U mbajt mbledhje komemorative për akademik Feriz Krasniqin

Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve tëKosovës u mbajt mbledhja komemorative në respekt të jetës dhe veprës së Feriz Krasniqit, i cili u nda nga jeta më 26 jana 2024.

Mbledhja filloi me një minutë heshtje dhe më pas fjalën e mori kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja.

Ndër të tjera, ai tha: Ishte lajm i hidhur për të gjithë ne ikja në amshim e akademik Freiz Krasniqit, jo vetëm pse për një kohë të gjatë ishim mësuar me praninë e tij, por edhe nga fakti se do ta ndiejmë shumë shpejt mungesën e tij, një njeri i sjellshëm dhe i urtë, një mik i mirë dhe i sinqertë për të gjithë ata që e njohën dhe që e kishin privilegjin ta ndjenin nga afër miqësinë e tij.

Ishte lajm i hidhur për kolegët e Akademisë dhe të Universitetit të Prishtinës, për studentët e tij të shumë gjeneratave, të cilët mësuan ta njohin dhe ta çmojnë natyrën e Kosovës, ta duan dhe ta studiojnë florën e saj, të cilën e ai e mblodhi dhe e përzgjodhi, për ta vendosur në herbariumin e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore dhe për ta ruajtur për të gjitha gjeneratat, të atyre që ishin të kohës së tij, të kohës sonë dhe të tjerave që do të vinin më pas.

Feriz Krasniqin e çmuan të gjithë ata që e njohën, njësoj siç e çmuan të gjithë ata që e njohën veprën e tij.

Unë kam pasur fat të punoj me akademik Feriz Krasniqin në hartimin e monografisë “Kosova” dhe ju them me sinqeritetin më të madh se shumë rrallë më ka ndodhur të bashkëpunoj me një njeri që, edhe përkundër diferencës në moshë, ka një sens të tillë bashkëpunimi, sa të jetë i gatshëm të sakrifikojë durimin për hir të një arritjeje të përbashkët.

Ai ishte idealist i madh dhe i tillë mbeti deri në fund të jetës.

Tani që sot po i japim lamtumirën e fundit akademik FerizKrasniqit, është një çast i adhurueshëm për të gjithë ne, që jo vetëm t’i njohim meritat dhe ta lartësojmë figurën e tij, por ata që nuk ishin në nivel të mirësisë së tij, të shfaqin pendesë dhe t’i dëshirojnë prehjen e amshueshme mikut dhe kolegut tonë të rrallë!

Ndërkaq, për veprën dhe jetën e akademik Feriz Krasniqit foli edhe sekretari i seksionit te shkencave të natyrës, anëtari korrespodent i Akademisë, Fetah Podvorica. Ai, ndër të tjera, tha:

E nderuara dhe e respektuara familje e Akademik Feriz Krasniqit,

I nderuar kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,

Të nderuar akademikë,

Të nderuar profesorë,

Të nderuar të pranishëm

Me pikëllim shumë të thellë e morrëm lajmin se më 26 janar 2024 ndërroi jetë akademik Feriz Krasniqi, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i cili për gati tri dekada ishte pjesë e Seksionit të Shkencave të Natyrës.

Akad. Feriz Krasniqi lindi më 1931 në Tërpezë të Malishevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Gjimnazin e Ulët e mbaroi në Prishtinë, kurse Shkollën Normale në Gjakovë. Në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Nishit studioi në degën e biologjisë ku edhe diplomoi në vitin 1954. Një kohë punon arsimtar i biologjisë e pastaj regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore të Universitetit të Shkupit, në grupin e biologjisë, ku edhe diplomon në fillim të vitit 1961.
Një kohë të shkurtër punoi profesor i lëndës së biologjisë në Shkollën Normale të Prizrenit. 

Më 1961 u zgjodh asistent për lëndën Sistematika e bimëve në Katedrën e Biologjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Disertacionin e doktoratës me titull Vegjetacioni i pyjeve të regjionit kodrinor të Kosovës e mbrojti në vitin 1968 në Universitetin e Beogradit.
Në vitin 1969 u zgjodh docent, kurse më 1980 profesor ordinar për lëndën Sistematika e bimëve të larta në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Prishtinës, ku punoi gjersa u pensionua.

Akademik Feriz Krasniqi nuk u morr vetëm me punën edukative dhe atë shkencore në Departamentin e Biologjisë së FSHMN-sëtë cilën e kryente me aq përkushtim por ai u angazhua që tëkontriboj drejtpërdrejtë në zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.

