Katalogu i Botimeve të Akademisë = Catalogue of Academy’s Editions : 1976-2021
/ përgatiti Justina Shiroka-Pula. - Prishtinë : Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2022. - 240 f. : ilustr. ; 22 cm. Shkenca dhe dituria Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës 1976-2021 -- Katalogë -- Kosovë 1. Shiroka-Pula, Justina
017:00(496.51)"1976/2021"(061)
ISBN 978-9951-26-055-8
Aleph [000102502]

RRETH VEPRIMTARISË BOTUESE TË ASHAK
(Parathënie e katalogut të botimeve)

Veprimtaria botuese, bashkë me projektet dhe konferencat shkencore, përbën njërën nga shtyllat themelore të punës së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK). Përgjatë dyzet e pesë viteve të ekzistencës së saj, Akademia është kthyer në botues kryesor të librit shkencor dhe artistik në Kosovë, me një përfshirje të gjerë të fushave dhe profileve, duke filluar nga albanologjia (gjuhësia dhe letërsia), pastaj historia, ekonomia, shkencat politike dhe juridike, shkencat sociale, filozofia, arkeologjia, gjeografia, demografia, shkencat teknike, matematika, biologjia, kimia etj. si dhe një sërë botimesh nga fusha e arteve pamore, katalogë dhe monografi, si dhe vepra autoriale të fushës së muzikës.
Deri më sot nga ASHAK janë botuar mbi 420 tituj veprash shkencore autoriale, monografi shkencore, përmbledhje studimesh, vepra të plota ose të zgjedhura të albanologëve botërorë (Jokli, Savicka, Joseph, Fiedler, Nahtigal, Gut, Savoia, Altimari, Hamp, Cimohovski, Pedersen etj.), veprat e plota të Idriz Ajetit, Gazmend Zajumit, të Selman Rizës dhe të Ali Podrimjës, veprat enciklopedike: monografia “Kosova” në shqip dhe anglisht dhe “Fjalori Enciklopedik i Kosovës” me rreth gjashtë mijë zëra dhe leksikoni “Vendbanimet e Kosovës” në tre vëllime.
Akademia që nga themelimi i saj ka botuar revista shkencore, të cilat, disa syresh vit për vit vazhdojë të botohen edhe sot. Në periudhën 1976-1990 është botuar revista “Acta biologiae et medicinae experimentalis” në 15 vëllime, ndërsa në vitin 1994 u themelua revista “Studime” , e botuar deri më tani në 27 numra (vëllime), në fillim me përfshirje të gjerë të të gjitha fushave të shkencave shoqërore dhe filologjike, për t’u kthyer së fundi në revistë ekskluzivisht për studime filologjike. Disa vjet më parë, u ndanë më vete revista “Studime shoqërore” e cila është botuar deri më tani në 8 numra (vëllime) dhe “Kërkime / Research”, që është botuar edhe në gjuhën angleze.
Në përgjithësi, veprimtaria e botuese e Akademisë ka ndjekur rrugën e njëjtë me zhvillimin e Akademisë, duke kaluar periudha të rënies dhe të ngritjes. Në periudhën 1975-1990, ASHAK ishte akademi provinciale e një krahine autonome në kuadër të ish-Jugosllavisë dhe veprimtaria e saj botuese kishte po këtë “radius” gjuhësor dhe shkencor: shumica e botimeve bëheshin në gjuhën serbokroate, me synim që shkenca kosovare të promovohej në hapësirën jugosllave. Ndërkaq, në periudhën 1990-1999, pas masave të dhunshme që u vendosen nga Serbia mbi të gjithë institucionet e Kosovës, ASHAK u përfshi në rrënimin institucional: iu ndërpre buxheti dhe më pas u nxor edhe nga godina e saj. Në një rrethanë të tillë, veprimtaria botuese e ASHAK u ndërpre për dy-tri vjet, për të nisur sërish me botime të pakta, duke u mbështetur kryesisht në vetëmbajtje dhe vetëfinancim, njësoj si institucionet e tjera të Kosovës.
