POEZIA SHQIPE: fillimi i shekullit XXI
Konferencë shkencore / Këshilli organizues: Sabri Hamiti, Ali Aliu, Floresha Dado, Ymer Çiraku, Eqrem Basha, redaktor Eqrem Basha, Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2021, 267 f., 17x25 cm.
Tit. në faqen paral.: Albanian poetry: beginning of 21 century. Bibliografia në fund të çdo punimi.
KDU 821.18-1.09(091)(06)
ISBN 978-9951-26-041-1
COBISS.KS-ID 386116615

Konferenca Shkencore Poezia shqipe / fillimi i shekullit XXI organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ishte paraparë të mbahej në Prishtinë, në qershor të vitit 2020. Në kohën e vendosjes së masave dhe kufizimeve për të penguar përhapjen e pandemisë covid 19, në mars të vitit 2020, arritën paraqitjet e fundit për pjesëmarrjen në Konferencë, ashtu siç ishte planifikuar. Nga një numër më i gjerë të ftuarish, studiuesish nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe arbëreshët, të interesuarit për pjesëmarrje dërguan temat e kumtesave dhe abstraktet e kërkuara. Duke qenë se gjendja me pandeminë rëndohej gjithnjë e më shumë, me shpresë se ajo do të lehtësohej, Konferenca u shty për datën 10 shtator të vitit 2020. Gjatë kësaj kohe u hartua programi, me të gjitha detajet, i cili iu shpërnda pjesëmarrësve bashkë me njoftimet e duhura.
Megjithatë, situata me përhapjen e pandemisë u rëndua edhe më shumë, ndaj u bë e pamundur mbajtja e këtij aktiviteti në mënyrën tradicionale, siç ishte paraparë. Për këtë arsye u vendos që tekstet e përgatitura të merren për botim në trajtën e tyre integrale, të renditura sipas programit të Konferencës.
Tekstet e paraqitura në botimin Poezia shqipe / fillimi i shekullit XXI kanë për autorë poetë dhe kritikë të botës shqiptare, njohës të poezisë bashkëkohore shqipe. Trajtimi i një kategorie letrare brenda një prerjeje të kohës, në formë të interpretimit, të teoretizimit dhe të sistematizimit, brendashkruan një rrjet letrar, për të arritur në një panoramë të poezisë shqipe aktuale, duke artikuluar, për pasojë, edhe një panoramë të kritikës së kësaj poezie.
Përbrenda artikulimeve kritike rreth trajtës, formës e domethënies së poezisë së kohës, tingëllojnë zërat kritikë, që në një pikë përbashkuese mëtojnë të shfaqin shenjat e një kanoni të ri poetik në kuadrin e letërsisë bashkëkohore shqipe.