Matteo Mandala

Print

Biografia



Matteo Mandalä është studiues i letërsisë arbëreshe dhe i asaj shqiptare në përgjithësi, por edhe i gjuhës, dialektologjisë, kulturës dhe traditave arbëreshe, profesor i Universitetit të Palermos, u lind në vitin 1958 në Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Sicili. Shkollimin fillor e të mesëm i kreu në vendlindje, ndërsa studimet në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Universitetin e Palermos, ku u dallua si student i shkëlqyeshëm. Nga viti 1987 ka qenë lektor i gjuhës shqipe në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të Universitetit të Palermos. Një kohë zhvilloi aktivitetin hulumtues pranë Katedrës së Historisë së Gjuhësisë të Fakultetit të Gjuhëve dhe të Letërsive të Huaja në Universitetin e Pizës, ndërsa nga viti 1996 ka dhënë mësim në katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Kalabrisë, pastaj ka ligjëruar gjuhën shqipe në Universitetin e Barit, gjuhën dhe letërsinë shqipe në Universitetin e Leçes dhe është rikthyer në Universitetin e Palermos, ku edhe sot ligjëron gjuhën, letërsinë dhe kulturën arbëreshe e shqiptare në përgjithësi, në kurse e nivele të ndryshme të studimit me titullin profesor ordinär. Prof. Matteo Mandalä ka iniciuar dhe realizuar projekte të shumta studimore të financuara nga Bashkimi Europian apo nga strukturat rajonale të Sicilisë, si projekti “Skanderbeg 2000” “Kastriota 3000”, “Brinjat” dhe projektin “Vatra”, për dialog interkultural midis Italisë dhe Ballkanit. Është anëtar i AIESE-s (Asociacioni Ndërkombëtar i Studimeve të Europës Juglindore), anëtar i redaksisë së revistës “Hylli i dritës”, bën pjesë në këshillin administrativ të Fondacionit universitär “Francesco Solana” dhe nga viti 2012 është kryeredaktor i revistës “Res Albanica”. Ka marrë pjesë në kongrese, seminare, konferenca e tryeza shkencore, të organizuara nga institucionet shkencore e arsimore të arbëreshëve të Italisë, por edhe në tubime shkencore në Itali. Ka marrë pjesë gjithashtu në konferenca e organizime të tjera shkencore e letrare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Ne e mbajmë mend sidomos për pjesëmarrjen e zellshme në aktivitetet shkencore organizuar nga ASHAK dhe në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare organizuar nga Universiteti i Prishtinës. Në vitin 2016 është zgjedhur anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ndër të tjera, ka botuar: “La diaspora e il ritorno” (1990); “Mito, storia e cultura tradizionale nell’ opera di G Schirö“ (1992); “La parlata arbëreshe di Contessa Entellina, l Fonologia” (1992); “Nicolo Figlia, II codice chieutino (edizione critica e concordanza)” (1995); “Luca Matranga E mbsuame e krështerë. Edizione critica dei tre manuscriti e dell’ edizione a stampa” (2004); “Nicolo’ Chetta. Nel bicentenario” (1803-2003) (2004); “Profilo storico-antologico della letteratura degli Albanesi di Sicilia” (2005); “Gjurmime filologjike për letërsinë e vjetër arbëreshe (2006); “Këngo e sprasëme e Balës (II Conto ultimo di Bola) di Gabriele Dora junior“, Edizione critica (2007); “Mundus vult decipi. I miti della storiografia arbëreshe” (2007); “Profilo storico-antologico della letterotura degli Albanesi di Sicilio” (2012); « Gjurmime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe” (2012); “Lekë Matranga: njeriu, koha, vepra. Mbi botimin kritik të varianteve në dorëshkrim e të shtypur të veprës “E mbsuame e krështerë” (1592) (2013). Ka shkruar e botuar artikuj, studime, raporte të hulumtimeve shkencore në revista të specializuara dhe në periodikun shkencor në Itali, në Shqipëri e Kosovë. Në vitin 1998 përgatiti për shtyp në italisht veprën e Zef Skiroit (Giuseppe Schiro) në nëntë vëllime, ndërsa në vitin 2001 dolën në shqip katër vëllime të veprës së Skiroit, me transkribime dhe shkrimet hyrëse. Bota e Arbëreshëve të Italisë prof. Mandalanë dhe prof. Francesco Altimarin i konsideron personalitetet më se të rëndësishme të studimeve për gjuhën, letërsinë e vjetër arbëreshe dhe shqiptare në përgjithësi, nga fillimet e deri më sot, për kulturën dhe traditën arbëreshe dhe për arsimimin, vetëdijesimin e qenies dhe identitetit arbëresh në Itali. Bashkë me studiuesit e tjerë, por edhe me një plejadë të tërë të ish studentëve të tyre nga këta dy universitete të rëndësishme që tashmë kanë krijuar autoritetet e tyre shkencore në studimet albanologjike, ata mund të konsiderohen themelues të filologjisë moderne arbëreshe dhe shqiptare në përgjithësi.