Vizitë e Rrjetit të Grave të Kosovës në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka-Pula  e mirëpriti sot vizitën e anëtareve të Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës, për të përgëzuar zgjedhjen e saj si Kryetare e AShAK, e që është moment historik: “për herë të parë që nga krijimi i saj në dhjetor të vitit 1975, Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e udhëheqë një akademike grua“. Ky simbol i fuqishëm shënon një hap të rëndësishëm drejt përfaqësimit më të madh të grave në të gjitha fushat e arsimit, shkencës dhe dijes”,  theksuan anëtaret e Bordit.

Thelb i vizitës ishte shprehja e mirënjohjes për kontributin e grave studiuese në zhvillimin e arsimit, shkencës dhe dijes në përgjithësi dhe përkushtimi i përbashkët për të avancuar barazinë gjinore në udhëheqjen e institucioneve të arsimit, shkencës dhe të dijes.  Kjo vizitë, në përputhje me misionin e vazhdueshëm të Akademisë për të rritur diversitetin brenda radhëve të saj, ofron një platformë thelbësore për shkëmbimin e ideve, nxitjen dhe frymëzimin e gjeneratës së ardhshme të grave në shkencë.

“Akademia është e nderuar të bashkëpunojë me Rrjetin e Grave të Kosovës për të  adresuar nën-përfaqësimin e vazhdueshëm të grave në udhëheqjen e institucioneve kërkimore shkencore” tha akademike Justina Shiroka-Pula. Gjithashtu, ajo e theksoj se Akademia është e përkushtuar që të rrisë përqindjen e grave të zgjedhura si anëtare të Akademisë, duke vazhduar njëkohësisht që të promovojë përsosmërinë shkencore.

Rrjeti i Grave të Kosovës, i vetëdijshëm për çekuilibrat e vazhdueshëm në karrierat e vajzave dhe grave, riafirmon angazhimin për barazi dhe diversitet, ndërsa mbështet përpjekjet e institucioneve për të korrigjuar këto pabarazi.

Vizita përfundoi me një premtim për të vazhduar eksplorimin e bashkëpunimeve të ardhshme për të frymëzuar gjeneratën e ardhshme të grave në shkencë, për të identifikuar pengesat me të cilat përballen ato dhe për të trasuar rrugën, që  gratë të kenë përfaqësim më domethënës në udhëheqje të institucioneve të dijes.