KULLASHI, Muhamedin / ÇËSHTJA E KOSOVËS NË HAPËSIRËN PUBLIKE TË FRANCËS: analiza dhe refleksione
Redaktor Justina Shiroka-Pula, Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, SSHSH, 2021, 261 f., 17x25 cm. (Botime të veçanta CCVIII / Seksioni i Shkencave Shoqërore. Libri 69)
Tit. në faqen paral.: The issue of Kosova in the public space of France. Shënime për autorin në pjesën palosëse të kopertinës. Bibliogr.: f. 253-260.
KDU 323.1(496.51:44)
821.18-92
ISBN 978-9951-26-043-5
COBISS.KS-ID 386434055

Libri i Muhamedin Kullashit “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës” përmban analizat, studimet dhe debatet mbi çështjen e Kosovës në hapësirën publike të Francës, në nivele të ndryshme të opinionit publik: në revista shkencore, në konferenca shkencore, në media, në qarqet shtetërore e politike, në Parlament dhe në Senat e njëherësh në mjedise të ndryshme të shoqërisë civile franceze. Periudha e studimit kapë ngjarjet midis viteve 1991-2001, ndërsa autori i botimit vetë është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i analizave dhe debateve në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në pasqyrimin e të vërtetës për Kosovën dhe shqiptarët në opinionin publik francez.
Koncepti i hapësirës publike me të cilin operon autori këtu është koncept i filozofisë politike (i Habermasit dhe Arendt në radhë të parë), i frymëzuar nga disa analiza të Kantit. Hapësira publike kuptohet si hapësirë e formimit të opinionit dhe vullnetit politik e jo si skenë e paraqitjes së një publiku të spektatorëve pasivë. Theksi në shqyrtimet e autorit në veçanti te ndërveprimet midis niveleve të ndryshme të shoqërisë ku trajtohet çështja e Kosovës dhe konfrontimit publik të argumenteve që shpiejnë te vendimet e rëndësishme politike të Qeverisë dhe Presidencës franceze.
Brenda këtyre debateve publike në Francë autori vë në pah praninë e ndikimeve brenda intepretimeve politike e historiografike të cilësuara me qasje të theksuara proserbe: kjo vlen sa për kërkimet dhe botimet shkencore mbi Kosovën po aq edhe per ato politike, në nivele të ndryshme. Midis këtyre interpretimeve shquhen, veç tjerave, pikëpamje e paradigma mbi Kosovën si “djep i serbizimit”, të shoqëruara me një varg paragjykimesh mbi shqiptarët, mbi historinë dhe kulturën e tyre.
Depërtimin e disa elementëve të situatës në Kosovë brenda hapësirës publike të Francës M. Kullashi e trajton brenda shqyrtimeve dhe debateve që u zhvilluan në disa konferenca shkencore ndërkombëtare të cilat janë mbajtur në Francë. Së këndejmi, në konferencën me titull “Republika, Evropa dhe Univerzalja” në vitin 1991, morën pjesë filozofë, sociologë e politologë, por edhe disa ministra nga Franca dhe disa vende të tjera. Përballë këtij auditori autori në kumtesën e vet ka theksuar që në fillim se ajo që po ndodh në ish-Jugosllavi, shpërthimi i luftimeve të armatosura, përbën një sfidim për Europën. Autori ka vë në dukje se si lëvizja populiste-nacionaliste serbe i ka futur në dorë gradualisht dhe duke instrumentalizuar disa probleme në Kosovë, me ndërmjetësimin e Partisë komuniste institucionet e Sërbisë dhe ato federative, sidomos policinë dhe armatën federative (JNA), të cilat i vuri në shërbim të konceptit të vet të ristrukturimit të Jugosllavisë. Ai ka saktësuar se merita kryesore për elaborimin e programit ultranacionalist i takon megjithatë intelektualëve serbë, para së gjithash Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Sërbisë (SANU) dhe Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë.
Autori analizon dhe zbërthen debatet në dy konferenca të tjera shkencore që janë mbajtur në gjysmën e parë të vitit 1992 në Paris, në Ecole des Haides Etudes en Sciences Sociales dhe në Ecole Normale Supërieure. Në këto konferenca kanë marrë pjesë profesorë nga Parisi, por edhe nga Beogradi, Zagrebi, Sarajeva dhe Prishtina. Janë trajtuar shkaqet dhe rrjedhat e luftërave në Kroaci dhe Bosnje. Në këtë pjesë të dorëshkrimit autori vë në dukje edhe rëndësinë e themelimit të Komitetit të Kosovës në Paris pranë revistës presitigjioze për shkencat shoqërore “Esprit”. Rëndësia e këtij Komiteti shpjegohet sa me peshën intelektuale e morale të filozofëve e sociologëve francezë (Claude Lefort, Edgar Morin, Pierre Hasner, Olivier Mongin, Andre Glukcsmann, Alain Finikelkraut etj.) aq edhe me veprimtarinë e tyre të shumfishtë gjatë më se një dekade në Francë. Autori thekson se shpërthimi i luftës në Bosnje do të krijojë një hapësirë edhe për çështjen e Kosovës. Disa intelektualë dhe veprimtarë të drejtave të njeriut në Francë që zunë të interesohen për shkaqet e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, hetuan se nisma e kësaj shpërbërjeje kishte filluar në fillim të viteve të 80-ta në Kosovë…

(Akademik Hivzi Islami, akademik Anton Berishaj)