Biografia
Irena Savicka (Sawicka) është gjuhëtare polake, ballkanologe, sllaviste me intersime të theksuara edhe në albanistikë. Kontributi kryesor i saj në albanistikë është në fushën e fonologjisë, sidomos në diskutimet për strukturën e rrokjes shqipe. Ajo është ndër gjuhëtaret më autoritative botërore që është marrë edhe me shqipen. Dhe ka kontribuar shumë për përhapjen, kultivimin dhe studimin e shqipen në Poloni, por edhe për promovimin e albanologjisë në botë.
Prof. dr. Irena Saëicka ka lindur më 1944 në Varshavë, shkollimin e mesëm (më 1962) dhe fakultetin (më 1968) i ka përfunduar në Varshavë, ndërsa është doktoruar më 1972 me një punim për grupet konsonantike në gjuhët sllave. Më 1978 është habilituar me temë që ka të bëjë me serbo-kroatishten.
Që nga viti 1968 deri më 1992 ka punuar në Institutin për Studime Sllave në Akademinë e Shkencave të Polonisë, kurse më 1992 është punësuar në Departamentin e Sllavistikës Krahasimtare në Universitetin “Nikolas Kopernik” (Copernicus) në Torun, ku për shumë vjet ka drejtuar Institutin për Studime të Sllavistikës dhe të Studimeve Ballkanike. Në kuadër të këtij universiteti ka mbajtur edhe kurset e shqipes, duke kualifikuar në albanistikë edhe disa nga ballkanistët më të shquar polakë të sotëm. Është specialiste e fonetikës dhe e fonologjisë të gjuhëve sllave dhe të gjuhëve të Ballkanit, përfshirën edhe shqipen, si dhe e tipologjisë dhe e gjuhësisë gjeografike me vështrim të posaçëm gjuhët sllave të jugut dhe shqipen. Ka mbajtur mësim edhe në Universitetin e Poznanit. Prej vitit 2010 punon sërish në Institutin e Sllavistikës të Akademisë së Shkencave të Polonisë (PAN).
Ndër studimet e saj më të rëndësishme për shqipen janë ai për strukturën e rrokjes në gjuhën shqipe dhe ai për strukturen e rrokjes te arbëreshët e Italisë. Këto janë përfshirë në monografinë “Struktura e rrokjes shqipe”, si bashkautore me ish-studenten e saj Karolina Dargiel, publikuar më 2018 në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në këtë libër ajo ofron një gjerësi këndvështrimesh teorike dhe problemin, mes tjerash, e trajton në bazë të kulmit të rrokjes, duke kundruar çështje që kanë të bëjnë me zëshmimin e tingujve. Në bazë të kësaj, Saviska vëren strukture të rrokjes në shqipen me një kulm, me përjashtime të grupeve konsonantike mb, nd, ng që krijojnë rrokje me dv kulme. Ajo trajton shqipen standarde, por edhe atë kolokuiale, duke u ndalur në një syth veçanërisht për varietetet e arbëreshëve të Italisë.
Që nga viti 1974, ka publikuar 18 monografi dhe 7 tekste universitäre. Ndër veprat më të rëndësishme të saj, jashta albanistikës, janë ai për strukturen e rrokjes në gjuhët ballkanike (1987), për fonologjinë e maqedonishtes standarde (1991), për fonologjinë kontrastive të polonishtes dhe të serbo-kroatishtes (1988), për fonologjinë kontrastive polako-bullgare; për tiparet fonologjike të unionit gjuhësor ballkanik (1997), për palatalet e gjuhëve sllave (1999). Me rëndësi janë edhe libri për fleksionin e shqipes (2005) dhe ai për albanologjinë në Poloni (2007).
Me shqipen ka filluar të merret që në vitet shtatëdhjetë, kur ka vizituar për herë të parë Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturen Shqiptare. Ka qenë pjesëmarrëse e konferencave të ndryshme albanistike në Kosovë. Më 1989 ka marrë shpërblimin e sekretarit të përgjithshëm të Akademisë së Shkencave të Polonisë, disa herë të rektorit të Universitetit të Torunit, si dhe çmimin “Goce Delçev” të Republikës së Maqedonisë dhe “Blazhe Koneski” të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë për kontributet për maqedonishten.
Monografitë e saj më të rëndësishme për shqipen dhe albanologjinë janë: “Paradigmaty Fleksiji Albanskej” (Paradigma e fleksionit të shqipes), 2005; “Albanystika Polska” (Albanologjia polake), 2007; “Struktura e rrokjes shqipe” (bashkë me Karolina Dargiel), 2018.