U promovua libri “Proceset dhe ciklet termodinamike” të autorëve Fejzullah Krasniqi dhe Naser Sahiti

Më 24 qershor 2024 në lokalet e ASHAK-ut u bë promovimi publik i librit me titull “Proceset dhe ciklet termodinamike” të autorëve akademik Fejzullah Krasniqi dhe prof. Naser Sahiti. Në promovim morrën pjesë kryetari dhe nënkryetarja e ASHAK-ut, anëtarë të ASHAK-ut si dhe profesorë dhe staf akademik i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe të njësive tjera akademike.

Fjalën përshëndetëse e mbajti sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës, prof. Fetah Podvorica, anëtar korrespondent i cili njëherit e mbajti edhe fjalimin në emër të recensentëve të librit. Në fillim ai potencoi faktin se ky libër është shpallur libri fitues i Çmimit “Vepra më e mirë studimore” në panairin e 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, që u mbajt nga data 23-25 prill 2024 në Tiranë, organizuar në bashkëpunim mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit me motivacionin: “Një vepër që pasqyron zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë së termodinamikës, fokusuar në problemet konkrete të ngrohjes, përmes një analize dhe sinteze të detajuar të proceseve më të rëndësishme termodinamike, duke shenjuar një arritje në studimet shqiptare”.

Më tutje, duke u bazuar në raportin e recensentëve të librit akad. Nexhat Daci dhe akad. Isuf Krasniqi, prof. Fetah Podvorica foli në detaje për përmbajtjen e librit i cili ka 6 kapituj të cilët janë të shpërndarë në 700 faqe të librit dhe paraqet një analizë dhe sintezë të thukët dhe cilësore  të proceseve dhe cikleve termodinamike dhe në këtë aspekt vlerësohet edhe si një kontribut të caktuar të autorëve në rrafshin shkencor dhe profesional. Në raport theksohet gjithashtu se libri “Proceset dhe ciklet termodinamike” mund të shërbejë si material i rëndësishëm edhe për studentët e nivelit master dhe të doktoraturës shkencore në lëmin e shkencave teknike në përgjithësi dhe në inxhinierinë mekanike në veçanti.

Në fund të promovimit, autorët e librit, akademik Fejzullah Krasniqi dhe prof. Naser Sahiti mbajtën fjalë rasti. Në fjalën e tij akademik Krasniqi duke komentuar rëndësinë e librit, në mes tjerash, theksoi se përveç analizës së bilancit energjetik të cikleve të punës  e cila mjaftohet vetëm me përdorimin e ligjit të  parë të termodinamikës, në libër është studiuar edhe analiza eksergjetike e cikleve. Kjo analizë  duke e  përfshirë edhe ligjin e dytë të termodinamikës, e shprehë aspektin cilësor të energjisë. Në këtë mënyrë analiza eksergjetike del më të plotë, më përmbajtësore dhe si të tillë edhe më e besueshme.  Ai theksoi se ky libër do jetë një ndihmesë e madhe për komunitetin shkencor të fushës së termoteknikës dhe termoenergjetikës  dhe se në të mund të gjenden mjaft konkluzione dhe kontribute origjinale shkencore të cilat nuk hasen në literaturën aktuale.

Ndërsa prof. Naser Sahiti në mes tjerash potencoi rëndësinë që e ka përmirësimi i efiçiencës së energjisë dhe aplikimit të teknologjive tjera miqësore ndaj mjedisit në tranzicionin energjetik. Në këtë kontekst, libri aktual është shkruar ashtu që të shërbej qoftë për nxitjen e hulumtimit lidhur me mundësitë e rritjes së efiçiencës së energjisë p.sh. të termocentraleve dhe në këtë mënyrë zvogëlimin e ndotjes mjedisore enorme e cila rezulton nga këto impiante, qoftë për eksplorimin e mundësve alternative të prodhimit të energjisë, siç janë prodhimi i kombinuar i energjisë apo shfrytëzimi racional i pompave të nxehtësisë por edhe për ofrimin e mundësive që hulumtimet përkatëse eksperimentale ose numerike të prezantohen në mënyrë të qëndrueshme dhe konsistente shkencore dhe në këtë mënyrë të bëhen të qasshme për komunitetin shkencor.