Pas vitit 1999 u krijuan rrethana të reja për Akademinë dhe ajo, ndonëse ne mënyrë graduale dhe jo gjithnjë e mirëkuptuar nga administrata ndërkombëtare e UNMIK-ut, nga një akademi province kaloi me sukses sprovën e transformimit dhe të konsolidimit në institucionin shtetëror të Republikës së Kosovës, si institucion reprezentativ dhe më i lartë i shkencës dhe artit në vend. Këtë e konfirmuan edhe dy ligjet për Akademinë, pjesërisht ai i vitit 2004 i hartuar dhe i miratuar sipas legjislacionit të UNMIK-ut dhe ai i vitit 2015, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Në këto rrethana, veprimtaria botuese e ASHAK-ut u intensifikua ndjeshëm dhe Akademia mori gradualisht atributet e botuesit kryesor të veprave shkencore në Kosovë. Kështu, që në vitin 2000, përveç që rinisi botimi i revistave shkencore, dolën edhe katër botime të veçanta, një për Nënë Terezën, për 100-vjetorin e Naim Frashërit, pastaj “Fiziologjia krahasuese” e D. Rozhajës dhe monografia për piktorin M. Mulliqi, për të vazhduar më 2001 me botimin e veprave të S. Rizës, I. Ajetit, E. Gjerqekut, R. Dhomit, Z. Ballatës dhe R. Ferrit. Një vit më vonë vazhdon botimi i serisë së veprave të albanologëve Riza dhe Ajeti, për të parë dritën e botimit edhe vepra studimore të N. Dacit, M. Dushit, R. Dhomit etj., ndërkaq më 2003 botohet vepra e albanologut Pedersen, G. Zajmit dhe veprat monografike të M. Berishës dhe S. Hamitit. Një vit më vonë botohen veprat e B. Bokshit, E. Berishës dhe P. Nushit, teksa vazhdohet me serinë e veprave të G. Zajmit dhe S. Rizës, si dhe të veprave të albanologëve të huaj Cimohovski,  Pedersen dhe Fidler. Më 2005 veprimtaria botuese e ASHAK-ut u intensifikua ndjeshëm: u botuan veprat e A. Aliut, B. Bokshit, R. Ismjalit, S. Hamitit, H. Islamit, M. Kullashit, E. Stavilecit, M. Krasniqit, J. Rexhepagiqit, M. Dushit e L. Susurit, R. Dhomit dhe T. Emrës, pastaj fjalori i informatikës nga Caka, Dika dhe Rodiqi dhe dolën disa botime kolektive nga konferenca shkencore, ose si ndërmarrje të veçanta botuese. Në vitin 2006 u botua kolona me poezi të zgjedhura të poetëve-akademikë: E. Mekuli, E. Gjerqeku, B. Bokshi, A. Podrimja, E. Basha dhe S. Hamiti, pastaj studimi monografik për banesën qytetare të Kosovës të E. Rizës dhe Nj. Halitit, si dhe tri vepra të fushës filologjike: Poezitë e Pjetër Budit nga R. Ismajli, monografia për Gjon Nikollë Kazazin, bashkë me botimin kritik të “Doktrinës…” të B. Demirajt dhe veprën e Darës së Ri nga Sh. Demiraj. Po atë vit, bashkë me Muzeun e Kosovës, u botua edhe “Harta arkeologjike e Kosovës”, ndërsa një vit më vonë (2007), në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Sllovenisë, botohet vepra albanologjike e F. Mikloshiqit, pastaj përmbledhja e studimeve të E. P. Hamp dhe një monografi tjetër studimore e W. Fidlerit. Viti 2008 shënohet me botimin e veprës së CH. Gut-it për Vaso Pashën, si dhe me veprat origjinale të H. Islamit, J. Rexhepagiqit, M. Kullashit, P. Nushit, E. Stavilecit dhe E. Murtezait. Po atë vit botohet edhe një përzgjedhje e gjerë e shkrimeve politiko-sociologjike të F. Aganit.
