Muhamed Mufaku

Print

Biografia


 

Muhamed Mufaku (verzioni sirian Muhamed Mufak Arnaut) u lind në Damask të Sirisë në vitin 1952 në një familje shqiptare të shpërngulur nga Kosova (babai nga Peja, ndërsa nëna nga Vrella e Istogut). Në Damask ka kryer shkollën fillore, të mesmen dhe fakultetin për gjuhë dhe dhe letërsi arabe. Në Prishtinë ka kryer studimet pasuniversitare nga historia e popullit shqiptar në vitin 1977, pastaj doktoroi në shkencat filologjike në Universitetin e Prishtinës më 1981. Në vitin 1986, dr. Mufaku mbrojti edhe doktoratën e dytë në shkencat historike, po ashtu në Universitetin e Prishtinës. Në degën e orientalistikës të Fakultetit Filologjik të Prishtinës punoi si lektor i gjuhës arabe nga viti 1975 deri më 1987. Pas kësaj kohe shkoi në Siri dhe më 1988 veproi si bashkëpunëtor i lirë i “Enciklopedisë së madhe Arabe” në Damask, kurse në vitet 1989-1994 u zgjodh docent e nga viti 1994-1995 profesor inordinar në Degën e Historisë të Universitetit Jarmuk në Jordani. Nga viti 1995- 2004, dr. Mufaku punon si profesor inordinar në degën e historisë të Universitetit AI Al-Bajt, po ashtu në Jordani. Që nga viti 1995 dhe deri tani, dr. Mufaku është drejtor i Institutit “Bajt al-Hikma”, që vepron në kuadër të Universitetit Al-u-l-Bejt në Mafrak të Jordanisë.
Dr. Mufaku është anëtar me korrespondencë i Akademisë Shkencore Arabe (Damask), nga viti 2001, anëtar i Shoqatës së Orientalistëve të Kosovës, anëtar i Shoqatës së Studimeve dhe Gjurmimeve (Lidhja e Shkrimtarëve) të Sirisë, anëtar i Senatit të Universitetit AI Al-Bajt, anëtar i Këshillit të Dekanëve të Universitetit AI Al-Bajt, anëtar i Redaksisë “Prilozi za orijentalnu filologiju” (Sarajevë), dhe anëtar i redaksisë “Studime Orientale” (Prishtinë).
Dr. Muhamed Mufaku ka botuar një varg veprash nga historia dhe filologjia në gjuhën shqipe dhe në gjuhën arabe. Pos veprave, studimeve dhe artikujve origjinalë, është marrë edhe me përkthime. Ka përkthyer nga gjuha arabe në gjuhën shqipe dhe nga gjuha shqipe në gjuhën arabe. Në botën arabe, dr. Mufaku konsiderohet njohësi më i mirë i problemeve të Ballkanit. Disa nga titujt e botuar: “Antologjia e poezisë së re arabe”, “Palestina shqiptare (panorama e poezisë shqipe me motive palestineze)”, “Prapa natës, poezi e shqiptarëve të Sirisë”, “Antologjia e poezisë shqipe në Kosovë”, “Tregime siriane (zgjedhje, parathënie me përkthim)”, “Deti në shkretëtirë (zgjedhje, parathënie me përkthim)”, “Letërsia shqipe me shkronja arabe”, pastaj “Historia e Beogradit oriental”, “Tregime popullore rome të Kosovës”, “Shqiptarët në botën arabe”, “Ana tjetër e Ittihad ve Terekki”, “Studime mbi Devshermen”, “Islami në Jugosllavi”, “Studime në historinë kulturore të islamit në Ballkan”, “Kosova epiqendra e konfliktit shqiptaro-serb në shek. XX” etj.