assemblazh-it e të kombinimit, si dhe u veçua nga kritika si një nga pararendësit e artit modern në Kosovë. Jeta dhe krijimtaria e tij tregojnë se kemi të bëjmë me një karakter të vendosur dhe besnik ndaj zgjedhjeve të veta kompozicionale, në të cilën estetika e shenjave dhe e simboleve është e pranishme, sepse rreket të zbërthejë lidhjet e drejtpërdrejta me fenomenet: komb dhe njeri.
Veprat e Xhevdet Xhafës qëndrojnë si dëshmi të pakundërshtueshme përballë fatit të zymtë të historisë së popullit shqiptar të Kosovës. Në mileniumin e tretë, tërësia e sotme historike mund të ndryshojë për arsye të zhvillimeve të vrullshme të një mendësie të re globale, servirur për një brez të ri. Ndaj, për këtë shkak historia e ashpër e Kosovës është e destinuar të vendoset në hapësirat muzeore. Por veprat e artit të Xhevdet Xhafës do të jenë një mjedis i vetëm e thërritës artistik, që do t’i ballafaqohen historisë së të ardhmes, duke i kujtuar çdo brezi se nuk duhet t’i harrojë rrënjët e vërteta të vuajtjeve të popullit të Kosovës nën trysninë gjakatare të gjenocidit serb, që përdhosi me dashakeqësi fizionominë e shqiptarit.

(Suzana Varvarica Kuka, nga Monografia)