Sot, më 26 qershor 2026, sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës të ASHAK-ut, anëtar korrespondent Enver Hamiti dhe anëtari korrespondent i ASHAK-ut, Fetah Podvorica, morën pjesë në takimin e organizuar nga Instituti Riinvest, në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian “POLICY ENLARGE – Support for R&I policy making in the EU enlargement countries”.
Në takim u diskutuan mundësitë për avancimin e kërkimit shkencor, politikat e inovacionit dhe aktivitetet e parapara sipas objektivave të projektit, me theks të veçantë në WP2 – Policy Guidance and Learning, si dhe në kontributin kryesor të Institutit Riinvest në kuadër të Detyrës 2.1: Integrimi dhe zgjerimi i ERA-s.
Përfaqësuesit e ASHAK-ut kontribuan në trajtimin e çështjeve aktuale që lidhen me zhvillimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore në Kosovë, duke theksuar nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale, koordinimin ndërmjet aktorëve relevantë dhe hartimin e rekomandimeve konkrete për avancimin e kërkimeve shkencore në vend.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet dëshmon përkushtimin e ASHAK-ut për të mbështetur proceset që synojnë integrimin më të plotë të Kosovës në Hapësirën Evropiane të Kërkimit dhe për të kontribuar në zhvillimin e politikave shkencore me rëndësi kombëtare dhe evropiane.