Eric P. Hamp

Print

Biografia


 

Eric P. Hamp është gjuhëtar amerikan, indoeuropianist, keltolog, albanist, profesor. Konsiderohet ndër autoritetet më të mëdha botërore të gjuhësisë indoeuropiane. Interesat e tij kryesore janë gjuhët keltike dhe shqipja, përfshirë dialektet e arbëreshëve të Italisë dhe të Greqisë. Profesor emeritus në Universite­tin e Çikagos dhe reda­ktor i revistës “Anthro­pological Linguistics”. Lindi në Londër, ndërsa doktoroi në Harvard (1954) me temë për të folmen e arbëreshëve të Vakaricit. Gjithë karrierën punoi si profesor në Universitetin e Çikagos (1950-1991), ku ishte edhe drejtues i departamentit të linguistikës në periudhën 1966-1969. Ishte drejtor i Qendrës për Studime Ballkanistike dhe Sllavistike (1965-1991). Ka ligjëruar edhe në Miçigen, Viskonsin, Dablin, Edinburg, Prishtinë, Kozencë, Shkodër, Bon dhe vende të tjera. Ka qenë pjesëmarrës i shpeshtë i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë. Për nder të punës së tij janë publikuar gjashtë festshkrifte, i fundit më 2010 nga Universiteti i Kalabrisë. Është doctor honoris causa në Kolegjin Armherst, në Universitetin e Uellsit, në atë të Kalabrisë, të Delhit dhe të Edinburgut. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Danimarkës, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Më 2015 presidentja e Kosovës e dekoroi me medaljen presidenciale të meritave. Ishte pjesë e projekteve të shumta dhe e revistave të ndryshme: drejtues i Atlasit të Gjuhëve Europiane (Atlas Linguarum Europae) që nga viti 1984, këshilltar në Enciclopedia Brittanica (1969-2000), redaktor i revistës “International Journal of American Linguis­tics”. Për shqipen, përveç artikujve të shumtë, botoi monografinë për fonologjinë e Vakaricit. Njihet për punën e tij në terren. Trajtesat e tij kryesisht përfshijnë gjuhësinë historike dhe të krahasuar. Botoi më se 3,500 artikuj gjithandej nëpër revista të ndryshme. Disa ndër punimet më me ndikim të tij për shqipen janë përmbledhur të përkthyer në “Studime krahasuese për shqipen”, redaktuar nga R. Ismajli më 2007. Në këtë përmbledhje janë artikujt që përfshijnë zhvillimin historik të numërorëve të shqipes, ndikimin e hershëm të sllavishtes në shqipen, kategoritë e numrit në shqipen, mbi të folmet arvanitase të Atikës dhe të Megaridit, laringalet e shqipes, etimologjinë e emrit të qytetit Nish, zhvillimin e o-së në gjuhën shqipen. Po ashtu, diskuton edhe raportet e shqipes me gjuhët fqinje. Studioi raportet e shqipes me gjuhët e Ballkanit të lashtë. Shqipen e konsideron thelb të studimeve ballkanike. Ka shprehur mendimin se shqipja ka afri me baltishten dhe sllavishten, por jo me trakishten.