Ministrja e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, viziton ASHAK-un

Prishtinë, 11 mars — Ministrja e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, zonja Lindita Nikolla, me bashkëpunëtorë, ka vizituar sot Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK), ku është pritur nga Akademik Hivzi Islami, kryetar, dhe anëtarët e Kryesisë së AShAK-ut.
Akademik Islami bëri një prezantim të veprimtarisë së Akademisë, sfidave nëpër të cilat ka kaluar ASHAK që nga themelimi në vitin 1975. Islami theksoi se AShAK-u, si tempulli dijes dhe artit, është institucion plotësisht apolitik, mirëpo asnjëherë nuk ka qëndruar indiferent ndaj të gjitha zhvillimeve në Kosovë, përfshirë zhvillimet politike me interes nacional.
Islami përkujtoi se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është anëtare e një numri të madh asociacionesh akademike të Evropës, përfshirë ALLEA-n (Federata Evropiane e Akademive), pjesë e së cilës AShAK-u u bë vite përpara se Kosova të bëhej shtet i pavarur, që ishte një konfirmim i pranimit të punës së AShAK-ut. A theksoi se ASHAK bashkëpunon me një numër të madh të akademive të rajonit dhe më gjerë dhe se bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë ka qenë dhe mbetet synim i përhershëm i AShAK-ut , me të cilën Akademia Kosovare ka nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi dhe ka punuar bashkë në një numër projektesh të rëndësishme.
Ministrja Nikolla çmoi lart punën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës si dhe rolin që ka luajtur në avancimin e dijes dhe artit kosovar në kohë shumë të vështira por jetike për Kosovën. Ministrja Nikolla shoqërohej nga Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, doktor Arsim Bajrami, si nikoqir i saj gjatë vizitës në Kosovë.