HENDEKU I SHKATHTËSIVE DHE ZHVILLIMI I NVM-VE NË KOSOVË: analizë empirike: raport kërkimor
Autorët: I. Mustafa, J. Shiroka-Pula, H. Islami, A. K. Berishaj, B. Krasniqi, L. Pula, M. Aliu. Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, SSHSH, 2021, 46 f., me il., 23x28 cm
SKILLS GAP AND SME DEVELOPMENT IN KOSOVO: An empirical analysis: Research report
Authors: I. Mustafa, J. Shiroka-Pula, H. Islami, A. K. Berishaj, B. Krasniqi, L. Pula, M. Aliu. Prishtinë, Kosova Academy of Sciences and Arts, SSHSH, 2021, 46 f., with ill., 23x28 cm.
Bibliogr.: f. 43-44
KDU 658(496.51)
ISBN 978-9951-26-050-3
COBISS.KS-ID 386911495

Aftësia konkurruese e sektorit privat është një gur themeli i zhvillimit ekonomik në një ekonomi tregu. Kompanitë private luajnë një rol thelbësor në punësim, të ardhurat dhe ndryshimet shoqërore, veçanërisht në ekonomitë në tranzicion. Disponueshmëria e një fuqie punëtore të kualifikuar përbën një sfidë për zgjerimin dhe rritjen e sektorit privat, si në tregjet vendore dhe në ato ndërkombëtare. Globalisht, 69 për qind e punëdhënësve thonë se kanë vështirësi në plotësimin e vendeve të lira për shkak të mungesës së aplikantëve të kualifikuar (Manpower Group Survey, 2021).
Bashkimi Evropian (BE), në dokumente dhe raporte të ndryshme strategjike, thekson rolin e kapitalit njerëzor në ndërtimin e një ekonomie të bazuar në dije. Për shembull, Strategjia e BE-së 2020 për Punësimin dhe Rritjen Ekonomike fokusohet në rolin e burimeve njerëzore në rritjen ekonomike. Në Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, Kombet e Bashkuara theksojnë nevojën për përdorimin e burimeve njerëzore në mënyrën e duhur për zhvillimin ekonomik. Edhe Kosova nuk bën përjashtim. Cilësia e arsimit së bashku me ndryshimet strukturore dhe politike të ekonomisë paraqesin një sfidë tjetër për kompanitë private në Kosovë që të përmbushin potencialin e tyre të rritjes.
Për më tepër, për shkak të kushteve të veçanta politike, vendi është përballur me sfida dhe kushte institucionale që ndikojnë në zhvillimin e sektorit privat dhe në sistemin arsimor. Studimi i Bankës Botërore (2017) për Kosovën raporton se firmat private në Kosovë kanë probleme në gjetjen e fuqisë punëtore adekuate për shkak të mungesës së përvojës dhe shkathtësive. Rrjedhimisht, kjo ngre nevojën për ta hulumtuar hendekun e shkathtësive dhe kualifikimeve për të bërë projeksione për përgatitjen e fuqisë punëtore në përputhje me nevojat në rritje të sektorit privat.
Ky studim ka të bëjë me natyrën dhe shkallën në të cilën kompanitë private përjetojnë sfida në qasjen ndaj fuqisë punëtore të kualifikuar dhe përshkruan nevojat e ardhshme të biznesit për profesionet dhe vendet e punës. Qëllimi i këtij raporti hulumtues është të ofrojë njohuri të reja për hendekun e shkathtësive profesionale në Kosovë. Duke pasur parasysh rëndësinë e kapitalit njerëzor në konkurrencën e sektorit privat në Kosovë, ky projekt hulumtues synon të ofrojë një pasqyrë të gjerë të zhvillimit të burimeve njerëzore dhe ndikimin e tij në performancën e bizneseve në Kosovë. Mospërputhja e shkathtësive dhe kualifikimeve në Kosovë është një nga sfidat për ndërmarrjet private në Kosovë, edhe pse ka një shkallë të lartë të papunësisë. Ky hulumtim synon të ofrojë njohuri të reja rreth nevojave për shkathtësi dhe kualifikime në tregun e punës në Kosovë.
Për më tepër, studimi synon të informojë një audiencë të gjerë: politikëbërësit, institucionet arsimore, punonjësit aktualë dhe potencialë, punëdhënësit dhe të nxjerrë mësime për politikëbërësit për të adresuar në mënyrë efektive hendekun e shkathtësive në tregun e punës në Kosovë. Studimi është shumëdimensional dhe merr në konsideratë strukturën e bizneseve, madhësinë e tyre, sektorët dhe planet e tyre të rritjes, duke përfshirë kërkesën e ardhshme për vende pune. Për më tepër, në këtë studim përdoret analiza empirike, e cila përmes modelit ekonometrik mbështet gjetjet e bazuara që ndihmojnë punëdhënësit në identifikimin e hendeqeve të shkathtësive. Ky raport do të shërbejë si bazë për vendimmarrje të bazuar në prova empirike për politikëbërësit, punëdhënësit dhe ata që hyjnë në tregun e punës, sepse trajtimi i çështjes së hendekut të shkathtësive kërkon një qasje shumëdimensionale dhe përfshirjen e shumë aktorëve.

(Nga parathënia e botimit)