Për shkak të kufizimeve të ndryshme, ndonjëherë edhe buxhetore, në vitet vijuese në veprimtarinë botuese të Akademisë shënohen oscilime më shumë ose më pak të vërejtura. Megjithatë, kujdes i vazhdueshëm u është kushtuar veprave origjinale, nga të cilët në vitin 2009 bien në sy dy vëllimet e veprës së M. Dushit për pasuritë minerale të Kosovës, pastaj studimet monografike të M. Dushit, E. Gashit, S. Hamitit, R. Ismjalit, L. Perzhitës dhe vëllimi 5 i veprave të S. Rizës. Në këtë kuadër, viti 2010 shënon një rritje të numrit të botimeve të autorëve akademikë: botohen veprat muzikore të Z. Ballatës dhe R. Dhomit, pastaj studimet monografike të M. Berishës (nga fusha e matematikës), të B. Bokshit (gjuhësi), F. Krasniqit (shkencat teknike), P. Nushit (fjalori i psikanalizës), E. Stavileci (fjalor i admnistratës), monografia e G. Qendros për R. Ferrin, si dhe kumtesat e tri konferencave shkencore: për studimet diakronike të shqipes, për historinë e letërsisë, si dhe për menaxhimin në sistemin shëndetësor.
Në vitin 2011 Akademia boton vetëm dy vepra origjinale: studimet etnografike të M. Krasniqit dhe Sh. Siqecës, por po atë vit fillon botimi i veprës së plotë të albanologut të shquar austriak, N. Joklit, përfshirë këtu edhe monografinë “Kosova”. Ndërkaq, në vitin vijues (2012) numri i botimeve të veprave origjinale shtohet ndjeshëm: A. Aliu, Z. Ballata, M. Dushi, R. Ferri, H. Islami, M. Kullashi, L. Susuri, përfshirë këtu edhe fjalorin e termave të botanikës dhe kumtesat e dy konferencave shkencore, njëra për shtetndërtimin e Kosovës dhe tjetra për raportet e shqipes me gjuhët e Ballkanit. Viti 2013 gjithashtu shënohet nga disa botime të rëndësishme, siç janë monografia “Kosova” në gjuhën angleze dhe vepra e plotë e A. Podrimjës në 10 vëllime, pastaj monografia e K. Buzës për T. Emrën, si dhe botimet autoriale të R. Dhomit, A. Ejupit, V. Nuhiut dhe E. Stavilecit.
Një ngritje të ndjeshme të numrit të botimeve shënojnë vitet në vazhdim, duke filluar nga viti 2014, kur u botuan 22 tituj të veprave të ndryshme shkencore dhe artistike të autorëve: F. Altimari, A. Bajrami, Z. Ballata, A. K. Berishaj, B. Bokshi, N. Daci-M. Daci-Ajvazi, T. Emra, Q. Haxhibeqiri, F. Krasniqi, P. Nushi, J. Osmani-R. Manaj, E. Shukriu dhe S. Varvarica-Kukaj. Përfshirje të disa fushave të shkencës dhe të arteve kishte edhe në botimet e vitit 2015, nga shkencat teknike e deri tek artet pamore dhe muzika, nga gjuhësia deri te filozofia dhe demografia, me autorët si M. Dushi, R. Dhomi, R. Ferri, S. Gashi, H. Islami-A. Ejupi, R. Ismajli, R. Nahtigal, E. Murtezai, R. Pllana, L. Savoja dhe Xh. Xhafa. Prani më të madhe të autorëve nga shkencat shoqërore kishte në botimet e vitit 2016, ku përfshihen autorë si: A. Berishaj, Sh. Krasniqi, M. Kullashi, B. Latifi, M. Mufaku dhe E. Shukriu, pa lënë mënjanë as autorët e nga artet si R. Ferri e L. Mulliqi, ose botimet e përbashkëta nga fushat e ekonomisë dhe të albanologjisë.
Dy botime me vepra të zgjedhura u bënë në vitin 2017, nga fusha e gjuhësisë, të I. Ajetit dhe Sh. Demirajt, si dhe përmbledhja e studimeve krahasuese për gjuhën shqipe të N. Joklit, për të vazhduar pastaj me vepra nga fusha e gjeografisë, të xehetarisë, të kimisë, të trashëgimisë kulturore, të arteve pamore etj. me autorë V. Bytyçi, M. Dushi, R. Ferri, S. Gashi, I. Krasniqi-F. Prebreza dhe E. Riza. Një vit më vonë, më 2018, numri i botimeve shkencore dhe artistike të Akademisë rritet në 22 tituj, ku shquhen botimet enciklopedike (“Fjalori enciklopedik i Kosovës” I dhe II dhe leksikoni “Vendbanimet e Kosovës” I), pastaj monografitë për T. Emrën dhe M. Mulliqin, veprat e albanologëve N. Jokli, W. Fidler dhe I. Savicka, veprat autoriale të N. Dacit, R. Dhomit dhe S. Hmitit, si dhe përmbledhjet e punimeve nga konferencat shkencore për ekonominë, arsimin, për 100-vjetorin e I. Ajetit dhe për studimet albanologjike në vendet ku flitet gjermanisht.
