Anton Pashku

Anëtar korrespondent
Print

Biografia



Lindi më 8 janar të vitit vitin 1937 në fshatin Grazhdanik të Hasit të Thatë, afër Prizrenit. Nëna Geta ishte nga Zymi, kurse babai Tomi, bukëpjekës nga Karashëngjergji, fshat pak më larg Zymit, rrëzë Pashtrikut. Shkollën fillore dhe pesë klasë të gjimnazit të ulët i kreu në Prizren, kurse tri klasat e gjimnazit real, bashkë me maturën, në Prish­tinë. Që nga viti 1958 punoi në gazetën “Rilindja”, në fillim gazetar e më vonë redaktor i rubrikës së kulturës. Më 1973 u inkuadrua në Re­daksinë e Botimeve të NBG “Rilindja”, redaktor i prozës dhe dramës. Anton Pashku ka qenë edhe redaktor i revistës letrare Jeta e Re dhe revistës Fjala. Ka shkruar kryesisht tregime, romane, drama. Tregimin e parë e ka botuar më 1955 në revistën letrare Jeta e Re. Ishte i pra­nishëm në periodikun letrar, derisa vdiq.
Ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe nga viti 1993 anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Vdiq në Prishtinë dhe u varros në vendlindje, më 31 tetor 1995.

Bibliografia



Vepra letrare:

  • Tregime, Jeta e Re, Prishtinë, 1961.
  • Nji pjesë e lindjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1965.
  • Kulla, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1968.
  • Sinkopa, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1969.
  • Oh, roman, Rilindja, Prishtinë, 71.
  • Kjasina, tregime të zgjedhura, Rilindja, Prishtinë, 1973.
  • Gof, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1976.
  • Lutjet e mbrëmjes, tregime të zgjedhura, Rilaindja, Prishtinë. 1978.
  • Oh, roman, botimi i dytë, Rilindja, Prishtinë, 1979.
  • Tragjedi moderne, drama, Rilindja, Prishtinë,1982.
  • Vepra të përmbledhura: (1. Tregime fantastike, 2. Tragjedi moderne, 3. Oh), Rilindja, Prishtinë, 1986.
  • Fièvre, traduit de l’albanais par Eqrem Basha et Christiane Montecot, Petite Véhicule, Paris, 2000.
  • Fièvre, traduit de l’albanais par Eqrem Basha et Christiane Montecot, L’espace d’un instant, Paris, 2003.
  • Tregime, Camaj-Pipa, Shkodër, 2003.


Tregimet, dramat dhe romani i Anton Pashkut janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera. Drama Sinkopa është vënë në skenën e Teatrit Popullor Krahinor të Prishtinës më 1996, ndërsa drama Gof në Teatrin Amator të Mitrovicës, më 1978, në Teatrin e Kombësive në Shkup, më 1979, në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës, më 1980, në Teatrin Amator të Ferizajt, më 1980, në teatrin ITD të Zagrebit, më 1980, dhe është interpretuar nga trupa teatrore “L’espace d’un instant” të Parisit në disa manifestime teatrore (mes të tjerash, me një fragment, edhe në Festivalin e Avinjonit, Francë).