BERISHAJ, Anton Kolë / NË BOTËN E PËRBASHKËT: TRADITA, TRANZICIONI, ANOMIA
Redaktor Justina Shiroka-Pula, Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, SSHSH, 2021, 491 f., 17x25 cm. (Botime të veçanta CCV / Seksioni i Shkencave Shoqërore. Libri 68)
Tit. në faqen paral.: In the common world: tradition, transition, anomy. Shënime për autorin në pjesën palosëse të kopertinës. Bibliogr.: f. 481-491
KDU 316.7:32
ISBN 978-9951-26-040-4
COBISS.KS-ID 385986055

Libri ofron një përmbajtje që sjell mjaft risi në trajtimin e temave, metodologjisë së shtjellimit të problemeve dhe përdorimit të literatures. Në fokus është bota e përbashkët, si nocion i njohur për ne, por jo mjaft i trajtuar dhe zbardhur për shkencën. Sipas autorit, është një varg faktorësh objektivë dhe subjektivë që kanë ndikuar në strukturimin e brendshëm stratifikativ të kësaj bote të përbashkët. Karakteristikat e matshme të kierarkive të kristalizuara (herë të qendrueshme e herë më të brishta brenda saj), dalin si tregues dhe dëshmi të disbalancave nga më të ndryshmet (numerike, të fuqisë reale ushtarake, ekonomike apo të lidhjeve dhe përkrahjeve të aleatëve të fuqishëm nga jashtë).
Mirëpo, në esencë, pabarazia (jo vetëm numerike dhe e forcës reale fizike, por në qasje ndaj pushtetit si aparat i dhunës), është ajo që e ka përcjellë rrugëtimin e saj dhe gjasat që gjerat të ndryshojnë në këtë aspekt, janë ende të vogla. Analizat që synohen në këtë libër, si objektiv i zbardhjes së jetës brenda asaj bote do të vendosen brenda kornizës, jo vetëm metodologjike, por edhe historike, gjeografike, sociologjike, demografike, antropologjike, psikologjike etj.
Perspektiva historike nuk lë asnjë mëdyshje se ajo që i karakterizon raportet e ndërsjella në këtë botë të përbashkët ofron gjithçka tjetër përveç simbiozës, fqinjësisë së mirë dhe konstruktive. Dhuna, luftërat, pushtimet, nënshtrimet e robërimet, përçmimet, stigmat dhe paragjykimet e kanë dominuar skenën shoqërore në vazhdimësi. Në anën tjetër, krahas këtij realiteti të zymtë, nuk ka munguar lavdia, glorifikimi, mitizimi dhe krijimi i legjendave që kanë prodhuar përmbajtje inkurajuese, dinjitoze me premisa sakrale e mitologjike, që realisht inkurajojnë, por kur dalin krejt të pabazuara, ato edhe që dëshprojnë.
Vështruar nga perspektiva e sotme, kur, siç përsëritet shpesh sintagma e kthjellimit të mendjes së turbulluar nga falsifikimet e mitizimet, të qendrojmë me këmbë në tokë, ku nuk mungojnë vlerësimet kuturu e paushalle, hiperbolizimet apo përçmimet deri në poshtërim të figurave dhe ngjarjeve të caktuara historike, për kohën aktuale përjetohen si çlirim nga ideologjitë dhe mitet e tepruara. Mirëpo, pavarësisht faktit se nga perspektiva e sotme, mbase mund të tingëllojnë si të kota dhe të panevojshme, shikuar realisht, kemi të bëjmë me mekanizma, që duhet kuptuar brenda konteksteve të caktuara kohore dhe si të atillë kanë pasur rol shumë efikas e të nevojshëm për t’u mbrojtur nga stigmat, paragjykimet e poshtërimet, meqë kanë krijuar iluzione dhe ushqyer bindjen se integriteti moral e fizik, dinjiteti, qendrueshmëria, guximi dhe vlerat e popullit kanë ekzistuar, nuk kanë mjaftuar, por megjithatë janë ruajtur të pacënuara.
Është i habitshëm fakti se në “boten e përbashkët” së cilës i referohet autori në këtë libër, pikërisht janë ngjashmëritë ato që e dominojnë strukturën mentale të popujve hisenikë të saj, por jo aq nga ndikimi i ndërsjellë dhe këmbimet në krijimin e kulturave, apo nga fqinjësia simbiotike, rrugëtimi i përbashkët historik konstruktiv apo dashamirësia, por përkundrazi. Ato kryesisht janë krijesa që sajohen historikisht nga rivaliteti e urrejtja, nga pretendimet territoriale, animozitetet e përçarjet, konfliktet e armatosura, falsifikimet historike, paragjykimet etj., që jeta në atë botë u imponua nga raportet e forces dhe nga përkrahjet joparimore të Fuqive të Mëdha e jo nga dobësia e palës humbëse.

(Akademik Hivzi Islami, akademik Muhamedin Kullashi)