DEMAJ, Frashër / POZITA GJEOGRAFIKE, POLITIKE DHE POPULLSIA SHQIPTARE NË DOKUMENTET DIPLOMATIKE TË MINISTRISË SË JASHTME TË BRITANISË SË MADHE 1912-1918
Redaktor Justina Shiroka-Pula, Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, SSHSH, 2021, 287 f., 17x25 cm.
Tit. në faqen paral.: Geografical, political positions and the albanian population in the diplomatic documentes of the foreign Ministry of the Great Britain 1912-1918. Shënime për
autorin në pjesën palosëse të kopertinës. Bibliogr.: f. 271-274. Indeks.
KDU 908(496.51)''1912/1918(093)(091)
ISBN 978-9951-26-032-9
COBISS.KS-ID 385385479

Libri “Pozita gjeografike, politike dhe popullsia shqiptare në dokumentet diplomatike të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe 1912-1918″ i autorit Frashër Demaj ndër të tjera trajton pozitën dhe shtrirjen gjeografike, sipërfaqen, bregdetin dhe sistemet lumore, klimën dhe kushtet sanitare të Shqipërisë dhe shqiptarëve, fillimisht brenda kufijve etnik që përfshiheshin në kuadër vilajeteve shqiptare në periudhën e sundimit të Perandorisë Osmane deri në vitin 1912 kurse nga viti 1912 deri 1918 për Shqipërinë si shtet i pavarur. Këto të dhëna autori i bazon në dokumentet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme (Foreign Office) të Britanisë së Madhe.
Në libër trajtohet edhe popullsia, gjuha, feja dhe shoqëria, pastaj rrethanat shoqërore, pozita e gruas në rajonet e veriut, rrethanat shoqërore në Toskëri, komuniteti vllah që jetonte në jug të Shqipërisë, si dhe disa statistika të bazuara ekskluzivisht nga burimet britanike për shpërndarjen e popullsisë shqiptare në 1912-13.
Në një kapitull më vete analizohen “Ngjarjet kryesore të zhvillimeve politike të vlerësuara nga Ministria e Jashtme Britanike”, ku janë përfshirë ngjarje dhe zhvillime të ndryshme të vlerësuara nga grupi i ekspertëve britanikë. Këto vlerësohen nga britanikët si ngjarje kryesore që përcaktuan fatin historik të shqiptarëve dhe që i kanë parapri shpalljes së Pavarësisë, Konferencës së Ambasadorëve në Londër e deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore.
Vend të veçantë në këtë libër zë “Situata e përgjithshme, qeverisja e shtetit dhe Lufta e Parë Botërore 1914-1918”, ku bëhët fjalë për Qeverinë e Ismail Qemalit në largim, pastaj për ardhjen në pushtet dhe qeverisjen e princ Vidit, fillimin e Luftës së Parë Botërore, politikën e jashtme britanike gjatë luftës, Traktatin e Fshehtë të Londrës, rivalitetin e Fuqive të Mëdha, pretendimet e shteteve ballkanike dhe e mbyllet me qëndrimin e Britanisë dhe fuqive tjera ndaj shqiptarëve në periudhën midis viteve 1914-1918…
Autori këtë studim e ka bazuar në rezultatet e hulumtimit të dokumenteve arkivore dhe literaturës relevante. Duke qenë i mbështetur tek burimet, literaturën dhe referencat e përdorura mund të themi se baza e këtij botimi janë fondet arkivore të hulumtuara në The National Archive (TNA) në Londër, fonde arkivore të hulumtuara në Arkivin e Kosovës (Fondin e Londrës Foreign Office, Fondin e Stambollit, Fondin e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë në Bon, Fondin e dokumenteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë) Arkivin e Institutit të Historisë në Prishtinë (Fondet e dokumenteve angleze, austro-hungareze, serbe dhe malazeze), Arkivin e Shtetit Shqiptar, Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë (Fondin e Londrës dhe të Vjenës), dokumente të proveniencës sllave nga Državni Arhiv Crne Gore-Cetinje (DACG) dhe ato serbe të Diplomatski Arhiv Saveznog Sekretariata Inostranih Poslova- Beograd (DASSIP).
Autori ka shfrytëzuar edhe dokumente të botuara angleze dhe të tjera të studiuesve të ndryshëm si Skender Rizaj (tri vëllime), Ramiz Abdyli (dy vëllime), Valentina Duka (dy vëllime), dokumente osmane nga Kristaq Prifti, dokumente gjermane nga Jusuf Buxhovi, dokumente frënge nga Muhamet Shatri, dokumente frënge nga Gjyltekin Shehu, dokumente ruse nga Muhamet Shatri dhe Ramiz Abdyli, dokumente serbe nga Zekeria Cana, dokumente osmane nga Iliaz Rexha, dokumente austro-hungareze nga Ferit Duka, Marenglen Verli dhe Beqir Meta, përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjen shqiptare (1910-1912) nga Nevila Nika, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare nga Stefanaq Polio dhe Selami Pulaha, Aktet ndërkombëtare të Periudhës së Imperializmit nga Arben Puto, dokumente britanike të botuara nga autori i këtij botimi në vitin 2019 etj.

(Akademik Jusuf Bajraktari, prof. Dr. Fehmi Rexhepi)