Libri “Ekonomia në Hije: Trajtim teorik dhe empirik” trajton një dukuri ekonomike të pranishme në të gjitha vendet e botes, pak a shumë, por me dimension shqetësues në vendet me shtet ligjor të brishtë, me institucione ende fragjile dhe ngecje në zhvillimin demokratik dhe ekonomik. Si e tillë kjo dukuri zgjon kërshërinë e shumë hulumtuesve vendorë dhe ndërkombëtarë. Për shkak të implikimeve të kësaj ekonomie në të ardhurat buxhetore të shtetit, ndikimeve të saj negative në konkurrencën e drejtë dhe të barabartë në treg, ndikimit në aktivitetin investues, ky fenomen është një nga prioritetet kryesore edhe për politikëbërësit.
Vëmendja dhe interesimi shkencor i shtuar për ekonominë në hije ndërlidhet drejtpërsëdrejti edhe me ndikimin e saj të gjërë në marrëdhëniet ekonomike dhe në jetën ekonomike në përgjithësi. Përkufizimi i drejtë i ekonomisë në hije nxjerr në pah efektet e saj reale zhvillimore, ndikimin në treguesit e rritjes ekonomike, efektet sociale dhe politike në punësim dhe sigurinë në punë, në produktivitet, që ndërlidhet shpesh me mangësi institucionale, me struktura dhe politika jo inkluzive qeverisëse. (…)
Pra, mund të themi se autorët i sjellin lexuesit një libër i cili i ka munguar studiuesve dhe politikëbërësve në gjuhën shqipe. Libri prezanton një diskutim shumë relevant teorik lidhur me përkufizimet, metodat e matjes dhe implikimet e ekonomisë nën hije. Ky tekst pasqyron, për herë të parë në Kosovë dhe në gjuhën shqipe, një hulumtim relevant empirik, i cili rezulton në konstruktimin e indeksit të ekonomisë në hije dhe matjen e tij në Kosovë. Kjo i shton vlerën e librit në aplikimin praktik të teorive ekonomike. Trajtimi teorik dhe empirik i ekonomisë në hije e bën të veçantë këtë libër, duke dhënë kontribut në përgjigjet që janë në diskutim e sipër lidhur me shumë çështje fondamentale që lidhen me shkaqet dhe efektet e ekonomisë në hije si dhe politikat që duhet përdorur qeveritë për të adresuar atë dhe format e tjera të informalitetit. (Akademik Hivzi Islami, prof. dr. Muhamet Mustafa)