TOLE, Vasil S. / ÇESK ZADEJA NË MUZIKËN SHQIPTARE: (jeta dhe vepra)
Redaktor Rauf Dhomi, [redaktor shkencor Kujtim Shkreli], Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, SA, 2022, 723 f., me il., me nota, 25 cm. (Botime të veçanta CCXIV / Seksioni i Arteve. Libri 28)
Tit. në faqen paral.: Çesk Zadeja in albanian music. Shënime për autorin në pjesën palosëse të kopertinës. Bibliogr.: f. 679-684, Indeks.
KDU 78.071.1(496.5)(092)
785.11.072(496.5)
78(496.5)(01)012Zadeja, Ç.
929(496.5)Zadeja, Ç.
ISBN 978-9951-26-053-4
COBISS.KS-ID 387584775

Ky libër i kushtohet Çesk Zadejës, kompozitorit dhe personalitetit më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, pa rolin, veprimtarinë dhe krijimtarinë e të cilit nuk mund të kuptohet muzika profesioniste shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, e më pas, thuhet në hyrje të monografisë së V. Toles për Çesk Zadenë.
Rëndësia e rolit të kompozitorit në kulturën tonë muzikore është marrë në konsideratë, deri diku, kur janë theksuar rëndësia e veprave të para të mëdha të muzikës sonë profesioniste, si: “Simfonia” e Zadejës (1956), opera “Mrika” e Jakovës (1958) dhe baleti “Halili dhe Hajria” i Daisë (1963) etj., ku krahas veprës është folur edhe për krijuesin e saj, dhe vetëm kaq. Më pas, historia vazhdon rrugën e saj pa kthim. Në rend kronologjik, veprat dhe krijuesit i zënë vendin njëri-tjetrit dhe gradualisht zërat e përveçëm, ata që kanë bërë realisht dhe cilësisht ndryshimin, fillojnë e shuhen brenda sasisë së konsiderueshme të veprave muzikore që u shkruan në Shqipëri për gati 50 vite.
Muzika, ashtu si edhe artet e tjera, nuk mund të bëjë dot pa hierarkinë e autorëve. Edhe në muzikën botërore, nga dhjetëra e qindra emra kompozitorësh, janë disa që i japin frymën epokës së tyre përmes veprave dhe gjenisë që mbartin. Të tillë ishin Bahu, Mozarti, Hajdeni, Bethoveni, Brahmsi, Wagneri, Çajkovski, Shopeni, Raveli, Skriabini, Stravinski, Bartoku, Prokofievi, Shostakoviçi etj. Një i tillë për muzikën tonë ishte Zadeja. Ai nuk ishte thjesht një ndër kompozitorët më të mirë shqiptarë të shek. XX, por figura qendrore e muzikës së kultivuar shqiptare për atë shekull, e jo vetëm. Duhet theksuar se kështu nuk minimizohen apo zhvendosen emrat e tjerë të rëndësishëm të muzikës sonë, përkundrazi. Ashtu si vargmalet që qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, ashtu edhe Zadeja qëndron bashkë me ta si maja më e lartë e vargmalit tonë muzikor, i krahasueshëm me të tjera male të larta në peizazhin e kulturës evropiane e botërore. Zadeja është unik edhe sa i përket trashëgimisë që la pas. Thuhet se fati i një personaliteti krijues kalon në tri faza: lavdia, mohimi dhe vlerësimi! Vepra e Zadejës qëndron mes një lavdie pa kohë dhe vlerësimit të vazhdueshëm të saj, kjo, nisur prej kohës kur ai jetoi e më pas, në brezat pasardhës. Rrjedhimisht, menduam që ta trajtonim figurën dhe veprën e Tij të jashtëzakonshme në këtë libër, i cili duke u fokusuar te personaliteti dhe vepra që la pas, do të na bëjë të kuptojmë më mirë edhe muzikën shqiptare, para dhe pas kohës së tij, thotë V. Tole në hyrjen këtij libri.