Kontaktet e botës shqiptare me botën frënge shkojnë mjaft herët. Personalitete të mëdha të letrave frënge si P. Ronsard, M. Montaigne dhe A. De Lamartine e kishin shfaqur tërë reverencën e tyre përmes poezisë për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, duke u bërë në njëfarë dore frymëzues për shkrimtarë, studiues e historianë që do të merreshin pastaj me botën shqiptare. Studiues, shkrimtarë dhe udhëpërshkrues francezë e kanë drejtuar vëmendjen e tyre ndaj botës shqiptare në mënyrë pak më intensive në sh. XIX dhe sidomos në sh. XX. Të shquar si A. Dozon, Pouqueville, A. Boué, A. Jaray, më pastaj L. Rey, M. Roques, J. Degrand, Hecquard, pastaj G. Castellan, De Constant, A. Ducellier, J. Godart, H. Boissin, P. e B. Cabanes, C. Gutt, O. Daniel, M. Roux, G. Bonnet, N. Clayer, e një radhë studiuesish të tjerë do të vijnë për të shfaqur interesimet e tyre për çështjet nga më të ndryshmet në botën shqiptare.
Në sh. XIX ka pasur kontakte intensive dhe të frytshme të intelektualëve shqiptarë, sidomos të Faik Konicës me Guillaume Apollinaire-in e me shkrimtarë e intelektualë të tjerë frëngë, ndërsa këto kontakte janë rritur në fusha të ndryshme në pjesën e parë të sh. XX kur në Korçë vepronte liceu francez dhe kishte mësimdhënie të frëngjishtes në të gjitha fushat. Në atë kohë sa vinte e rritej interesimi për letërsinë, për kulturën dhe idetë shoqërore e të tjera që vinin nga Franca. Këto interesime u shtuan pas Luftës së Dytë Botërore, kur në Tiranë dhe në Prishtinë u themeluan katedra të gjuhës dhe të letërsisë frënge.
Në vitet ’70, ’80, ’90 të sh. XX në Francë pati një interesim më të gjerë për gjuhën dhe letërsinë shqiptare, sidomos pas botimit të veprave të Ismail Kadaresë në Paris. Në këto kohë në Prishtinë pati një rritje të ndjeshme të interesimit për idetë letrare, shkencore e kulturore që vinin nga Franca dhe u zhvillua një veprimtari e shënueshme e transmetimit të tyre përmes përkthimeve e diskutimeve.
Vitet ’90 të sh. XX shënuan interesim më të gjerë të opinionit kulturor dhe shkencor francez për shqiptarët, gjuhën dhe kulturën e tyre dhe kjo ndërlidhet me dy ngjarje të mëdha: në një anë kemi rënien e komunizmit në Shqipëri, ndërsa në anën tjetër adventin në skenën ndërkombëtare të çështjes së Kosovës. Në dekadat në vijim intelektualë nga më të shquarit të botës frënge u angazhuan ta kuptonin më mirë dhe ta shpjegonin për opinionin frëng dhe të botës qoftë ndryshimin dhe pasojat që po shkaktonte përmbysja në Shqipëri, apo edhe më intensivisht çështjen e Kosovës dhe me këtë çështjen shqiptare në përgjithësi, duke luajtur kështu dhe një rol me rëndësi në fushën e qëndrimeve të opinionit dhe të shtetit francez ndaj çështjes (studimet e përqendruara nga qarqet universitare të Tuluzës, të Ecole Nationale des Langues Orientales në Paris, qarqet intelektuale rreth revistës Esprit dhe Komitetit Kosovo, lëvizjet paqësore sidomos MAN, etj.). Universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkodrës, Elbasanit, Tetovës, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, po ashtu kanë luajtur një rol me rëndësi në këto qarkullime idesh me rëndësi për kontaktet e ndërsjella.
Sot ka gjithnjë e më shumë interes për intensifikimin e këtyre kontakteve të botës intelektuale shqiptare gjithandej (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, diasporë) me zhvillimet në botën frëngjishtfolëse.
(Nga fjala e akademik Rexhep Ismajlit në hapjen e konferencës “Studimet për shqiptarët në Francë)