Parvjet, ne mbajtëm konferencën për prozën, vitin e kaluar për poezinë, gjithnjë për dy dhjetëvjetëshit e parë të shek. XXI. Dy konferencat përfunduan me sukses, për poezinë nga distanca. Por edhe për prozën, edhe për poezinë botuam dy libra, besoj të rëndësishëm. Kështu do të ndodhë edhe me këtë konferencë. Në një mënyrë e përmbyllim ciklin, edhe pse nuk është përfshirë një pjesë e letërsisë – drama, që besoj Akademia do ta ketë të radhës edhe atë.

Shpesh dëgjohet një konstatim, nga njerëz të ndryshëm të letërsisë, të arteve, që nuk ekziston, nuk kemi kritikë letrare. Qëndron apo nuk qëndron kjo?

Ne kemi kritikë, kritika që është shkencë, degë mbi letërsinë, bile kemi edhe degë të tjera, kemi botime nga teoria e letërsisë, nga teoritë letrare, kemi sprova për histori të letërsisë.

Mirëpo, nga kritika kemi botime, vëllime shumë të rëndësishme të natyrës monografike, lidhur me probleme të veçanta të letërsisë, për autorë të veçantë. Por, na mungon lloji i kritikës, ta themi, të ditës, gazetareske, siç i kemi quajtur dikund dikur, ndërsa kjo e studimeve monografike besoj që qëndron mirë. Kemi autorë, vëllime të rëndësishme në këtë drejtim. Që më kujtohet momentalisht një vëllim i tillë, një libër i tillë i Nysret Krasniqit, Letërsia e Kosovës, letërsia shqipe e Kosovës, që përfshin gjysmëshekullin e dytë të shekullit të kaluar, nga fillimi i viteve ’50 deri në fund të shekullit. Një vëllim shumë i rëndësishëm që përfshin rreth shtatëdhjetë autorë, me nga katërqind e sa libra, të trajtuar në mënyrë shumë origjinale, që të paktën unë s’e kam hasur dikund. Kështu që, çdo dhjetëvjetësh merr dhe shikon bilancin e çdo autori, çfarë ka bërë brenda një rrethi dhjetëvjeçar në përballje me vetveten, por edhe me të tjerët, mandej në përballje me rrjedhat, me krejt letërsinë. Një vëllim që punohet me vite, natyrisht është një nga vëllimet, për mua, shumë i rëndësishëm, por edhe shkollën e ka të rëndësishme nga ka ardhur.

Kritika e ditës, domethënë, mungon kritika si një mekanizëm që krijon balance mes vlerave. Në të vërtetë, botimet letrare i nënshtohen një komunikimi dhe një konkurrence të paafishuar. Kështu, brenda një tregu edhe më të pakënaqur, në këtë treg që thonë nuk ka kritikë, kam përshtypjen që janë pikërisht autorët e rëndësishëm. Autorë që kanë besim në vetvete dhe në këtë treg ku veprat e autorëve kërkojnë rrugë për tek lexuesi, për të cilin edhe janë krijuar. Në të vërtetë, ekziston një konfuzion, një konkurencë e padiferencuar mes vlerave dhe gjysmëvlerave, që kritika si një mekanizëm do të ndihmonte… (Akademik Ali Aliu)