Françesko Altimari

Print

Biografia


 

Francesko Altimari është filolog, albanolog, profesor arbëresh. Lindi në Shën Mitër në Kalabri. Studimet universitare i kreu në Universitetin e Kalabrisë, ku meë1980 e nisi karrierën akademike: profesor i Universitetit të Kalabrisë, shef katedre në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe të Institutit Universitar Lindor të Napolit (1991). Nga viti 1992 profesor në Universitetin e Kalabrise, ku vijoi veprimtarinë didaktike-shkencore dhe ushtron përgjegjësi institucionale akademike. Është studiues i letërsisë arbëreshe dhe shqipe të Rilindjes, i dialektologjisë arbëreshe dhe i filologjisë shqiptare. Zbaton metoda të kritikës gjenetike dhe të filologjisë informatike. Gjithashtu është bashkërendues shkencor i Arkivit Leksikografik Arbëresh (ALA), i projekteve “Besa”, “Vatra” dhe drejtues i doktoranturës ndërkombëtare në albanologji (2002). Botoi: “Studime mbi letërsinë shqiptare të Rilindjes” (1984); “Ekzili i fjalës – Minoriteti gjuhësor arbëresh në Itali” (bashkautor) (1986); “Dialektet italo-shqiptare” (bashkautor) (1994); “’Bagëti’ e Bujqësija’ e Naim Frashërit”, botim kritik me konkordanca leksikore (1995); “Këngët paramilosaoiane të G. De Radës”, botim kritik me konkordanca leksikore (1998, 2005); “Vëzhgime gjuhësore dhe letrare arbëreshe” (2002) etj. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i botoi përmbledhjen e studimeve “Studime gjuhësore italo-shqiptare” (Studia linguistica italo-albanica) më 2014. Ka themeluar kolanën “Albanistica” (1990) në Universitetin e Kalabrisë dhe drejton kolanën “Opera omnia” të J. de Radës. Eshte shpallur “Doctor honoris causa” i Universitetit të Tiranës (2007) dhe i Universitetit të Europës Juglindore në Tetovë (2013) dhe është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2006) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (2008).