Është botim i përbashkët i dy autorëve, të cilët, siç thuhet në parathënie, kanë punuar më shumë se një dekadë, “duke mbledhur, sistemuar dhe studiuar, materiale dhe literaturë që lidhen me gjopolitikat, politikat kolonialiste serbe, konflikteve territoriale dhe luftërat, veçanërisht në rajonin e Ballkanit dhe në hapësirat ku dominojnë shqiptarët”. Në fillim të librit shqyrtohet definimi dhe zhvillimi i gjeopolitikës si disiplinë shkencore, si dhe roli dhe pozita e saj në kuadër të sistemit të dijes dhe shkencës, për t’ua lënë vendin më pas temave me interes për studimet e kësaj fushe, siç janë: projektet e para hegjemoniste serbe; aspiratat shekullore serbe për dalje në det; gjeopolitika dhe politika e spastrimeve etnike deri në Luftën e Dytë Botërore; politika kolonialiste dhe kolonizuese serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në pjesën e dytë të shekullit XX; Ballkani si “fuçi baruti” dhe paaftësia e kontinentit të vjetër për zgjidhjen e problemeve të rajonit; migrimet e jashtme: kompleksi gjeohapsësinor dhe gjeopolitik; e vërteta rreth “frontit të jugut”, Kosova në rrjedhat gjeopolitike dhe gjeopopulative (aspekti etnik dhe historik); demopolitika dhe gjeopolitika; gjeopolitika, gjeohapësira, kufijtë dhe konfliktet: nocione dhe shembuj; problemet e kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi; gjetjet nga matjet e territorit të Republikës së Kosovës; shkëmbimi i territoreve dhe i popullatave: rasti i Kosovës dhe i Serbisë; uji si burim i konflikteve dhe problemeve gjeopolitike; regjionet ndërkufitare: bashkëpunimi, përparësitë dhe problemet gjeopolitike; si dhe një shtojcë më vete, në të cilën janë përmbledhur disa tekste-dokumente me interes për studimin e çështjeve që lidhen me raportet e Kosovës me Serbinë.