Tryezë shkencore për shndërrimin e energjisë dhe ruajtjen e saj

Seksioni i Shkencave të Natyrës i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK) më 31 maj 2023 organizoi Tryezën shkencore “Shndërrimi elektrokimik i energjisë dhe ruajtja e saj”, i cili u mbajt me pjesëmarrjen e studiuesve dhe ekspertëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Britania e Madhe. Këshillin organizativ të këtij Simpoziumi e përbënin: akad. Isuf Krasniqi, kryetar i këshillit organizues shkencor, akad. Fejzullah Krasniqi, prof. Fetah Podvorica, prof. Myzafere Limani dhe prof. Enver Hamiti.
Sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës, prof. Fetah Podvorica, mbajti fjalën e hapjes, me ç’rast theksoi rëndësinë që kanë burimet kimike të energjisë në ruajtjen e energjisë dhe në zbutjen e pasojave të ndotjes me dioksid karboni.
Më pas, në kuadër të tryezës u paraqiten 7 kumtesa. Në seancën e parë, të cilën e udhëhoqi akad. Fejzullah Krasniqi, prof. Fetah Podvorica paraqiti temën Energy storage by batteries and hydrogen”, duke theksuar aspekte të përgjithshme të ndotjes me CO2, ku kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim e ka energjia elektrike e prodhuar prej burimeve fosile, prandaj ai e shtroi nevojën për tranzicion energjetik, i cili mund të bëhet përmes shtimit të kontributit të burimeve të ripërtritshme në sisteme të mençura të energjisë.  Ai gjithashtu paraqiti të dhëna për funksionimin e llojeve të ndryshme të baterive dhe krahasimin e performancave të tyre, pastaj disa i informacione për prodhimin elektrokimik të hidrogjenit me anë të elektrolizës së ujit dhe rolin që mund ta luaj ky produkt në dekarbonizim të industrisë së çelikut.
Prof. Amor Abdelkader, profesor në Universitetin e Bournemouth të Britanisë së Madhe u paraqit me temën “Energy storage using solid-state batteries”. Ai paraqiti detaje për funksionim dhe performancën e baterive të litiumit, duke u bazuar në materialet e ndryshme që përdoren në formim të katodës, si dhe foli edhe për bateritë në të cilat zëvendësohet joni i litiumit me jone të metaleve tjera alkaline, e të cilat kanë performanca pothuajse të njëjta me bateritë e litiumit. Më tej ai vuri theksin te rëndësia që e paraqesin bateritë në gjendje të ngurtë, te të cilat në vend të elektrolitëve në gjendje të lëngët përdoren materialet e ngurta që e mundësojnë transferin e ngarkesave në mes të hapësirës anodike dhe katodike.
Ndërkaq, prezantimin me titull “Electrocatalysis and novel electroanalytical techniques” e mbajti prof. Valentin Mirceski, anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Ai foli për rëndësinë e metodave elektrokimike për të hulumtuar efektet e ndryshme elektrokimike në bateri si dhe përdorimin e këtyre metodave për qëllime elektroanalitike. Me anë të voltametrisë me valë katrore mund të studjohen vetitë elektrokatalike të materialeve të ndryshme të ngurta, të cilat mund të përdoren edhe tek bateritë.
Më pas, në seancën e radhës, të cilën e udhëhoqi prof. Enver Hamiti, u paraqiten prezantimet: “The challenges and opportunities for electrochemical energy conversion and technologies: the case of CO2” nga akad. Ilirjan Malollari, i cili vuri theksin të rëndësia që e ka depozitimi i CO2 dhe aplikimi i teknologjive të reja, duke përfshirë metodat elektrokimike për shndërrimin kimik ose elektrokimik të tij në produkt kimik të rëndësishëm për përdorim. Pastaj prof. Avni Berisha e paraqiti punimin me titull “Unleashing the poëer of 2 D nanomaterials: graphydine as a promising electrode material for Li-based batteries – insights from “ab initio” calculations”, me ç’rast ai 0-prezantoi të dhëna për rëndësinë që e kanë veshjet oerganike në sipërfaqe të materialeve që përdoren pastaj si anodë për deponimin e joneve të litiumit. Në këtë kuadër materialet e reja si grafidina, në bazë të llogaritjeve teorike shfaq aftësi për të mundësuar difuzionin e joneve të litiumit në mënyrë të preferuar në mesin e shtresave të saj për shkak të pranisë të atomeve të karbonit me hibridizim sp3.  Me kumtesë u paraqiten edhe dr. Bukurije Hoxha, me punimin me titull “Comparison of hydro pumping technology and batteries for energy storage” dhe msc. Blerina Bylykbashi me punimin me titull ”The impact of solar energy on environmental protection”.