THURJE KOSOVARE: ekspozitë / [kuratore Eliza Hoxha], Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2022, 157 f., me il., 20 cm.

GRA TË VESHURA ME ART
(fragmente nga parathënia e katalogut)

U ndjeva shumë e nderuar kur Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ma besoi një projekt të tillë mbi krijmtarinë artistike të grave kosovare. Por, njëkohësisht ky nder e kjo kënaqësi m’u kthye në presion edhe mbi vetë mua. Shtrohet pyetja:
A duhet të kemi ekspozitë dedikuar vetëm grave?
A nuk e meritojnë ato të jenë aty ku është hapësira e artit e dedikuar dhe ku gjinia nuk do të vihej në pikëpyetje për meritën dhe vlerën e tyre artistike?
Sa ia kisha bërë këto pyetje vetes edhe përpara, këto pyetje m’u shtruan edhe mua kur kisha nisur ta ndërtoj konceptin kuratorial mbi këtë ekspozitë dhe artistet që doja t’i ftoja për ndonjë nga punët specifike që ato kishin. Me gjithë synimin për hapësirë të përbashkët reprezentimi, tani edhe më shumë e kam të fuqizuar bindjen se pse hapësira e tillë – mono e hulumtimit dhe reprezentimit të grave është e nevojshme – madje edhe në art. Një hapësirë e një praktikë e tillë ka mundësuar rimendimin edhe të shumë zhanreve a punëve artistike që gratë i kanë bërë historikisht e që nuk janë vlerësuar dhe janë lënë në kategorinë dytësore si punëdore apo artizanale siç janë thurjet, endjet, tekstili etj.
Po ashtu ka mundësuar rizbulimin e shumë krijimeve që ishin lënë në pluhurin e harresës vetëm sepse ishin bërë nga gratë.
Dhe, kjo vetëm për shkak se gratë nuk kishin mundësinë dikur të shkolloheshin e t’u dedikoheshin formave të tjera të të bërit art, sepse u ishte përcaktuar një tjetër rol në shoqëri.
M’u kujtua po ashtu Maria Anna Moxart e cila edhe pse po aq e talentuar sa Moxarti, nuk arriti të shënonte karrierë dhe vend në histori, sepse kur arriti moshën madhore nuk u lejua më të koncertonte dhe udhëtoi, sepse kishte moshën e martesës tashmë si i kishin thënë e si ia kishin përcaktuar. E njëjta vlen edhe për plot gra të tjera krijuese edhe në zhanre të tjera të cilat, duke mos e pasur mbështetjen e duhur, hapësirën e duhur dhe duke qenë të varura ekonomikisht, i lanë ëndërrat dhe talentin e tyre në sirtar. Jo më kot Virginia Woolf kishte deklaruar se “Gratë duhet të kenë një dhomë më vete për të shkruar (apo krijuar) dhe një pagë fikse”.
Por përtej dhomës dhe pavarësisë ekonomike si parametra boshtë në domenin privat, domeni publik pastaj sërish “ka mungesë” hapësire e besimi për shpërfaqjen e kreativitetit dhe punës së tyre krijuese.

***

Kur kthehemi te konteksti shqiptar nuk mund të themi se përbën një përjashtim, përveç që proceset kanë qenë më të vonshme në krahasim me vendet perëndimore.
Por si rastësisht e si për ironi edhe këtu qëndisja e thurja si aktivitete “grash” jo në vëmendjen publike, marrin primatin në shënimin e disa momenteve historike. Shihni historinë e Marigos e cila flamurin e kishte qëndisur për pajën e saj kur ishte vajzë. Ky flamur përfundoi nga paja e nusërisë në duart e Ismail Qemalit në momentin historik të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Dhe nëse paja ishte pasuria e gruas shqiptare dikur, sot gratë shqiptare çdo ditë punojnë për pavarësinë e tyre si paja qenësore në lirinë e tyre individuale, shoqërore, kulturore dhe ekonomike, në idenë e asaj se çfarë ato duan të jenë e të bëhen.
Shihni madhështinë e malësoreve në xhubletë, imazhin ikonik të Hasjaneve, Nënë Terezën të veshi botën me dashuri e tutje, gratë shqiptare kudo që kanë qenë sado pak hapësirë publike, kanë lënë shenjë e nder për vendin e tyre.
E kur jemi këtu meqë Kosova nuk përbën përjashtim, si shtet i ri që është, pothuajse gjithë lavdinë e saj të pasluftës e ngre në piedestal gruaja. Gratë e arta olimpike të Kosovës, si Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, gra që diktojnë melodinë botërore si Elbenita Kajtazi, Marigona Qerkezi e Flaka Goranci, edhe te tjera plot xixë si Dua Lipa dhe Rita Ora, aktore a regjisore si Yllka Gashi, Arta Dobroshi, Ilire Vinca e Adriana Matoshi apo Blerta Basholli, Kaltrina Krasniqi e Blerta Zeqiri.
Gra artiste si Alije Vokshi, Alketa Xhapa Mripa, Zake Prelvukaj, Flaka Haliti, Violeta Xhaferi, Doruntina Kastrati, Albana Ejupi e plot të tjera (përfshirë edhe veten time këtu) që komunikojnë, ngrenë dhe adresojnë pyetje mbi rolet gjinore dhe sfidat e tjera të shoqërisë kosovare nga pikëvështrime të ndryshme me këmbëngulje, guxim dhe përkushtim.
Por, kur jemi te këto të fundit jo shumë dritë e vëmendje u është dhënë për t’i njohur e për t’i vlerësuar. Për t’i festuar.
Andaj kjo ekspozitë përmes mediumeve e tematikave të caktuara mundohet të prekë këndvështrime të ndryshme të trajtesës së grave si artiste, por edhe si subjekte brenda vetë punës së tyre.

