Besim Bokshi

Akademik
Print

Biografia



Lindi në Gjakovë më 1930. Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, dy të tjerat në Gja­kovë. Pas gjimnazit në Prishtinë, ndoqi studimet në Katedrën e Al­banologjisë në Beo­grad. Vijoi stu­dimet pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd. Tezën e doktoratës Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977.
Ka ligjëruar gjuhë shqipe në Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka qenë drejtor i kësaj shkolle. Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës drejtor i saj. Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Nga viti 1974 është zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, është zgjedhur profesor inordinar e pastaj ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm. Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve – Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.
Ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973. Ka marrë pjesë në Kongresin e Studimeve të Evropës Juglindore në Ankara më 1978 me kumtesën për prapavendosjen e nyjës në gjuhët ballkanike. Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën e mbaresave rasore të shqipes. Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Tiranës dhe bash­këpunëtorëve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur ligjëratën për zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979).
Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës.
Ka marrë Shpërblimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980.
Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korres­pondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u zgjodh më 1991, ndërsa nga viti 1996 ishte anëtar i rregullt i kësaj akademie. Më 2002 u zgjodh nënkryetar i Akademisë, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Vdiq në Gjakovë më 16 gusht 2014.

Bibliografia



Librat e botuar:

  • Në pritje (përmbledhje poezish, Jeta e re, Prishtinë, 1966. Ribotim nga Rilindja, Prishtinë, 1978. Përkthyer në serbisht nga E. Mekuli, U o?ekivanju, Bagdala, Krushevc, 1969. Në vitet 1981- 87 ka publikuar rreth 20 poezi në Rilindja e në të përkohshmet Fjala dhe Jeta e re).
  • Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 1980.
  • Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike, Rilindja, Prishtinë, 1984.
  • Hije të këputura (Aforizma), Dukagjini, Pejë, 1996.
  • Pjesorja e shqipes (Vështrim diakronik), ASHAK, 1998.
  • Për vetorët e shqipes, ASHAK, 2004.
  • Periodizimi i ndryshimeve morfologjike të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 2010.
  • Varia, ASHAK, Prishtinë, 2014.


Studime dhe artikuj:

  • Ndryshimi i strukturës së temave emërore të shqipes, Gjurmime albanologjike, SSHF, 1, 1971-72, Prishtinë.
  • Postposision of Artikl in the Balkans Languages, Actes du Congrès International des Études Balkaniques et Sud-est Européennes, Ankara, 1978 (rezyme e kumtesës së lexuar).
  • Sur l’origine des pronoms possesifs en albanais, Recherches albanologiques, 3, 1984.
  • Recostitution des différentes phases relatives à la postposition de l’ article défini dans les langues balkaniques, Rechershes albanologiques, 3,1985.
  • Politika gjuhësore në disa vise të Jugosllavisë, Gjuha shqipe, 1, 1987, Prishtinë.
  • Agense shqetësuese anticivilizuese e makiaveliste, Rilindja, 16.VI. 1990. Ribotuar në veprën e M. Emërllahut Nyja shqiptare, Prishtinë, 2001.
  • Në 80-vjetorin e lindjes së akademik Idriz Ajetit, Studime, ASHAK, 4, 1997, Prishtinë, 1998.
  • Për format e diatezave, Studime, ASHAK, 4, 1997, Prishtinë, 1998.
  • Profesor Selman Riza, Demokracia, XI, 1999.
  • Hyri në zgjua të metaforave dhe u bë amëz e tyre, Jeta e re, 1, 2001.
  • Në 80-vjetorin e lindjes së akademik Shaban Demirajt, Studime, ASHAK, 5,6,7, 2001.
  • Për tri mbaresa vetore, Dardania sacra, 3, 2001, Prishtinë.
  • Për trajtat e përemrave vetorë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 19, 2002.
  • Në 70-vjetorin e lindjes së Fehmi Aganit, Studime, ASHAK, 8-9, 2001 – 2002.
  • Për format e vetorëve të vetës së parë e të dytë njëjës, kumtesë në Simpoziumin për nder të 95-vjetorit të lindjes së E. Çabejt – Gjirokastër, 2003, botuar në Eqrem Çabej dhe kultura shqiptare, Tiranë 2004.
  • Për Waclaw Cimohowski-n, me rastin e promovimit të veprës së tij “Për gjuhën shqipe”, 2004, botuar në Studime 11, ASHAK, 2005.
  • Për Selman Rizën, me rastin e promovimit të katër vëllimeve të studimeve gjuhësore (Vepra I-IV) të Selman Rizës mbajtur në ASHAK, më 17. 06. 2005, botuar në Bota sot, 26.6.2005.