Biografia
Oliver Shmit (Oliver Jens Schmitt) Lindi në Bazel të Zvicrës NW VITIN 1973. Studioi bizantinistikë, neogrecistikë dhe histori të Europës Lindore në Bazel, Vjenë, Berlin dhe Mynih. U diplomua më 1997, u doktorua më 2001 në Mynih. Në vijim bëri studime të specializuara në Venecie me mbështetje të Qendrës së atjeshme gjermane dhe në Romë me mbështetje të institutit të atjeshëm zviceran. Në periudhën 2001-2004 qe mësimdhënës në Institutin për Histori të Europës Lindore dhe Juglindore të Universitetit të Mynihut. Pas Habilitimit në Universitetin e Regensburgut, në vitet 2004-2005 punoi si profesor në Fondin Kombëtar Zviceran të Institutit të Historisë të Universitetit të Bernit, ndërsa nga 2005 është Profesor ordinar për Histori të Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës. Në vitin 2009 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë Austriake të Shkencave, ndërsa nga 2011 anëtar i rregullt i saj. Më 2010 ishte profesor i ftuar i Collège de France, ndërsa në vitet 2010-2014 Drejtues i Institutit të Historisë Lindore në Universitetin e Vjenës. Është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe anëtar i jashtëm i Institutit të Venedikut të Shkencave, Letërsisë dhe Arteve, Drejtues i fushës së hulumtimeve ballkanologjike në Institutin për Hulumtimet e Historisë së re dhe më të re të Akademisë Austriake të Shkencave dhe nga 2017 Kryetar i Klasës Historiko-Filozofike të Akademisë Austriake të Shkencave. Në Institutin e Studimeve të Europës Lindore ai kujdeset dhe për “Albanien-Institut” bashkë me bibliotekën e trashëguar nga “Albanien Institut” i Mynihut, që drejtohej nga profesori i tij dr. Peter Bartl. Në studimet e tij profesor Schmitt është përqendruar kryesisht në këto pika: Historia shoqërore dhe ekonomike e Mesjetës; Proceset e transformimit socio-ekonomik dhe kulturor në hapësirat në jug të Danubit në fund të shekullit XVII (Projekt i mbështetur nga Fondi kombëtar i Zvicrës); Hapësira kulturore veneciane në Europën Juglindore (rreth 1000-1797); Homogjenizimi socio-kulturor dhe hibridizimi në hapësirën mesdhetare (nga sh. 15 deri në sh. 20), Rrjet hulumtimi me Universitetet Bern dhe Genf; Hulumtime për historinë shqiptare (përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë). Ndër veprat e tij me rëndësi dhe për studimet shqiptare dallohen: “Arbëria venedike 1392-1479”, i botuar në Mynih më 2001 (shqip 2007), vepër me dokumentim shumë të gjerë për hapësirat shqiptare që njiheshin si “Albania veneta”; vepra me tematikë osmane “Levantinët – Botëkuptime dhe identitete të një bashkësie etnokonfesionale në Perandorinë Osmane në shek. 19” (2005). Ashtu si studimet e tjera për hapësirat e Adriatikut në raport me Perandorinë Osmane, edhe këtu spikat njohja e thelluar e dokumentacionit arkivor e tjetër venecian, adriatik, etj. dhe njohja e historive nacionale në gjuhët e ndryshme të Ballkanit. Ka botuar një vështrim monografik “Kosova – Histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” (2008, shqip 2012). Vepra e tij “Skënderbeu – Aleksandri i ri nga Ballkani” (2008, 2009, rumanisht 2014) ka nxitur diskutime. Në përvjetorin e 100-të të shtetit shqiptar botoi librin për publik të gjerë “Shqiptarët. Një histori midis Lindjes dhe Perëndimit” (shqip 2012), pastaj veprën “Europa Juglindore dhe Adriatiku në Mesjetën e vonë (Bukuresht-Brailë, 2012), pastaj bashkë me Gruber dhe Lutter, “Historia kulturore mesjetare: burime dhe metoda për historinë Mesjetës”, vepra për lidhjen dhe zhvillimet e fashizmit në Rumani, etj. Njihen veprat kolektive që ai ka botuar bashkë me K. Klewing për Europë Juglindore (2005), për historinë e Europës Juglindore, për historinë shqiptare, për lidhjet e Venedikut me Adriatikun lindor, për rajonet e Europës dhe historitë e tyre, për pushtimin osman të Ballkanit dhe një numër shumë të madh artikujsh e studimesh nëpër revista të ndryshme, në një pjesë të madhe e të cilëve merret me çështje të historisë shqiptare dhe të Ballkanit.