Në Universitetin e Prishtinës ushtroi edhe një varg funksionesh të ndryshme në udhëheqjen e tij. Akademik Feriz Krasniqi sëpari ka qenë prorektor i Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 1973 – 1975, dhe pastaj u emërua rektor i Universitetit të Prishtinës në dy mandate, gjatë periudhës 1975 – 1977 dhe 1977 – 1979. Gjatë gjithë kohës sa ishte në pozita udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës u kujdes për konsolidimin e fakulteteve ekzistuese të Universitetit të Prishtinës si dhe zgjerimin e programeve studimore të tij përmes themelimit dhe zhvillimit të shumë degëve dhe të disa fakulteteve tjera në UP.

Akademik Feriz Krasniqi u angazhua fuqishëm për sigurimin ekuadrit të nevojshëm shkencor dhe akademik. Ai e barti barrën kryesore të vendosjes dhe zgjerimit të bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës, kuadri i të cilit dha kontribut shumë të rëndësishëm në mbajtjen e ligjëratave në gjuhën shqipe dhe ngritjen akademike dhe shkencore të një pjesë të kuadrit të Universitetit të Prishtinës sidomos deri në vitin 1981.

Gjithashtu ai kreu edhe disa funksione shtetërore, si deputet i Dhomës të Kombeve të Kuvendit të dikurshëm Federativ dhe anëtar i Kryesisë së dikurshme të Kosovës.
Akademik Feriz Krasniqi përcaktimin e vet në lëmin e kërkimeve shkencore e ka orientuar në studimin e : florës dhe tëvegjetacionit spontan në tërësi, me theks të veçantë të atij të hapësirës kosovare. Kështu që duke filluar nga viti 1963 e gjer në fund të jetës së tij, ai vazhdimisht ka kontribuar në këtë drejtim duke publikuar numër të madh punimesh shkencore nga kjo lëmi, të cilat janë botuar në revista të ndryshme shkencore të qendrave të ndryshme universitare. Gjatë kësaj periudhe, relativisht të gjatë të punës shkencore ai ka dhënë kontribut të madh dhe të vlefshëm në studimin mjaft të detajuar të florës dhe vegjetacionit të Kosovës dhe atë në disa drejtime, duke përfshirë këtu: veçoritë karakteristike dhe shumëllojshmërinë e bimësisë së kësaj treve, gjendjen e mëparshme, atë ekzistuese dhe ndryshimet e mëdha në të, sidomos ndryshimet drejt degradimit dhe shkatërrimeve të mëdha, varfërimit dhe zhdukjen e gjenofondit të rrallë bimorë siç janë elementet floristike: endemike, relikte  dhe endemoreliktet.
Me punën dhe iniciativën e tij, kërkimet bashkëkohore në florën dhe vegjetacionin e Kosovës, kanë fituar një intensitet, kurse metodat e punës hulumtuese në këtë lëmi vazhdimisht janë përsosur dhe zgjeruar në drejtime të ndryshme. Ai në fillim vet, e pastaj me ekip bashkëpunëtorësh ka grumbulluar material të pasur floristik dhe të dhëna të ndryshme për florën dhe vegjetacionin e Kosovës, duke i vënë kështu themelet e sigurta për kërkime të mëtejme në këtë lëmi. Mund të thuhet se akademik Feriz Krasniqi është nismëtar i parë vendor, që me përkushtim dhe mbi bazat shkencore i rreket studimit të gjithanshëm të florës spontane dhe vegjetacionit spontan autokton të kësaj treve. Gjatë kësaj pune ai ka konstatuar një varg elementesh floristike të reja për florën e Kosovës e më gjerë, si dhe ka konstatuar dhe përshkruar varianta e asociacione bimore të reja në trevën e Kosovës.
Rezultatet e fituara dhe të publikuara të autorit kanë rëndësi të madhe jo vetëm për studime më të thella e më të hollësishme në sferën e kërkimeve fundamentale dhe të mbrojtjes së ambientit, gjithnjë më të rrezikuar, por këto kërkime janë të lidhura ngushtë edhe me shkencat aplikative si: agronominë, farmacinë, pylltarinë, veterinarinë, etj. Me punën e tij akademik FerizKrasniqi ka kontribuar që tani të kemi një një pasqyrë shumë më të plotë të florës dhe vegjetacionit spontan të Kosovës. Në projektin Hulumtime në florën e Kosovës, të udhëhequr nga ai, e të realizuar gjatë periudhës 1986-1990, pas shumë ekspeditave në terren dhe punës kërkimore në laboratorë, janë determinuar dhe studiuar mbi 1200 taksone të bimëve të larta vaskulare të përhapura në trevën e Kosovës. Këto taksone bimore, së bashku me ato të studiuara më herët, të herbarizuara dhe të sistematizuara në mënyrë bashkëkohore e me shënime përkatëse, janë të vendosura në herbariumin e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Prishtinës. Duke u nisur nga ky kontribut Akademik Feriz Krasniqi është themelues i herbarit kombëtarë të florës së Kosovës, pranë Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës ku gjenden mijëra ekzemplarë të elementeve të ndryshme floristike të pajisura me shënime përkatëse që kanë rëndësi për hartimin dhe inventarizimin e florës së Kosovës në të ardhmen si dhe për afirmimin e kësaj treve në qarqet shkencore.
Akademik Feriz Krasniqi, ka marrë pjesë në shumë tubime të ndryshme shkencore dhe është i cituar në literaturën shkencore nga lëmi i florës dhe vegjetacionit.
Për shkallën e afirmimit dhe autoritetit që gëzonte akad. Feriz Krasniqi e vërteton edhe fakti i rëndësishëm që lloji bimor i ri për shkencën e floristikës i gjinisë Cynoglosum (Solenanthus) i zbuluar në masivin malorë të Pashtrikut nga botanisti i njohur  slloven Tone Wraber emërtohet me emrin shkencor Cynoglossum Krasniqi, T. Wrab., ku në arsyetim përveç tjerash shkruan:

