Noel Malcolm

Print

Biografia


 

Noel Malkolm është historian britanik, lindi në Berkshire, studioi historinë dhe letërsinë angleze në Peterhouse, Kembrixh, dhe mbaroi studimet e doktoraturës në histori në “Trinity College”. Në Kembrixh u mor me jetën dhe veprën e Tomas Hobsit, duke u bërë njëri nga tre redaktorët e një edicioni të ri të veprave të Hobsit (1983). Që në vitet studentore N. Malkolmi filloi të interesohej për historinë dhe kulturën e popujve të Ballkanit. Në vitin 1987 u bë komentues politik në revistën londineze “The Spectator” dhe më pas redaktor i politikës së jashtëm. Në vitin 1989 vizitoi Kosovën për ta ndjekur nga afër shënimin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës në Gazimestan dhe ishte dëshmitar i fjalimit të S. Milosheviqit të mbajtur me atë rast. Në qershor të vitit 1991 ai shkoi në Lubjanë dhe Zagreb, për ta ndjekur nga afër shpalljen e Pavarësisë së Sllovenisë dhe të Kroacisë. Pas shpërthimit të luftës në Bosnjë më 1992, Malkolm-i shkroi shpesh për zhvillimet në atë republikë të ish-Jugosllavisë. Ishte këshilltar i kryeministres Margaret Theçer për Bosnjën dhe Ballkanin. Në vitin 1994 shkroi librin “Bosnja: Një histori e shkurtër”. Libri u vlerësua nga qarqet shkencore dhe politike dhe pati ndikim në vendimet e krerëve botërorë për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë. Më pas një kohë të shkurtër punoi si analist politik në të përditshmen britanike “Telegraf”. Në këtë kohë filloi projektin për një libër historie për Kosovën. Gjurmoi arkivat në Bolonjë, Londër, Oksford, Paris, Vatikan, Venedik, Vjenë dhe Uashington. Libri “Kosova: Një histori e shkurtër” u botua në vitin 1998. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë reagoi ashpër për këtë botim, duke nxjerrë një vëllim punimesh që sulmonin librin. Libri mbi Kosovën u përkthye në shqip, italisht, turqisht dhe bullgarisht. 
Në vitin 2001 N. Malkolm u bë anëtar i Akademisë Britanike, më 2002 u zgjodh hulumtues i lartë në “All Souls College” në Oksford. Po në atë vit botoi një përmbledhje të shkrimeve të tij mbi jetën dhe mendimin e Tomas Hobsit. Më pas, si bashkautor, botoi një libër për matematikanin Xhon Pell (1611-1685), ndërsa në vitin 2012 botoi edicionin e tij për traktatin e filozofisë politike të Hobsit., “Leviathan”. Libri i tij më i ri “Agjentët e Perandorisë” (2015) ka për subjekt një familje deri më tani të panjohur shqiptare nga Ulqini, anëtarët e së cilës luajtën rol të rëndësishëm në historinë e disa shteteve europiane gjatë shekullit XVI. Në vitin 1999 N. Malkolm u bë kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Angeleze. Më 2009, kur avokati ndërkombëtar me origjinë britanike, sër Majkëll Vud (Sir Michael Ëood) organizoi mbrojtjen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, N. Malkolm ishte këshilltar i tij. Në vitin 2004 N. Malkolm u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Është bartës i shumë mirënjohjeve dhe dekoratave. Jeton në Oksford.