***

Nga nusja e Shqipe Kamberit me pajën e saj tradicionale e sy të mbuluar ku na vjen në mendje roli i dikurshëm e i normuar i gruas te “Nusja” e Blerta Syla-Surroit, e cila e përdor veten si subjekt për të ironizuar rolin e gruas – e buzëqeshur e me sy të hapur, e bardhë e plot hijeshi rri në pozicionin e përcaktuar me mindilin, i cili nuk është ai i pajës e plot qëndisje, por në vend të tij është flamuri i Evropës për të përçuar një mesazh apo për të ngritur një pyetje? Kosova e re dhe synimi i saj si nuse në familjen evropiane. Pse, jo?!
Valdeta Veliu Vuçitërna luan me elementet e pajës së nusërisë dhe rrobat e gruas moderne, duke i ngrirë ato në grafikë dhe duke iu dhënë jetë të re. Dy shamitë e bardha e me ojna që gratë i kanë shenjë identifikuese në vdekjet familjare, këtu vijnë në negativ duke asocuar diçka midis mbulesës apo frymëmarrjes si kundërthënie, apo edhe krahët e një engjulli, varësisht se si duam ta lexojmë apo kuptojmë.
Fytyrat e paidentifikuara të grave të Alije Vokshit na referohen të gjithave, grave në kërkimin e tyre identitar në rrugën ëndërrimtare se ato mund të jenë çfarë të duan, e të cilave Mjellma Goranci u jep një tjetër dimension shumëngjyrësh – gra me flokë plot ngjyra, qafëgjata e me sy të mëdhenj, kurreshtare për të parë, për të mësuar, për të ecur e për t’u dukur aty ku ato duan dhe si duan.
E grave të tilla kurreshtare e kryeneçe, mbaj mend nëpër zona rurale t’u thoshin dikur “të dalshin brinat”, se gruaja supozohej që duhej të ishte e urtë dhe pa shumë kërkesa. Fitore Berisha i portretizon ato si gra të kohës, gra të bukura e moderne, gra me guxim qoftë edhe nëse figurativisht brinat iu duken edhe fizikisht si atribut e kurorë e përpjekjeve të tyre për të bërë atë çfarë duan në jetë.
Rrobat e lara e të shplara të Magbule Xhemailit na kthejnë në domenin privat ku gruaja zakonisht portretizohet, por mua ma kujtuan thënien “me i shpla të palarat e shpisë” thënie që Alketa Xhafa Mripa e kishte përdorur metaforikisht në instilacionin kushtuar grave, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Por Alketa në këtë ekspozitë vjen me një tjetër punë të sajën e që ngre ca pyetje themelore në raporte të shumta.
“Pa Titull” eshte fotografi e Alketes me babanë e saj artist, akademikun Xhevdet Xhafa. Pavarësisht që ajo e ka ndërtuar veprën në një tjetër dimension, ideja që ta sjellë në këtë ekspozitë brenda Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, ka të bëjë më ballafaqimin si kategori familjare – babë e bijë, si kategori profesionale artist e artiste, si kategori moshore – gjeneratë me gjeneratë, si kategori shoqërore – burrë e grua e që do të duhej të jetë proces kërkimi dhe rrite, por që shpesh e hasim në histori më shumë si përjashtim e mohim i së dytës.
Nuk ka më vështirë sesa për fëmijët që kanë prindërit artistë të niohur të krijojnë bazën e tyre identitare dhe të mëvetësohen në gjuhën e tyre artistike krijuese.
Prandaj këtë imazh unë e shoh të përkthyer ndryshe, si fuqizim, bartje e njohurive dhe ideve, kontinuitet, transmetim, bashkëpunim deri në mëvetësim. Dhe, në fund, respekt!