Kjo specie unike është emëruar për nder të botanistit Feriz Krasniqi, profesor i Universitetit të Prishtinës që ishte më meritori për njohjen e vegjetacionit të regjionit të Kosovës.
Një emërtim i tillë që praktikohet dhe u dedikohet personaliteteve të dalluara e të afirmuara që kanë lënë gjurmë në fusha të ndryshme të jetës, përkatësisht të shkencës, ka bërë të mundur që emri i akademik Feriz Krasniqit të jetë i përjetshëm në historikun e shkencës së floristikës.

Akademik Feriz Krasniqi ka publikuar shumë punime shkencore në revistat autoriale të kohës si dhe ka përshkruar një varg llojesh dhe bashkësish bimore të reja për florën dhe vegjetacionin dhe ka marr pjesë në shumë konferenca shkencore që janë mbajtur brenda dhe jashtë vendit. Është autor i tekstit universitar “Sistematika filogjenetike e bimëve të larta” dhe i botimit të veçantë “Vegjetacioni i pyjeve të zonës kodrinore tëKosovës”. Është bashkautor i fjalorëve shumëgjuhësh: “Fjalori i emrave të bimëve”, “Fjalori i termave të botanikës” dhe “Fjalori shpjegues i termave të botanikës”. Është bashkautor i fjalorit shumëgjuhësh “Fjalor i barërave të Europës Lindore” (Dictionary of ëeeds of Eastern Europe), botim i Akademisë “Kiado” në Budapest, viti 1987.

Në sferën arsimore-edukative përpos angazhimit në mbajtjen e ligjëratave, ai bëri poashtu përpjekje të vazhdueshme për sigurimin e teksteve dhe të literaturës për lëminë e biologjisë në gjuhën shqipe, në fillim si përkthyes e më vonë edhe si autor. Gjatë punës në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, udhëhoqi punimet e diplomës të shumë kandidatëve. Si anëtar i komisionit, mori pjesë në mbrojten e disertacioneve të doktoratës në dy universitete (të Prishtinës dhe të Zagrebit).

Për kontributin e tij në lëmin e kërkimeve shkencore në procesin arsimor-edukativ në zhvillimin institucional dhe afirmimin e Universitetit të Prishtinës, është dekoruar me shumë çmime dhe mirënjohje:
Shpërblimi i Kosovës (Krahinor) i Dhjetorit për rezultatet e arritura në shkencat biologjike gjatë vitit 1975; Plaketa nga Fakulteti i Mjekësisë, për merita rreth Zhvillimit të tij me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të themelimit, shpërblimi Naim Frashëri për tekstin universitar Sistematika e bimëve të larta me elementet e filogjenisë, të botuar në vitin 1985; Mirënjohje nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës për bashkëpunim të suksesshëm; Mirënjohje e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore me rastin e kremtimit të 36-vjetorit të punës së suksesshme të tij.
Në vitin 1995, Senati i Universitetit të Prishtinës ia jep titullin e nderit Profesor emeritus për merita të veçanta në Zhvillimin dhe avancimin e Universitetit të Prishtinës, si dhe për përsosshmërinë mësimore dhe shkencore.
Në vitin 1996, zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për shkak të nivelit dhe cilësive të tij, të një studiuesi të mirënjohur të nivelit të kohës, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt i ASHAK-ut.

Me ndarjen nga jeta, familja e humbi prindin, gjyshin shembullor, ne e humbëm një anëtar të Akademisë me vlera shumë të veçanta si në aspektin e kontributit shkencor dhe në atëakademik e kombëtar por njëherit si familja e tij e respektuar e edhe ne si institucion jemi me shumë fat se do të kemi nëshfrytëzim trashëgiminë e tij shkencore shumë të begatë si dhe do të jemi përherë krenar me veprën e tij.

Lavdi jetës dhe veprës së Akademik Feriz Krasniqi!

Në mbledhjen komemorative u lexua edhe telegrami i ngushëllimit i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.