Libri “Proceset dhe ciklet termodinamike” paraqet një analizë dhe sintezë të detajuar të proceseve më të rëndësishme termodinamike nga të cilat ndërtohen ciklet termodinamike të djathta dhe te majta, me autorët akademik Fejzullah Krasniqi dhe prof.dr. Naser Sahiti, të cilët kanë një përvojë të gjatë e me rezultate cilësore në këtë fushë. Libri është hartuar në gjashtë kapituj dhe është ilustruar me 297 figura dhe 987 ekuacione të cilat e kompletojnë dhe lehtësojnë mënyrën e shprehjes dhe të kuptimit të fenomeneve teknike. Rëndësia e tekstit qëndron në zbatimin e plotë të koncepteve teorike të dhëna nga ligjet e termodinamikës të konkretizuara për realizimin e proceseve dhe cikleve termodinamike.

Përveç analizës së efiçencës termike, e cila mjaftohet me aplikimin e ligjit të parë të termodinamikes, në libër është analizuar edhe efiçenca eksergjetike me të cilën për realizimin e procesit apo ciklit te punës konsiderohen edhe ndikimet e faktorëve të jashtëm (burimi dhe greminën termike) të nevojshme për realizimin e proceseve dhe cikleve të punës. Meqë kjo analizë kryhet duke i përdorur dy ligjet themeloret te termodinamikes, na mundëson identifikimin e pajisjeve ku ndodhin humbjet me të mëdha eksergjetike (punës teknike) në kuadër të realizimit të ciklit të punës.

Marrë në përgjithësi, libri paraqet një analizë dhe sintezë cilësore të proceseve dhe cikleve termodinamike dhe është një kontribut i autorëve në rrafshin shkencor dhe profesional. Krahas analizës termike të proceseve dhe cikleve të punës, analiza është zgjeruar edhe me analizën eksergjetike, e cila duke i përdorur të dy ligjet themelore te termodinamikes e bën analizën më të plotë dhe gjithsesi me cilësore. Materiali i shtjelluar në libër do të jetë shumë i dobishëm për përdorim nga studiuesit shkencorë të fizikës teknike në përgjithësi dhe të studiuesve të proceseve dhe cikleve termodinamike në veçanti.