Prishtinë, 20 maj 2026 – Sot, në mjediset e Fakultetit Ekonomik të UP-së, u zhvillua një takim pune ndërmjet udhëheqësisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe drejtuesve të këtij Fakulteti.
Në takim morën pjesë Kryetarja e ASHAK-ut, akademike Justina Shiroka-Pula, Nënkryetari, akademik Fejzullah Krasniqi, dhe Sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës, anëtar korrespondent Enver Hamiti, të cilët u mirëpritën nga Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Driton Balaj dhe Shefi i Departamentit të Marketingut, Prof. Dr. Nail Reshidi.
Qëllimi i takimit ishte shqyrtimi i modaliteteve për një partneritet afatgjatë në sferën akademike dhe kërkimore. Gjatë bashkëbisedimit u dakordua nxitja e bashkëpunimit përmes organizimit të konferencave dhe tubimeve të përbashkëta shkencore, tryezave të diskutimit, si dhe përmes realizimit të projekteve ndërdisiplinore me interes të ndërsjellë.
Palët shprehën gatishmërinë e plotë për jetësimin e shpejtë të këtyre nismave, me synim bashkimin e kapaciteteve intelektuale në shërbim të zhvillimit shkencor në vend.
