Biografia
Aleksandër Stipçeviq (1930-2015), arkeolog, ilirolog, albanolog, Lindi në Arbanas të Zarës (Kroaci), shkollimin fillestar e kreu në Zarë dhe më 1954 diplomoi në arkeologji në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit. Më 1977 doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zarës. Studioi artin dhe religjionin e ilirëve, bibliografinë dhe historinë e librit dhe të bibliotekave. Shkroi sintezën e parë mbi artin ilir dhe sintezën për ilirët, e cila përjetoi 9 botime në kroatisht, anglisht, shqip dhe italisht; shkroi për arbëreshët e Zarës dhe botoi një sërë shkrimesh në gjuhë të ndryshme. Fillimisht punoi në Muzeun Arkeologjik dhe në Institutin e Shkencave Historike në Zarë, pastaj në Bibliotekën Nacionale dhe Universitare të Zagrebit (1957), udhëhoqi Bibliotekën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve (JAZU, 1974) dhe ishte kryeredaktor i “Leksikonit biografik kroat” të Entit Leksikografik “Miroslav Kërlezha”. Në vitet 1970-1973 ligjëroi lëndën hyrje në arkeologji në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ndërsa në Universitetin e Zagrebit historinë e librit dhe të bibliotekave. Më 1987 u zgjodh profesor ordinar i Universitetit të Zagrebit, ku punoi deri në pensionim (1997). Drejtoi katedrën për bibliotekari (1987-1996) në Fakultetit Filozofik në Zagreb, ishte kryetar i Shoqatës së Bibliotekarëve të Kroacisë etj. Në vitin 1983 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe i Arteve të Kosovës. Botoi shumë vepra, ndër të cilat veçojmë: “Arti tek ilirët” (1963), “Ilirët” (1966; shqip: 1967), “Bibliographia Illyrica” (1967), “Ilirët, historia, kultura, jeta” (1974), “Simbolet e kultit tek ilirët” (1981), “Historia e librit” (1985), “Interpretime albanologjike” (1994) “Fati i librit” (2000), “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës” (2013) etj. Librat e tij u përkthyen dhe u botuan në disa gjuhë, përfshirë edhe gjuhën shqipe, në Prishtinë dhe në Tiranë. Ishte laureat i shumë mirënjohjeve dhe dekoratave, ndër të cilat edhe i Medaljes së Artë “Naim Frashëri ” dhe dekoratës “Skenderbeg”, akorduar nga presidenti i Shqipërisë.