Ibrahim Rugova

Anëtar korrespondent
Print

Biografia



Lindi më 1944 në Cerrcë të ko­munës së Istogut. Më 1945 komu­nis­tët jugosllavë ia pushkatuan ba­bain. Shkollën fillore e mbaroi në vendlind­je, ndërsa shkollimin e me­sëm në Pejë, më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prish­tinës, më 1971. Gjatë një viti aka­demik (1976-77) qëndroi në Paris, në École Prati­que des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Më 1984 mori doktoratën në letërsi në Universitetin e Prishtinës.
Më 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Është autor i dhjetë librave. Ishte që në nismë redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj, për afro dy dekada, punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike.
Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Më 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë, që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komu­nist në fuqi.
Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992 u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa në mars të vitit 1998 u rizgjodh Kryetar i Republikë, kur partia e tij, LDK-ja, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elekto­ratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000. Në mbështetje të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit 2001, u zgjodh Kryetar i Kosovës.
Më 1995, iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Dani­markë; më 1996, u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë; më 1998, iu nda Çmimi Saharov i Parla­mentit Evropian; në vitin 1999, mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani; në vitin 1999 u shpall qytetar nderi i qyteteve ita­liane: Venedik, Milano dhe Breshia (Brecscia); në vitin 2000, mori Çmi­min për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë, doktoratën e nderit Honoris causa të Universitetit të Tiranës më 2004, etj..
Gjatë karrierës së tij politike u takua me shumë burrështetas perën­dimorë e botërorë.
Vdiq në Prishtinë më 2006.

Bibliografia



Veprat:

  • Prekje lirike, Prishtinë, 1971;
  • Bibliografia e kritikës letrare shqipe, Prishtina, 1974;
  • Kah teoria, Prishtinë, 1978;
  • Kritika letrare / koautor Sabri Hamiti/, Prishtinë, 1979;
  • Strategjia e kuptimit, Prishtinë, 1980;
  • Vepra e Pjetër Bogdanit 1675-1685, Prishtinë, 1982;
  • Kahe dhe premisa të kritikës shqiptare 1504-1983, Prishtinë, 1985;
  • Refuzimi estetik, Prishtinë, 1987;
  • Pavarësia dhe demokracia, Prishtinë, 1991;
  • The Glowof Passion, një antologji e letërsisë bashkëkohore në ish-Jugosllavi, në gjuhën angleze, Prishtinë, 1991.
  • Marie-Françoise Allain, Xavier Galmiche: I. Rugova, La question du Kosovo, Paris, 1992;
  • Marie-Françoise Allain, Xavir Galmiche: I. Rugova, Çështja e Kosovës, Pejë, 1993.
  • Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtina, 2005.