ISMAJLI, Rexhep / PËR HISTORINË E GJUHËS SHQIPE
Redaktor Eqrem Basha, Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, SGJL, 2021, 515 f.: me harta, 17x25 cm. (Botime të veçanta CCII / Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Libri 77)
Tit. në faqen paral.: For the history of the albanian language. Shënime për autorin në pjesën palosëse të kopertinës. Bibliografia pas çdo kapitulli. Indeks.
KDU 811.18-112
ISBN 978-9951-26-035-0
COBISS.KS-ID 385985543

Libri i Rexhep Ismajlit “Per historinë e gjuhës shqipe” është vazhdim i studimeve diakronike të shqipes të shtruara në librin e vitit 2016, “Studime për shqipen dhe gjuhët e Ballkanit”. Tek ai libër, Rexhep Ismajlit trajton probleme të prejardhjes së shqipes, të prejardhjes së saj brenda familjes indo-europiane, të lidhjes së shqipes me gjuhët e lashta indo-europiane, të lidhjes së saj me gjuhët e Ballkanit dhe të kontakteve të saj me sllavishten e vjetër e të re, duke e shtrirë fushat kërkimore në historinë e gjuhës, filologji, gjuhësi krahasimtare dhe gjuhësi ballkanike. Libri “Për historinë e gjuhës shqipe” është sërish një kredhje në diakroni, duke i pasur në fokus tri momente të rëndësishme. Si pikë e parë, trajtuar nga autori është diskutimi i ndarjes dialektore të shqipes, duke e rrahur në rrafshin e gjuhësisë ballkanike, në ndjekje të ndryshoreve dialektore si pasqyrime të konteksteve historike përgjithësisht. Si pikë e dytë janë studimet albanistike përgjithësisht, me ç’rast autori ofron një lexim të thelluar dhe gjithëpërfshirës kritik të studimeve albanistike në gjuhë të ndryshme: në anglishten, në gjermanishten dhe në italishten, duke përfshirë edhe diskutimet e dy autorëve klasikë të traditës shqiptare. Si pikë e tretë janë tekstet e vjetra, me ç’rast kemi një diskutim shterues mbi Buzukun dhe një diskutim lidhur me zanoret hundore te Pjetër Bogdani.
Studimet diakronike hetojnë elemente të trashëguara në një gjuhë nga paragjuha e saj dhe kërkimin e formave të vjetra mbështetur në reflekset e krijuara ndërkohë; ndryshimet e krijuara në bazë të kontakteve gjuhësore brenda historisë; dhe ndryshimet gjuhësore të krijuara si rezultat i proceseve të brendshme të asaj gjuhe. Prandaj, problemet e diakronisë së shqipes, sidomos ato të rindërtimit, të prejardhjes së shqipes në mungesë të dokumenteve të hershme të shkruara, të faktimit të vështirë të kontakteve në kohë të hershme, janë fort të ndërlikuara për t’u zgjidhur në fushën e gjuhësisë. Derisa në librin e mëhershëm “Studime për shqipen dhe gjuhët e Ballkanit” (2016), Rexhep Ismajli diskuton çështjen e historisë së gjuhës shqipe, duke vënë fokusin kryesisht te prejardhja e saj, shpesh parë në raport me gjuhët e Ballkanit si gjuhë, me të cilat shqipja ka pasur kontakt të vazhdueshëm dhe të afërt, në këtë libër diskutimet shkojnë përtej prejardhjes së shqipes dhe shqyrtohen më shumë zhvillimet e saj dhe dinamikat e zhvillimeve të saj në diakroni – ndonëse ka një syth që diskuton përmbledhtazi edhe çështjen e prejardhjes…
Libri përfshin edhe një bibliografi të pasur dhe leximet kritike të një vargu autorësh që janë marrë me diakroninë e shqipes. Libri është shkruar me gjykime të ftohta dhe me gjuhë të rreptë shkencore. Konsiderojmë se nuk ekziston deri më sot asnjë studim më i plotë rreth dialekteve të shqipes, teksteve të vjetra sikur edhe asnjë analizë më përmbledhëse e studimeve albanistike në botë. Kjo e bën këtë libër referencë të ardhshme të pakapërcyeshme në studimet albanistike në rrafshin e diakronisë.

Anëtar korrespod. Bardh Rugova, anëtar.korrespod. Shkumbin Munishi