Biografia
Abdylmenaf Bexheti u lind më 1959 në Tetovë, Maqedoni e Veriut, ku e mbaroi shkollën fillore dhe të mesme. Studimet universitäre i vazhdoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në fushën e ekonomisë së ndërmarrjes (1978-1982), studimet pasuniversitare i mbaroi në fushën e ekonomisë monetäre dhe fiskale në vitet 1995-1999 në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Shkupit, ndërsa u doktorua po ashtu në Fakultetin Ekonomik të këtij Universiteti në vitin 2002 në lëmin e financave publike dhe politikave fiskale.
Pas diplomimit, më 1983 prof. Bexheti punoi në NT Tehno Promet Tetovë si shef për financa dhe kontabilitet, më pas në vitin 1987 karrierën e vazhdoi në ShKSh-dega Tetovë në sektorin për inspektim financiar dhe tatime, e më vonë në Inspektor për financa dhe tatime në nivel shtetëror. Në periudhën 1994-1995 angazhohet si zëvëndës i drejtorit në drejtorinë e ardhurave publike në RMV, ku vetëm pas një viti (1995) do të promovohet në drejtor të përgjithshëm të të njëjtit institucion. Në vitin 1996 emërohet ministër në Ministrinë për Zhvillim në Qeverinë e RMV-së, për të vazhduar në vitin 1997 Ministër i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve deri në fund të vitit 1998. Në vitin 1999 angazhohet në Institutin për Ekonomi dhe Sigurim të Investimeve „Insec” Hamburg-Gjermani, si bashkëpunëtor i jashtëm, në të njëjtin vit fillon karrierën akademike duke u angazhuar në Universitetin e Tetovës si ligjërues në fushën e Ekonomisë dhe financave. Nga viti 2001 karrierën akademike e vazhdon në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, fillimisht si ligjërues pastaj si Dekan në Fakultetin e Administrimit të Biznesit, ndërsa nga viti 2005-2012 ushtroi detyrën e prorektorit për çështje financiare, planifikim dhe zhvillim. Në vitin 2002 zgjidhet docent, në vitin 2005 avancohet në profesor inordinar në lëmin makroekonomi dhe fiananca publike, ndërkaq vitin 2009 zgjidhet profesor ordinär në lëndët ekonomi dhe financa publike.
Në vitin 2012 puna akademike dhe shkencore e Prof. Bexhetit rezulton me zgjedhjen e tij anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë. Në vitin 2015 gjithashtu zgjidhet edhe anëtar i përhershëm i Gjygjit për Arbitrazh për çështje ekonomike në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë, ndërsa në mars të vitit 2016 zgjidhet anëtar i Bordit për revizion pranë NLB Prishtinë dhe njëkohësisht edhe anëtar i jashtëm i Bordit drejtues të NLB-Prishtinë.
Në vitin 2018, nga Senati i UEJL-it verifikohet si kandidat për rektor të Universitetit dhe në po të njëjtin vit nga Bordi i UEJL-it zgjidhet Rektor me mandat katërvjeçar.
Prof. Bexheti ka botuar mbi 250 artikuj rreth situatave socio-ekonomike në revista dhe gazeta ditore si dhe disa tekste universitare.