***

Një nga pyetjet e shpeshta që kam dëgjuar është se nëse muza e artistëve burra në shumësi është gruaja, cila apo çfarë është muza e një gruaje krijuese.
Argenita sfidon veten dhe mjedisin e saj në tejkalimin e barrierave dhe paqartësive ku gruaja me patjetër duhet të jetë krah dhe të ndihmojë gruan tjetër të dalë në dritë.
Teuta Alaj Pula thërret për zgjimin e njeriut dhe vë fokus në forcën që secila nga ne mund ta gjejmë e të qajmë horizonte edhe në kohët më të errëta. Gra që rebelohen, aktivizohen, marrin jetën në duart e veta, demonstrojnë pakënaqësitë dhe ballafaqohen ashtu si imazhet e protestave të grave me çelësa, bukë, qirinj e fleta të bardha, na vijnë përpara nga vitet ‘90.
Një moment të ngjashëm në një mozaik tablosh nga këto vite e sjell Violeta Xhaferi kur brenda një pikture të vetme lexojmë kundërthëniet e përditshmërisë së asaj kohe, presionin, pushtetin, dhunën dhe njëkohësisht edhe prehërin si ngrohtësi e siguri metaforike në paqartësitë dhe frikën që ishte para nesh, nevojën për informim dhe për të jetuar në normalitet.
Nga koha e përjashtimit të viteve ’90 buron edhe koncept-ideja e hapësirës publike të futur në kuti, që është imazhi i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, i cili sjell kujtesën kolektive të shtëpive shkolla dhe flet për nevojën e reflektimit mbi aspektin e mbijetesës dhe solidaritetit kolektiv, si dhe për sferën publike të kompensuar nga shtëpia si hapësirë private.
Nga nëna e paqes siç e sjell Lyra Zajmi – Nënë Terezën, e cila iu dha botës me gjithë fisnikërinë dhe përkushtimin e saj jetësor, kthehemi te “Rrënjët” e Arlinda Hajrullahut, e cila e kthen fokusin te natyra, përkatësia jonë dhe përkujdesi, duke na ballafaquar përmes pasqyrës si ftesë për reflektim dhe rimendim. Laura e kthen traditën dhe lidhjen me dheun e tokën aty ku jemi të rrënjëzuar e të përkohshëm njëkohësisht.
Por gratë e kanë nxitur tash sa kohë edhe temën e përkatësisë identitare dhe të seksualitetit, dhe në këtë pikë Kaltrina Hoda – Zoe formëson procesin e njohjes së gruas me vetveten dhe trupin e saj, gjë që Lala Meridith Vula e kishte bërë qëmoti duke ngrirë momente të aktiviteteve publike të grave në banjo publike dhe ceremonitë gjinore për kujdesin për vete përmes fotografive artistike. Në anën tjetër, përderisa kolektivi artistik HAVEIT feston ditën e dasurisë 14 Shkurtin dhe performon publikisht puthjen midis grave si kërkesë a protestë për debatin mbi rolet gjinore e identitare sot, si diçka që Kushtetuta e Kosovës e njeh si të drejtë përcaktimi e asocimi.
Krejt këto përpjekje grash dhe jo vetëm Zake Prelvukaj i ka prekur dhe trajtuar edhe me trupin e saj si brushë në pikturat e saj. Por këtu në ekspozitë na e sjell një platformë të “getos botërore” si në një lëmsh, brenda së cilës gjithçka është e ndërlidhur dhe e ndërthurur, dhe ku rrjetëzimi është i domosdoshëm për të qenë pjesë e realitetit të ri. Thurje është realitet i pikseluar dhe i hapur për këdo.
Andaj, “# Kosovare” mund të jetë rrjeta e grave kosovare kudo që jetojnë brenda getos botërore në kutitë e vogla që mbajmë me vete ku formësohen hapësirat e munguara të grave artiste dhe ku ato vendosin për veten.
“Lumi T” i Arta Aganit – ironikisht i konceptuar dikur për nevojën për të lëvizur e për të dalë nga konteksti i mbyllur siç ende vazhdon të jetë Kosova, këtu vjen si rrjedhë e natyrshme, ashtu se si sot jeta ka marrë dimension midis fizikës dhe virtuales dhe vjen në hapësirë si vijë ndërlidhëse.
“Gjithçka rrjedh” (Panta Rhei) është ndryshimi konstant që e kemi dhe sot mundësinë që këtë rrjedhë mund ta rimendojmë e ta riformatojmë për krijimet dhe përfaqësimet tona ashtu si dëshirojmë. Vetëm duhet ta spërkasim me ngjyrat e Arjeta Malës.
Sepse gruaja vazhdon të jetë vatra dhe shtëpia e të cilën na e rikujton Zana Ramadani, por njëkohësisht edhe guxon t’i ëndërrojë qytetet shumëngjyrëshe të Marigona Ademit.
Sot më nuk duhet të vlejë thënia e Hannah Arendt “Qyteti është kujtesë kolektive. Gratë janë të harruarat në histori”.
Qyteti dhe sfera publike u përket grave po aq sa edhe burrave dhe ato historinë e tij duhet ta bëjnë, do ta bëjnë dhe do ta pasurojnë së bashku.

Eliza HOXHA
kuratore e ekspozitës