Po ky trend i numrit në rritje të botimeve shkencore dhe artistike të Akademisë u mbajt edhe në vitet vijuese. Më 2019 u botuan tregimet e zgjedhura të prozatorëve akademikë: A. Pashku, E. Basha, Z. Rrahmani dhe M. Kraja, pastaj veprat autoriale të A. Bajramit, Q. Haxhibeqirit, R. Ismajlit, B. Rugovës dhe K. Shalës, si dhe punimet e konferencave shkencore nga fusha e ekonomisë, të letërsisë, të teatrit, pastaj kumtesat nga konferencat për 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për materialet kompozite, për shtetndërtimin dhe për sistemin e arsimit dhe tregun e punës. Po këtë vit u botua vëllimi II i leksikonit “Vendbanimet e Kosovës”, ndërsa në vitin vijues, 2020, u botua edhe vëllimi III, dhe i fundit, i këtij leksikoni.  Më 2020 u botua edhe një leksikon edhe nga fusha e gjuhësisë, nga sociolinguistika (R. Ismajli, B. Rugova dhe Sh. Munishi), teksa këtë vit shquhen botimet shkencore nga fusha e studimeve filologjike (A. Aliu, J. D. Brian dhe K. Shala), pastaj nga fusha e ekonomisë (J. Sh. Pula), nga dramaturgjia (M. Kullashi), nga shkencat teknike (F. Krasniqi-R. Selimaj) si dy botime të veçanta, njëri për dialogun Kosovë-Serbi (dokumente) dhe tjetri për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë. Po këtë vit u botua edhe përmbledhja e punimeve të konferencës shkencore për studimet albanologjike në Itali, organizuar një vit më parë nga ASHAK.
Ndërkaq, viti 2021 shënon numrin rekord të veprave të botuara nga Akademia, 25 libra, që kapin një vëllim prej afro 10 mijë faqesh. U botuan vepra shkencore nga historia (J. Bajraktari-F. Demaj-T.Kurti, dokumente gjermane në dy vëllime për Luftën e Dytë Botërore dhe nga F. Demaj, dokumente britanike për perudhën 1912-18), nga fusha e shkencave juridike (A. Bajrami), sociologjike (A. K. Berishaj), demografike (H. Islami), albanologjike (R. Ismajli), politikologjike (M. Kullashi, A. Vukpalaj) dhe ekonomike (J. Sh. Pula), nga studimet letrare (S. Hamiti) dhe shkencat teknike (M. Limani-M. Ibrani-Z.Limani-H. Maloku),  ndërsa nga fusha e arteve u botua monografitë e piktorëve Xh. Xhafa (S. Varvarica) dhe R. Ferri (G. Qendro), si dhe veprat për piano të R. Dhomit. Po këtë vit u bënë edhe disa botime të veçanta, si mendimi këshillimor për Kosovën i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pastaj një raport kërkimor nga fusha e ekonomisë, platforma e Akademisë për arsimin dhe punimet e konferencës shkencore për poezinë shqipe të fillimit të shekullit XXI.
Përveç formave tradicionale të shpërndarjes nëpër librari, panaire dhe mënyrave të tjera të qarkullimit, libri akademik së fundi është shpërndarë nëpër të gjitha bibliotekat rajonale të Kosovës, si dhe nëpër bibliotekat e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës dhe në bibliotekat e universiteteve lokale të Kosovës. Ndërkohë, Biblioteka e Akademisë po bën përgatitje intensive që të specializohet si bibliotekë e botimeve për Kosovën në gjuhë të ndryshme të botës.

M. Kraja

Loader Loading...
EAD Logo Taking too long?

Reload Reload document
| Open Open in new tab

Shkarko [2.84 MB]