Libri “Institucionalizimi i Republikës së Kosovës në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992” është përmbledhje kumtesash dhe referatesh të pre4zantuara në simpoziumin shkencor të mbajtur në maj të vitit 2022 në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale janë padyshim një sprovë dhe test i veçantë për shkallën e demokratizimit të marrëdhënieve politike e shoqërore të secilit vend, bile edhe të atyre me demokraci të konsoliduar dhe me traditë të gjatë në jetën plurale politike.
Ndërkaq, në rrethanat tejet të ndërlikuara të një vendi shumë­kombësh me kontradikta të thella politike e shoqërore, por me një propagandë të sofistikuar të sistemit monist, i cili kishte aureolën e një liberalizmi të kamufluar në rrethanat e ish-Jugosllavisë paraqet një rëndësi të dyfishtë. Ky fakt dukej si një vështirësi e pakalueshme, shumëfish më e ndërlikuar në kraha­simin e Kosovës me vendet e tjera të atyre viteve, qoftë brenda sistemit jugosllav, apo në krahasim me viset e tjera të shteteve të ish-bllokut socialist në Evropë.
Pra, Kosova ishte vërtet një rast sui generis, i pashoq në marrëdhëniet ndërkombëtare të viteve ‘90 të shek. XX.
Në këtë përmbledhje punimesh është bërë përpjekje që mbi bazën e burimeve historike të proviniencave të ndryshme të analizohet rëndësia e zgjedhjeve të vitit 1992, të përcaktohet vlera e tyre politike si përpjekje ekzistenciale të një populli që luftonte për liri dhe pavarësi dhe që ishte i shtypur padrejtësisht, siç ishte Kosova. (…)