Fehmi Agani

Akademik
Print

Biografia



Lindi më 1932 në Gjakovë, ku mbaroi shkollimin fillor, ndërsa të mesmin e kreu në Prishtinë. Studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare në shkencat politike i mbaroi po ashtu në Universitetin e Beogradit, duke marrë gradën shkencore Magjistër i shkencave politike me temën Pjesëmarrja e punëtorëve në pro­cesin e vendimmarrjes në Gjermani, më 1965. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, duke mbrojtur me sukses tezën Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1951, iu kun­dërvua poli­tikës së turqizimit të shqiptarëve dhe për herë të parë u konfrontua me PKJ.
Edhe pse shumë i ri, u rreshtua në anën e LNÇ-së dhe të aleancës antifashiste. Ngjarjet e mëdha politike, veçanërisht ato të vitit 1981 e këndej, bënë që pikëpamjet dhe qëndrimet e tij politike gjithnjë e më tepër të marrin formën e social-demokracisë moderne perëndimore.
Në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60 punoi profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën Rilindja. Në vitet ’60 nisi punën ligjërues i sociologjisë në Fakultetin Filozofik, ku luajti një rol të dorës së parë për zgjerimin e mësimdhënies në gjuhën shqipe dhe për zhvillimet e më vona të përgjithshme shoqërore.
Në vitin 1967 u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakul­tetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ishte krye­redaktor i revistave Studia Humanistica dhe Thema.
Në vitin 1978 mori Shpërblimin e Dhjetorit për studimet e tij shkencore.
Pas vitit 1981, për shkak të mospajtimeve me vlerësimin dhe me qëndrimet e politikës ndaj demonstratave dhe ndaj çështjes shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme, ishte në trysni të përhershme politike, ndërsa më 1984 iu mor e drejta të jepte mësim.
Ishte nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ndër kryesorët në hartimin e dokumenteve të rënëdsishme për Kosovën.
Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Akademik Fehmi Agani ishte bartës i shumë dekoratave, ndër të cilat edhe i Dekoratës Urdhri i Lartë Skënderbeg me të cilën e dekoroi presidenti i Shqipërisë dhe Urdhri i Lidhjes së Prizrenit me të cilën e ka dekoruar kryetari i Kosovës.
Për idetë dhe angazhimet e tij për çlirimin e Kosovës, u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe më 6 maj 1999.

Bibliografia



Librat:

  • Në rrjedha të mendimit sociologjik, (një histori e veçantë e mendimit sociologjik), Prishtinë, 1990.
  • Demokracia, kombi, vetëvendosja, Dukagjini, Pejë, 1994.
  • Pavarësia – shpresa sdhe gjasë, Dukagjini, Pejë, 1999.
  • Studime sociologjike dhe politikologjike, ASHAK, Prishtinë, 2008.
  • Ka lënë të botuara shumë studime sociologjike, politologjike, nëpër periodik në gjuhët shqipe, serbokroate dhe angleze. Ka lënë dorëshkrim monografinë Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shkrime të tjera.


Në vitin 2002, në 70-vjetorin e lindjes, Shtëpia botuese Dukagjini botoi Veprat në 8 vëllime:

  • Vepra 1, Në rrjedha të mendimit sociologjik, f. 1-375.
  • Vepra 2, Për shoqërinë civile, f. 1-411.
  • Vepra 3, Demokracia, kombi, vetëvendosja, f. 1-376.
  • Vepra 4, Partitë dhe grupet politike në Shqipëri (1939-1945), f. 1-486.
  • Vepra 5, Sindikatat gjermane dhe shkrime të tjera, f. 1-304.
  • Vepra 6, Gjuha e dhunës dhe zëri i arsyes, f. 1-437.
  • Vepra 7, Pavarësia- gjasa dhe shpresë, f. 1-487.
  • Vepra 8, Intervista, reagime, f. 1-386.


Botoi edhe shumë studime, artikuj, trajtesa e polemika në organe të ndryshme shkencore, në revista dhe gazeta në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera.