Biografia
Alajdin Abazi është inxhinier i elektroteknikës, profesor, akademik. Ka lindur në Tetovë në vitin 1942, ku kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet i mbaroi në Fakultetin Elektroteknik në Universitetin e Zagrebit (1965). Në fillim punoi si inxhinier në Tetovë në ndërmarrje prodhuese. Më 1969 kaloi në Prishtinë, në Fakultetin Teknik, ku mbajti mësim nga lëndët teknologjia e materialeve elektroteknike dhe elektromagnetika. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Zagrebit, ndërsa për specializim qëndroi në Universitetin e Uellsit Verior, në Britani të Madhe (1974). Disertacionin e doktoratës e mbrojti gjithashtu në Zagreb (1977). Gradën e profesorit ordinar nga lënda e elektromagnetikës e mori më 1985 në Universitetin e Prishtinës (UP). Qëndroi si hulumtues shkencor dhe profesor vizitor në shumë universitete dhe institucione shkencore në Amerikë dhe Europë. Në vitet 1979-1981 ishte dekan i Fakultetit Teknik të UP-së dhe drejtor i Institutin “Inkos” të Elektroekonomisë së Kosovës (1982-1990). Në periudhën 2001-2010 ishte rektor i Universiteti të Europës Juglindore në Tetovë. Fushë kryesore e studimeve të tij janë teoria e fushave elektromagnetike, materialet dielektrike, energjia dhe mjedisi etj. Është autor i një sërë punimesh shkencore dhe profesionale dhe i disa teksteve universitare dhe për shkolla të mesme teknike, nga të cilët veçohet teksti universitar “Materialet elektroteknike” (1982). Mori pjesë në disa projekte shkencore hulumtuese në Kosovë, Maqedoni dhe në vende të tjera. A. Abazi është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë (2006) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Është bartës i shumë çmimeve dhe i mirënjohjeve.