Ky projekt i takon lëmisë së Mjedisit me karakter hulumtues shkencor. Ndikimi i faktorit njeri në florën dhe vegjetacionin, përkatësisht në biodiversitetin e përgjithshëm autokton është shumë i madh. Shtimi i popullsisë, zgjerimi i qendrave urbane, zhvillimi i degëve të ndryshme të industrisë, komunikacionit, infrastrukturës, turizmit dhe rekreacionit, prishja e shtretërve të lumenjve, çelja, prerja dhe ndezja e pyjeve, përdorimi i pakontrolluar i pesticideve dhe i plehrave artificialë, çojnë jo vetëm drejt degradimit të përgjithshëm të mjedisit jetësor, por edhe drejt kërcënimit dhe zhdukjes së elementeve floristike me rëndësi shkencore dhe kombëtare. Nëse këto ndryshime vazhdojnë me këtë dinamizëm, resurset ekzistuese biologjike shumë shpejt do të pësojnë ndryshime të paparashikueshme duke rrezikuar e më vonë edhe duke zhdukur në radhë të parë llojet e rralla, fitocenozat me lloje relikte e ekosisteme të ndryshme të vegjetacionit me vlera të larta shkencore, ekonomike e kombëtare. Puna në projekt ka për qëllim që të studioi në mënyrë të hollësishme dhe të gjithanshme taksonet e rrezikuara e të rralla që mund të zhduken, si dhe endemitet, reliktet e endemoreliktet e ndryshëm të florës së Kosovës. Të bëhet evidentimi i tyre në trevën e Kosovës dhe të caktohet shkalla e rrezikueshmërisë sipas kritereve e standardeve ndërkombëtare. Realizimin e projektit do ta bëjnë 7 hulumtues nga Departamenti i biologjisë i FSHMN-së dhe dy nga ASHAK. Ekipi hulumtues i paraparë për punët në këtë projekt ka kualifikime përkatëse dhe përvojë të duhur.