Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe seksionet e saj prezantojnë botimet dhe zhvillime shkencore në Panair

Në ditën e dytë të Panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, përkatësisht nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, u zhvillua një sesion i veçantë me prezantime dhe diskutime me peshë të lartë shkencore dhe akademike.
Në këtë kuadër u trajtuan tri vepra të rëndësishme të fushës së gjuhësisë dhe letërsisë shqipe: “Leksikoni i termave të gramatikës”, për të cilin folën recensenti akademik Shkumbin Munishi dhe autorët akademikë Rexhep Ismajli dhe Bardh Rugova, me moderimin e anëtarit korrespondent Nysret Krasniqi; “Kanoni – ese për letërsinë shqipe”, ku diskutuan recensenti Nysret Krasniqi dhe autori akademik Sabri Hamiti, ndërsa moderimin e udhëhoqi akademik Bardh Rugova; si dhe “Metonimia”, për të cilën folën recensenti Nysret Krasniqi dhe autori akademik Kujtim Shala, nën moderimin e akademik Bardh Rugovës.
Në vijim, Seksioni i Shkencave Shoqërore organizoi një sesion promovimesh me përmbajtje të rëndësishme shkencore dhe akademike, ku u trajtuan tri botime me tematikë aktuale dhe me peshë të veçantë në fushën e studimeve shoqërore.
U prezantua vepra “Konvergjenca ekonomike e Kosovës me Bashkimin Evropian”, për të cilën folën recensentja akademike Justina Sh. Pula dhe autori akademik Isa Mustafa. Më pas u paraqit “Rimendimi i filozofisë së Nietzsche-s”, ku diskutuan recensenti prof. dr. Astrit Salihu dhe autori akademik Muhamedin Kullashi. Po ashtu u promovua edhe “Konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë”, me pjesëmarrjen e recensentit akademik Jusuf Bajraktari dhe autorit akademik Arsim Bajrami.
Të gjitha promovimet e Seksionit të Shkencave Shoqërore u moderuan nga akademik Frashër Demaj, i cili udhëhoqi diskutimet duke i dhënë hapësirë debatit shkencor dhe reflektimit kritik mbi temat e trajtuara.
Në ditën e dytë të Panairit të V mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, Seksioni i Shkencave të Natyrës solli një prezantim me rëndësi të veçantë shkencore. U paraqit vepra “Eksergjia”, për të cilën foli anëtari korrespondent Fetah Podvorica, ndërsa autori i saj, akademik Fejzullah Krasniqi, ndau qasjet dhe rezultatet kryesore të punimit. Prezantimi u zhvillua nën moderimin e anëtarit korrespondent Enver Hamiti, i cili udhëhoqi diskutimin duke i dhënë hapësirë trajtimit shkencor dhe sqarimit të aspekteve kyçe të veprës.
Ky sesion u karakterizua nga një diskutim i fokusuar akademik, duke theksuar rëndësinë e kërkimeve në fushën e shkencave të natyrës dhe kontributin e tyre në zhvillimin e mëtejshëm të dijes shkencore.
Diskutimet në tërësi u karakterizuan nga një qasje e thelluar analitike dhe kritike, duke sjellë vlerësime të rëndësishme mbi kontributin e këtyre botimeve në zhvillimin e studimeve bashkëkohore. Me këtë sesion u vijua dita e dytë e panairit, duke përforcuar rolin e tij si një platformë e rëndësishme e debatit akademik dhe shkencor në hapësirën mbarëkombëtare.