Në një letër dërguar ministrit të Kulturës, zotit Hajrullah Çeku, në fund të janarit të këtij viti, kryetari i Akademisë, akademik Mehmet Kraja, ka propozuar që viti 2024 të shpallet Vit i Shtjefën Gjeçovit, me rastin e 150-vjetorit të lindjes të arkeologut të parë shqiptar. Në letër thuhet:
I nderuar zoti ministër,
Ju drejtohem me kërkesën që viti 2024 në Kosovë të shpallet Vit i Shtjefën Gjeçovit.
Atë Shtjefën Gjeçovi (Mëhill Konstandin Gjeçi – Kryeziu) ka lindur më 12 korrik të vitit 1874 dhe është vrarë me atntat më 14 tetor 1929. Ishte shkrimtar, publicist, përkthyes, klerik, etnograf dhe arkeolog.
Ka lindur në Janjevë. Mësimet e fillores i kreu në vendlindje, ndërsa më 1884 hyri në Kolegjin Farnçeskan të Troshanit (Vilajeti i Shkodrës). Më 1988, pas përfundimit të kolegjit, shkoi në kuvendin e Fojnicës (Bosnjë). Vijoi mësimet në Derventë, në Banjallukë, ndërsa mësimet teologjike i kreu në Kreshevë. Më 1896 u caktua meshtar në Troshan. Aty e mori emrin e ri Shtjefën-Kostandin. Shërbeu në Rubik dhe më 1897 u transferua famullitar në Zllakuqan të Klinës. Ishte mësues i shkollës së parë shqipe të Zllakuqanit. Vazhdoi të punojë edhe në vise të tjera: në Laç të Kurbinit (rihap shkollën shqipe), në Gomsiqe të Mirditës, në Durrës, në Vlorë, në Shkodër dhe, si mësues i shqipes, në Arbënesh të Zarës (1905). Në vitet e fundit të jetës u kthye me punë në Zym të Hasit. Më 1929, për shkak të veprimtarisë patriotike, arsimore dhe kulturore u vra nga serbet në Kodrën Rrezin të Zymit të Hasit të Thatë.
Veprimtaria e Sh. Gjeçovit përfshin shumë vepra të botuar dhe dorëshkrime. Veprat e tij janë: “Kanuni i Lekë Dukagjinit ner Malcina tˋMdhaa”, botuar në vazhdime në revistën Albania (1898-1899); “Dashtunia e atdheut”, (dramë, 1901); “Jeta e Shën Luçisë pajtores sˋarkidioçezit të Durrësit” (1904); “Agimet e Gjytetniis, vepër morale didaktike (1910); “Shqiptari ngadhënjyes”, vepër e pabotuar (1904); “Princi i dy Dibrave apo Mojsi Golemi” (1904), “Mënera e Prezës”, novelë (1902); “Tradhti gjaksore (Vrasja e Mark Kulit)” (1906); “Përkrenarja e Skënderbeut” (1914). Shkroi edhe me pseudonime, ndërsa përktheu: “Vajza e Orleansit ose Joana dˋArk” (1916); “Shna Nou i Padues”, sipas A.N. Dal Gal (1912), “Atil Reguli”, dramë e Pietro Matastazit (1912), “Quo vadis”, roman i H. Sinkjeviçit (1923). Gjithashtu përktheu “Fjalë e urta” të Sokratit (1921) dhe disa vepra fetare. Mblodhi thesarin popullor nga kultura materiale dhe shpirtërore, shumë objekte arkeologjike dhe formoi muzeun françeskan, ku ekspozoi eksponate të rëndësishme muzeore, armë, veshmbathje dhe gjësende të tjera të rralla. Veçmas u vlerësua përmbledhja e tij dhe mbarëshkrimi “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.
Pushteti jugosllav, ku ishin të përfshirë edhe një numër kosovarësh, nuk e desh Shtjefën Gjeçovin, të cilin jo vetëm që e vrau më 1929, por nuk i bëri as nderet që i takonin një burri mendjendritur, i cili la trashëgimi dy monumente të pavdekshme: themeloi arkeologjinë shqiptare dhe kodifikoi veprën më të rëndësishme të trashëgimisë zakonore shqiptare, Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës tashmë ka përfshirë në programin e vet të punës për vitin 2024 një konferencë shkencore kushtuar atë Shtjefën Gjeçovit. Do të donim që në këtë përvjetor të zhvillohen edhe aktivitete të tjera, në të cilin do të përfshiheshin edhe institucionet tjera shkencore dhe kulturore të vendit, si Instituti Albanologjik, Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Prishtinës, Instituti i Historisë, Instituti i Trashëgimisë Kulturore, komuna e Prishtinës, komuna e Lipjanit etj. Dhe natyrisht, në radhë të parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Për çdo konkretizim të kësaj ideje jemi të gatshëm të intensifikojmë komunikimin dhe bashkëpunimin, thuhet në funjd të letrës dërguar ministrit Çeku.