ISLAMI, Hivzi / DEMOGRAFIA E KOSOVËS: evolucioni i popullsisë, migrimet, gjeopolitikat ekspansioniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve
Redaktor Justina Shiroka-Pula, Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, SSHSH, 2021, 898 f., me il., me harta, 17x25 cm. (Botime të veçanata CXCIX / Seksioni i Shkencave Shoqërore. Libri 65)
Tit. në faqen paral.: Demography of Kosovo: the evolution of population, migrations, serbian expansionist geopolitics and the ethnic cleansing of albanians. Shënime për autorin në pjesën palosëse të kopertinës. Bibliogr.: f. 865-885. Indeks.
KDU 314(496.51)
323.1(496.51)
ISBN 978-9951-26-031-2
COBISS.KS-ID 385090311

Libri, edhe pse në shikim të parë, për shkak të kopleksitetit të problematikës që shqyrtohet, krijon përshtypjen e një ndërmarrjeje ambicioze edhe për punë ekipore, me sukses të jashtëzakonshëm arrin të finalizojë këtë studim me shumë vlerë për shkencën, aktualitetin shoqëror, demografik, politik, ekonomik dhe sociokulturor të Kosovës. Në dorëshkrim që i kushtohet demografisë së Kosovë, autori me një aparaturë shkencore moderne, qasje profesionale e të bazuar në burimet më relevante të kohës dhe fushës, përthekon komponentet substanciale të demografisë së Kosovës. Migrimet, që si dukuri planetare e godisin Kosovën shumë më herët, por konteksti i klimës politike dhe shoqërore të cilin autori e bën objekt të analizës, lidhet me gjeopolitikën ekspansioniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve.
Me këtë komizim ideor të projektit, autori realisht sfidohet për një qasje të kompletuar të fenomeneve që shkojnë përtej terrenit demografik të pasqyruar në shifra dhe tabela. Hyrja në analizën e faktorëve politikë, ekonomikë dhe sociokulturorë, analizat dhe interpretimet e rrethanave që krijohen nën trysninë e këtyre faktorëve, ofrojnë një pasqyrim jo vetëm të kompletuar, por edhe relativisht të ri në fushën e rrjedhave demografike në rajon.
…Nën pretekstin e rrezikimit të hapësirës serbo-jugosllave dhe prosperitetit gjeodemografik kombëtar, politik dhe ekonomik të sllavëve të jugut, Serbia dhe ish-Jugosllavia jo vetëm që nisën haptazi t’i numërojnë shqiptarët dhe ta shndërrojnë shqiptarofobinë në mekanizëm të frikësimit në të gjitha rajonet dhe shtresat shoqërore të popujve jugosllavë, por me të gjitha isntitucionet u angazhaun për mposhtjen e epërsisë numerike dhe reproduktive të shqiptarëve, për vënien e një baraspeshe etnike nëpërmjet kolonizimit serb dhe dëbimit të shqiptarëve nga hapësirat ku ata jetonin…
Autori pohon se në hartimin e këtij projekti janë shfrytëzuar të dhënat e regjistrimeve të popullsisë së dy ish-shteteve të shek. XX dhe statistikat vitale zyrtare pas Luftës së Il-të Botërore, si dhe të dhënat e regjistrimit të popullsisë së Kosovës të vitit 2011, si shtet i ri, por edhe ato të vitit 2004 së bashku me të dhënat e tjera vijuese demografike për sektorët për të cilët ekzistojnë ato me të gjitha kufizimet. Po ashtu, janë shfrytëzuar edhe të dhënat dhe faktet shkencore nga studimet e autorëve të ndryshëm për problemet demografike, sociologjike, ekonomike, historike etj., duke përfshirë këtu edhe rezultatet e hulumtimeve të vetë autorit të këtij botimi, të publikuara më parë në organe të ndryshme të kohës, brenda dhe jashtë vendit.
Nga të dhënat që ofrojnë statistikat vitale dhe statistikat vijuese demografike e të tjera, shihet se zhvillimi demografik në indikatorët bazë nuk është i volitshëm. Gjithnjë sipas autorit, këto dhjetë vjetët e fundit nga rënia e normave të lindshmërisë dhe emigrimi gjithnjë e më i madh, sidomos i grupmoshave e të rinjve në periudhën e përtritjes biologjike, shtimi natyror dhe rritja e përgjithshme e popullsisë kanë tendenca të zvogëlimit. Ajo që është e rëndësie të veçantë për trendin e zvogëlimit, sipas autorit del se në periudhën 2010-2022 numri i lindjeve të gjalla është zvogëluar nga rreth 33.000 në afër 20.000.
Ky botim i takon demografisë materiale dhe brenda saj demografisë së veçantë ose demografisë së popullatës konkrete, pra demografisë së Kosovës, përfshirë këtu edhe aspektet teorike të problemeve përkatëse.

(Akademik Anton Kolë Berishaj, akademik Isa Mustafa)