DEMAJ, Frashër; BAJRAKTARI, Jusuf; KURTI,Teki / SHQIPTARËT GJATË VITIT 1943 SIPAS DOKUMENTEVE USHTARAKE GJERMANE: (dokumente)
Redaktor Justina Shiroka-Pula, Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës,
SSHSH, 2021, 633 f., 17x 25 cm. (Botime të veçanta CCIX / Seksioni i Shkencave Shoqërore.
Libri 70)
Tit. në faqen paral.: Albanians during 1943 according to german military documents. Shënime
për autorët në pjesën palosëse të kopertinës. Indeks.
KDU 94(=18)''1943''(093)
ISBN 978-9951-26-045-9
COBISS.KS-ID 386910727

Libri përbën një burim të rëndësishëm të dhënash të dorës së parë. Këto dokumente do të ndihmojnë për njohjen e realitetit, që ka lidhje me informacionet, urdhërat, raportet, analizat etj. të komandave gjermane në kontekstin dhe raportet me shqiptarët dhe Shqipërinë e pushtuar nga trupat gjermane. Këto dokumente do t’u mundësojnë studiuesve të historisë analiza, argumentime, vlerësime e përfundime të gjera dhe të plota për çështje të pushtimit, të natyrës dhe qëllimeve ushtarake, politike dhe ekonomike, gjeostrategjike, për arsyet dhe kohëzgjatjen e pushtirait, raportet me qeveritë kuislinge shqiptare, si dhe per raportet me forcat politike dhe të armatosura joqeveritare pro dhe kundër tyre.
…Përmes documenteve të këtij harku kohor, zbulohen urdhra, udhëzime, raporte dhe informacione që i kushtohen pikërisht qëndrimit dhe sjelljes, marrëdhënieve midis të dy palëve në lidhje me çarmatosjen, grumbullimin dhe transportimin, si dhe përdorimin e trupave ushtarake të kapitulluara. Jo rrallë këto dokumente përshkruhen me të dhëna të hollësishme gjendja e vështirë morale, psikologjike, ushtarake e trupës së oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve italianë, të krijuar për shkak të kapitullimit, si dhe si pasojë e raporteve të ndërlikuara e të acaruara midis komandave gjermane me ato italiane. Sipas dokumenteve, ky nivel marrëdhëniesh kishte krijuar një klimë mosmarëveshjesh e, madje deri në konflikte e kundërshti me armë midis trupave gjermane dhe atyre italiane të Armatës IX, ku tipike ishin ato me divizionet “Venezia”, “Emilia”, “Firenze”, “Taurineze” dhe “Perugia”, në territorin e Shqipërisë dhe të Malit të Zi.
Gjithashtu, këto dokumente sjellin shumë të dhëna që kanë lidhje me faktin se si e shihnin komandat e mësipërme ushtarake gjermane organizimin dhe veprimtarinë e forcave dhe formacioneve luftarake të armatosura të Lëvizjes Antifashiste të NÇ, në Shqipëri. Në dorëshkrim trajtohen edhe dokumentat ushtarake gjermane që ndriçojnë edhe qëndrimin dhe veprimtarinë e forcave të armatosura të grupimeve politike-nacionaliste, bashkëpunimin e tyre me trupat gjermane në veprimet luftarake kundër formacioneve të armatosura të Lëvizjes NÇ, të udhëhequra nga Partia Komuniste Shqiptare.
Tërësia e të dhënave dokumentare që sjell ky libër do të mund t‘u shërbejnë studiuesve të fushës së historisë shqiptare të periudhës së LANÇSH, për të riparë e përmirësuar, në përqasje me atë që është shkruar më parë, me më shumë realizëm ngjarjet, debatet, emrat e vendeve e të drejtuesve, numrin e forcave pjesëmarrëse, ashtu si dhe humbjet dhe dëmet e pësuara.

(Anëtar korresp. Arsim Bajrami, prof. dr. Proletar Hasani)