Lahuta e Malcís (1937) është kryevepra e Gjergj Fishtës dhe një kryevepër e letërsisë shqipe. Një vepër letrare klasike, prandaj dhe një vepër identitare. Lahuta e Malcís është epi i shqiptarëve, kulmi letrar i epikës shqipe. Lahuta e Malcís është vepër mësimi letrar e nacional, si vepër estetike dhe si mësim ideologjik për shqiptarët.
Këto cilësime janë rezultate të përqendruara të Kryevepra e Fishtës, libër që e interpreton në mënyrë sistematike Lahutën e Malcís, duke ndjekur ciklet ashtu siç janë strukturuar në botimin e plotë të saj, të vitit 1937. Në këtë mënyrë, ndjekja e metodës së strukturimit të cikleve të veçanta kthehet në metodë studimi të Lahutës së Malcís si një vepër e kryer.
Libri ka shtatë kapituj që i kushtohen Lahutë së Malcís, të titulluar I. Kryevepra e Fishtës, II. Flijimi, III. Mësimi, IV. Marash Uci, V. Lekët, VI. Tringa, VII. Kurora e veprës, dhe dy Addendum-e, i pari i titulluar Komentuesi i fundit, ndërsa i dyti Modeli letrar-kulturor, të cilët kërkimin e çojnë tek diskurset për Lahutën e Malcís dhe te modeli letrar, kulturor e religjioz i françeskanëve shqiptarë, më i njohuri ndër të cilët është Gjergj Fishta.
Kapitulli i parë i librit Kryevepra e Fishtës e përcakton Lahutën e Malcís si një kryevepër letrare të Fishtës e të letërsisë shqipe, me theksim të së rëndësishmes letrare e kulturore të veprës, trajton krijimin e veprës, gjininë letrare të saj, heronjtë, ngjarjet themelore, formatin kulturor e moral autentik, bashkë me mësimet themelore të saj.
Ndërsa kapitujt e tjerë, sipas radhës, ndjekin metodën e krijimit të Fishtës dhe këtë e kthejnë në metodë interpretimi të veprës. Para se të botohej e plotë, Lahuta e Malcís është shkruar e botuar në cikle, gjë që e ka përcaktuar strukturën dhe natyrën e veçantë të veprës, e dhënë që duhet ta ketë parasysh interpretuesi letrar për të kapur tendencën e autorit, si dhe natyrën e veçantë të epit të Fishtës. Në karakterizimet tona, Vranina është vendi dhe mësimi i flijimit për nderin. I tillë është edhe cikli për Tringën, heroinën që jep jetën për të mbrojtur nderin. Këngët e Lidhjes së Prizrenit hapin projeksionet ideologjike e politike të Fishtës që kurorëzohen në ciklin e fundit, kur poeti tashmë ka edhe provat e vetëdijes nacionale shqiptare të heronjve të tij. Ndërmjet shtrihen rrëfimet për betejat e ashpra, të cilat bëjnë bashkë heronj që mbrojnë nderin, heronj që mbrojnë tokën dhe heronj që mbrojnë vendin në kuptimin politik të termit.
Të gjithë kapitujt e librit Kryevepra e Fishtës së bashku hapin edhe një herë veprën e madhe letrare të Gjergj Fishtës, veprën e madhe të shqiptarizmës, kryeveprën letrare Lahuta e Malcis, mësimin e madh të saj, një mësim autentik që jepet me shembuj shqiptarë. A do t’i kuptojnë dhe a do t’i përsërisin edhe më tej shqiptarët shembujt e mëdhenj të nderit e të fisnikërisë? Kjo është çështja.
(Nga parathënia e autorit)