U botua libri studimor “Kanoni – Ese për letërsinë shqipe” (2025) i Akademik Sabri Hamitit.

Libri “Kanoni – Ese për letërsinë shqipe” është studim i poetikës historike shqipe nga e cila rrjedh e distilohet kanoni letrar si monument kulturor e identitar nacional.

Libri përbëhet nga më se 30 studime për letërsinë shqipe, të konceptuara si 30 vepra me strukturë monografike për fenomene, autorë dhe vepra letrare.

Libri studimor “Kanoni – Ese për letërsinë shqipe” i Akademik Sabri Hamitit është i strukturuar në katër kapituj: Dorëshkrimi, Idioma, Persona et ars dhe Post scriptum.

Kapitulli I. Dorëshkrimi dëpërton në analizë substanciale për fatalitetet në historinë e letërsisë shqipe, ku studiohet dorëshkrimi si krizë krijimtare, dorëshkrimi i humbur, dorëshkrimi i fshehur, dorëshkrimi i gjetur, dorëshkrimi i pabotuar, dorëshkrimi i censuruar etj., me qëllimin e rikrijimit të hartës së munguar estetike letrare shqipe. Rishqyrtohen e studiohen autorët: Marin Barleti, Anton Santori, Lazër Tusha, Andon Zako Çajupi, Zef Skiroi, Mitrush Kuteli, Kasëm Trebeshina, Mehmet Myftiu, Zef Zorba. Janë nëntë autorë, nëntë zhanre letrare, nëntë situata censure-harrese, nëntë kriza krijimtare, të cilat nuk janë shndërruar në traditë letrare apo nuk janë njohur deri më tani e të cilat Akademik Sabri Hamiti i rilidh në tërësinë e Kanonit Letrar Shqiptar.

Kapitulli II. Idioma ka gjashtë studime-monografi: Poeta naturae, Kanoni letrar fetar, Poezia e gjuhës shqipe, Disidenca letrare, Kanuni dhe Kanoni dhe Britannica/Albanica, në të cilat letërsia shqipe analizohet nën prizmat e raportit të saj me natyrën, religjionin, gjuhën e kanunin si idiomë etno-nacionale e që shndërrohet në estetikë kanonike shqipe.

Veçohet studimi Disidenca letrare, në të cilin Akademik Sabri Hamiti i analizon format e disidencës letrare: censura, autocensura, distanca, refuzimi, letërsia e burgut e deri te vrasjet e autorëve letrarë si Lazër Shantoja, Trifon Gjagjika, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Jusuf Gërvalla e Havzi Nela.

Kapitulli III. Persona et ars është blloku tematik i monografive autoriale të poetikës historike me autorët Marin Barleti, Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta, Zef Pllumi, Ismail Kadare, Anton Pashku, Zejnullah Rrahmani dhe Ali Aliu.

Kapitulli IV: Post Scriptum përbëhet nga tekste të lidhura auto-referenciale, të cilat e dritësojnë poetikën krijuese dhe sistematikën studimore të Akademik Sabri Hamitit.

Vepra studimore “Kanoni – Ese për letërsinë shqipe” e Akademik Sabri Hamitit u botua nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë së ASHAK-ut dhe ka 421 faqe.