Është libër studimor i cili trajton relacionet e ndërvarura dhe të ndërlidhura ujëra-popullsi në Kosovë. Uji si element themelor i mjedisit natyror është faktor përcaktues i shpërndarjes territoriale dhe kohore të popullsisë dhe të vendbanimeve. Të kushtëzuar nga kushtet e ndryshme natyrore, përhapja territoriale dhe kohore e ujërave rrjedhëse në Kosovë nuk është homogjene, por ka specifikat e saj konform kushteve klimatike, gjeologjike, relievore etj. Duke qenë se ujërat kanë qenë element përcaktues i lindjes dhe përhapjes së civilizimeve, të njëjtin impakt e kanë shprehur edhe në Kosovë. Pjesa më e madhe e popullsisë dhe e vendbanimeve janë të lokalizuara në akuiferët e pasur me ujëra nëntokësore (fusha), afër burimeve ujore, në veçanti atyre karstike, si dhe në largësi të vogël të lumenjve. Njëkohësisht, të jetuarit në afërsi të lumenjve ka rreziqet e veta – vërshimet potenciale. Sipas analizave të paraqitura Kosova posedon resurse ujore të kufizuara të cilat janë në kufi të stresit ujor, ndërsa sistemet lumore të Drinit të Bardhë dhe Lepencit janë më të pasura me ujë se ai i Ibrit dhe i Moravës së Binçës. Në libër trajtohet shfrytëzimi i ujit për nevoja të degëve të ndryshme të ekonomisë, përfshirë objektet ujore si atraksione turistike. Çdo shfrytëzim shoqërohet me probleme ujore, përfshirë ndotjen, degradimin dhe pasojat eventuale – vërshimet.