Biografia
Mehmet Kraja ka lindur më 27 qershor 1952 në Kështenjë të Krajës, fshat afër Liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi. Shkollimin e mesëm e kreu në Ulqin, ndërsa të lartin në Universitetin e Prishtinës, Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Gjatë viteve 1974-76 ishte kryeredaktor i gazetës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, Bota e re, më pas punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën Rilindja, ku botoi tekste të shumta publicistike për çështje të ndryshme nga problematika kulturore dhe recensa e shkrime diskurzive për letërsinë. Në fund të viteve tetëdhjetë u inkuadrua në lëvizjet politike të kohës, duke u bërë njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë viteve 1992-99 jetoi dhe punoi në Tiranë. Në atë kohë e pushoi angazhimin politik dhe iu përkushtua letërsisë dhe publicistikës. Pas luftës së Kosovës ishte redaktor i kulturës në të përditshmen Zëri, më pas redaktor i shtojcës për kulturë në gazetën Koha ditore. Që nga viti 2002 është ligjërues në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ku jep lëndën e skenarit të filmit.
Është anëtar i Akademisë nga viti 2005. Në periudhën 2008-2014 ishte sekretar i Seksionit të Gjuhës dhe Letërsisë, kurse nga viti 2019 është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Me shkrime letrare filloi të merrej që kur ishte nxënës i gjimnazit në Ulqin. Tregimet e para i botoi në revistën letrare “Jeta e re”, nën përkujdesjen e Esad Mekulit. Deri më tani ka botuar katërmbëdhjetë romane, katër vëllime me tregime, dymbëdhjetë drama dhe pesë libra nga fusha e publicistikës.
Bibliografia
Romane:
- Gjurmë në trotuar, Rilindja, Prishtinë 1978.
- Portali i perëndive të fyera, Rilindja, Prishtinë 1980.
- Moti i Madh, Rilindja, Prishtinë 1981.
- Udhëzime për kapërcimin e detit, Rilindja, Prishtinë 1984; Naim Frashëri, Tiranë 1987.
- Sëmundja e ëndrrave, Rilindja, Prishtinë 1987.
- Net bizantine, Rilindja, Prishtinë 1990.
- Muri i mjegullës, Toena, Tiranë 1998.
- Edhe të çmendurit fluturojnë, Onufri, Tiranë 2004.
- Im atë donte Adolfin, Onufri, Tiranë 2005.
- Selvitë e Tivarit, Onufri, Tiranë 2007.
- Hotel Arbëria, Onufri, Tiranë 2010.
- E zeza dhe e kuqja, Onufri, Tiranë, 2015.
- Prishtina, Onufri, Tiranë 2019.
- Liria ime, Onufri, Tiranë 2021.
Tregime:
- Dritat e mesnatës, Rilindja, Prishtinë 1974.
- Vdekja pa emër, Eurorilindja, Tiranë 1995; “Dukagjini”, Pejë 1996.
- Portat e qiellit, Toena, Tiranë 1996; “Buzuku”, Prishtinë 1997.
- Njëzet tregime për kohën e shkuar, Dukagjini, Pejë 2001.
- Hija e qershisë nën dritën e hënës, Toena, Tiranë 2006.
- Rrëfime nga fletoret e vjetra, tregime të zgjedhura, ASHAK 2019.
Drama:
- Tri drama (“Princi i hijeve”, “Onufri i Neokastrës”, “Hëna prej letre”), Rilindja, Prishtinë 1987.
- Pesë ide për lojë skenike (“Muri I, ose ora e shiut”, “Muri II, ose lavjerrësi i rërës”, “Muri III, ose fluturat e bardha”, Muri IV, ose ëndërr qeni”, “Muri V, pse një hënë tjetër prej letre”), Toena, Tiranë 1999.
- Krishti qëndroi tri ditë në Kosovë, Jeta e re, Prishtinë 2002.
- Grafitet, Jeta e re, Prishtinë 2005.
- Im atë donte Adolfin, dramatizim, Prishtinë 2007.
- Hëna prej letre, version i ri, Prishtinë 2007.
- Hëna prej letre, trilogji, Armagedoni, Prishtinë 2021.
Kritikë dhe publicistikë:
- Shoqërime, Rilindja, Prishtinë 1997.
- Vite të humbura, Eurorilindja Tiranë 1995, Rozafa, Prishtinë 2003.
- Mirupafshim në një luftë tjetër, Rozafa, Prishtinë 2003.
- E shtuna ime, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë 2009.
- Identiteti kosovar, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë 2011.
Shfaqje të realizuara:
- Princi i hijeve, realizuar në Teatrin Popullor Krahinor në vitin 1984, me regji të Agim Sopit dhe në Teatrin e Gjilanit në vitin 1985.
- Hëna prej letre, realizuar nga Teatri i Gjakovës në vitin 1988, në regji të Fadil Hysajt.
- Onufri i Neokastrës, nga Tetari Amator “Emin Duraku” i Gjakovës në vitin 1987 në regji të Nimon Muçajt.
- Ëndërr qeni, realizuar në Teatrin Kombëtar të Prishtinës në vitin 2001, në regji të Isë Qosjes.
- Grafitet, realizuar në Teatrin “Oda” të Prishinës, në vitin 2005, në regji të Isë Qosjes.
- Onufri i Neokastrës (version i ri), realizuar nga një grup artistësh të lirë të Gjakovës, në vitin 2006, në regji të Nimon Muçajt.
- Hëna prek letre (version i ri), realizuar në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, në vitin 2007, në regji të Fadil Hysajt.
- Im atë donte Adolfin, realizuar si shfaqja e parë profesioniste e Teatrit të Prizrenit, në vitin 2007, në regji të Agim Sopit.
- Rekuiem, realizuar nga Teatri i Qytetit të Gjilanit, 2010.
- Im atë donte Adolfin, dramatizim, Teatri i Qytetit të Gjilanit, 2018, shfaqje në regji të Ilir Bokshit.
- Aroma e hënës, Tetari Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2021, shfaqje në regji të Rozi Kostanit.
Çmime:
- Çmimi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për romanin Moti i Madh, 1981).
- Çmimi “Hivzi Sulejmani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për prozën më të mirë (për përmbledhjen e tregimeve Vdekja pa emër, 1995).
- Çmimi i shtëpisë botuese “Toena” për prozën më të mirë nga pesëqind titujt e botuar (për romanin Muri i mjegullës, 1998).
- Çmimi “Pjetër Bogdani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për romanin Muri i mjegullës, 1999).
- Çmimi “Pjetër Bogdani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për përmbledhjen Njëzet tregime për kohën e shkuar, 2001).
- Çmimi “Azem Shkreli” të Ministrisë së Kulturës së Kosovës për veprën më të mirë (për romanin Edhe të çmendurit fluturojnë, 2004).
- Çmimi “Mitrush Kuteli” i Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë (për përmbledhjen e tregimeve Hija e qershisë në dritën e hënës, 2007).
- Çmimi “Petro Marko” i Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë (për romanin Selvitë e Tivarit, 2008).
- Çmimi “Azem Shkreli” për vepër jetësore, akorduar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës (2019).
- Çmimi “Anton Pashku” për romanin “Liria ime”, romani më i mirë i vitit 2021.